Sakrifica!

Të dashur motra dhe vëllezër, qeveria ka një program për rilindjen e vendit dhe të kombit, por për të realizuar këtë, qeveria ka nevojë për Ju, ashtu siç edhe Ju keni nevojë për qeverinë. Vetëm së bashku mund t’ia dalim që të përballojmë këtë sfidë. Qeveria ka nevojë për Ju, motra dhe vëllezër, por qeveria ka nevojë edhe për klasën e re politike, për opozitën, parlamentare dhe jo parlamentare, universitetet, median, intelektualët, shoqërinë civile, sindikatat, etj. Vetëm së bashku dhe të bashkuar, si një komb, pa ndarje, pa veri-jug, pa lindje-perëndim, mund t’ia dalim dhe duhet t’ia dalim. Kombi, Atdheu, ka nevojë për Ju, ashtu siç Ju kini nevojë për njeri-tjetrin.

Ne do bëjmë përpjekje, me të gjitha forcat tona, që të shërojmë plagët e qeverisjeve të shkuara, mbi të gjitha të luftojmë korrupsionin, të kthejmë sistemin e drejtësisë si garant të shtetit të së drejtës, me reforma të thella e të dhimbshme, të ndërtojmë të mirën e përbashkët, të mirën publike, të mirën e të gjithëve, të ndërtojmë të ardhmen tonë.

Shteti, ka nevojë për Ju, motra dhe vëllezër, prindër, gjyshër, studentë, fëmijë, e mbi të gjitha për ju punëtorë dhe për ju njerëz të punës.

Shteti, ka nevojë për Ju, të dashur qytetarë. Ju, së pari, duhet të fshini, si një ëndërr të keqe, këtë përvojë 22 vjeçare, edhe Ju, gjithashtu, duhet të rilindni. Rilindni!

Ju, duhet të harroni ryshfetet, mikun, nepotizmin, klientelizmin, Ju duhet të kujdeseni për hapësirën publike, për të mirën tonë të përbashkët, Ju duhet të qëndroni vigjilentë karshi qeverisjes, Ju nuk duhet të na lini që ne të bëjmë gabime, Ju duhet të luftoni për të drejtën tuaj referendare, Ju duhet të mësoni të protestoni, Ju duhet të largoheni nga kafja dhe ti ktheheni punës, Ju duhet të ruani gjakftohtësinë, Ju duhet të mësoni të denonconi qoftë edhe fqinjin tuaj, pa pasur mëshirë, pa pasur frikë.

Ju duhet të kuptoni për mundësitë që ofron ekonomia jonë e brishtë, Ju nuk duhet medoemos ti çoni fëmijët tuaj të gjithë nëpër universitete, nuk është turp. Natyrisht duhet ti edukoni fëmijët tuaj, me vlera universale të jetës, me vlerën e punës, bujk, hidraulik, jurist, ekonomist. Edukojini fëmijët tuaj me kulturën e punës.

Ju duhet të mësoni të denonconi mjekun, pedagogun, mësuesin, policin, tatimorin, prokurorin, gjykatësin. Ju duhet të mposhtni frikën e trashëguar, se tashmë, Shteti po ju kërkon ndihmë.

Sistemi që kemi trashëguar, ju ka mësuar, për hir të vetë sistemit, që ai, sistemi, nuk luftohet. Jo, ne mendojmë, që sistemi mund të luftohet, madje ne besojmë që mbi të gjitha është njeriu dhe jo sistemi. E megjithatë, eja të bashkohemi, të luftojmë sistemin, ne nga brenda dhe Ju nga jashtë.

Të dashur motra dhe vëllezër, pa Ju, edhe me gjithë përpjekjet tona, rezultatet nuk mund të jenë të kënaqshme, bëjeni këtë qeveri që të meritojë besimin tuaj. Ne kemi nevojë për ju!

Të dashur motra dhe vëllezër, Ju duhet të bëni sakrifica të mëdha. Nuk do të jetë e lehtë. Ju keni në dorë të ardhmen tuaj dhe tonën si klasë politike qeverisëse, nëse nuk ndryshoni Ju, atëherë, me votën tuaj të lirë, tashmë të garantuar, ne do t’i lëmë vendin një vullneti të ri pas 4 vitesh; Ju jeni sovrani, ju vendosni.

Ne jemi të vetëdijshëm, për detyrat dhe sakrificat tona si klasë politike, por pa sakrificën tuaj asgjë nuk mund të bëhet mirë. E ardhmja e begatë e Kombit kërkon sakrifica afatshkurtra dhe afatmesme. Le ti futemi sëbashku rrugës së sakrificës, ashtu siç ju prindër sakrifikoni për fëmijët tuaj, sakrifikoni edhe për atdheun tuaj, se çfarë pasurie më të madhe mund ti lini fëmijëve, veçse atdheun?! Motra dhe vëllezër, sakrifikoni sot, që nesër fëmijët tuaj të jetojnë me më pak sakrifica, në një vend të begatë, në atdheun tonë.

J.M.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *