S’dimë, s’mundemi por mbi të gjitha, s’duam shtet

Leksionin më të mirë e dhanë fqinjët tanë të veriut. Prej tyre dhe jo prej ndonjë demokracie të konsoliduar duhet të marrim shembull, nëse vërtetë kemi nevojë të marrim shembull nga të tjerë. Zgjedhjet në Serbi, dhe jo vetëm këto të fundit, përbëjnë  një dëshmi të qartë të një demokracie që funksionon dhe të një vullneti politik të qartë të sovranit popull.

Qeveria serbe e Millosheviçit e humbi Kosovën me luftë dhe dalëngadalë po humbiste edhe Evropën. Por me protesta dhe me zgjedhje populli serb i ndryshoi fytyrë qeverisë së vet dhe një vit më vonë filloi një histori të re, atë të demokracisë dhe të afrimit me Evropën. Plot 12 vjet më vonë Beogradi e rifitoi Evropën, u afrua me Uashingtonin dhe Kosova nuk duket aq e shkëputur sa më parë. Shpresa të reja, për të mos e lëshuar Prishtinën, falë një veprimtarie diplomatike të shkëlqyer, janë sot më të prekshme se 12 vjet më parë. Marrëveshja e suksesshme në fund të dialogut dypalësh me përfaqësues të Kosovës, e cila u përmbyll me fusnotën e famshme, ishte suksesi i fundit i të moderuarve filo evropianë që qeverisën Beogradin pas Millosheviçit. Ajo i garantoi Beogradit statusin e vendit kandidat për në BE nga njëra anë dhe një kavilje ligjore që e mban Kosovën ende të lidhur me Serbinë nga ana tjetër.

Uashingtoni i cili ishte i interesuar që ti jepte sërish fitoren të moderuarit Tadiç , ndërhyri pranë qeverisë së Kosovës dhe e bindi Thaçin që të pranonte fusnotën. SHBA-të nuk kishin as më të voglin dyshim që ky sukses i korrur në bisedime prej qeverisë serbe do ti garantonte më pas fitoren Tadiçit. Por ngjarjet nuk rrodhën ashtu si parashikohej. Populli sovran i Serbisë e mori vetë në dorë fatin e tij. Me statusin kandidat në njërin xhep dhe fusnotën për Kosovën në xhepin tjetër, 12 vjet më pas vendosi të ndryshojë serish paraqitje. Tashmë anëtarë të ardhshëm të BE-së, serbët kuptuan që interesat kombëtare shkonin në drejtim të aleatit të vjetër, Rusisë.

Tomisllav Nikoliç është fituesi i zgjedhjeve më të qeta dhe me të lira në Serbi. Ai është një ish-ultranacionalist me figurë të pastruar nga mëkatet e së shkuarës. Ai mban titullin Vojvodë, lider i çetnikëve. Titull që e kanë merituar pak vetë deri më sot dhe që duhet merituar në fushë betejë, në krye të famëkeqëve çetnikë. Vizitën e parë ai e bëri në Moskë jo në Bruksel edhe pse e garantoi këtë të fundit se qeveria e re vazhdon të ketë objektiv integrimin në BE. Prej Moskës erdhi një ndihmë e konsiderueshme ekonomike, e domosdoshme në këtë kohë krize. Serbëve agonia greke dhe arroganca gjermane nuk iu shkon për shtat, prandaj sot zgjedhin Rusinë. Deklarata për Kosovën mbetet emblematike: “Serbia do të futet në BE vetëm e bashkuar me Kosovën. Brukseli nuk mund të vendosi kushte të cilat populli serb nuk mund ti durojë”…
Qartësia dhe vullneti me të cilin populli fqinj serb zgjedh të ardhmen e tij janë të admirueshme dhe garantohen nga liria e zgjedhjes dhe vullneti politik i një lidershipi i cili punon në interes të vendit.

Mbyllja ashtu si edhe hyrja na kthejnë te pyetja: po ne? Paralelizmi dhe krahasimi janë të paevitueshëm. Përveç deklaratave patriotike dhe tubimeve me flamuj kuq e zi, çfarë kanë bërë përfaqësuesit politikë të popullit shqiptar për përmbushjen e interesave kombëtare? Po ne, populli sovran i Shqipërisë a jemi realisht sovranë të fatit tonë? A kemi mundësi të zgjedhim rrugën që duam të ndjekim dhe përfaqësuesit që duam të na drejtojnë në këtë rrugë?

Përgjigjen e kemi përpara syve. Shakira shpëtoftë Shqipërinë!

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *