Sa më pak “Merkozy”

Struktura aktuale e Evropës ka çuar në kriza, por Evropa e nesërme do jetë më e nënshtruar ndaj tregjeve dhe më e dëmshme për njerëzit. Ata kanë vendosur për një përkeqësim të jetës dhe kanë mohuar të drejtën e njerëzve për pavarësinë e tyre buxhetore. Në këtë mënyrë, ata kanë sanskionuar vdekjen e garantuar të rritjes ekonomike, progresit social dhe demokracisë. Për më tepër, kërcënohet edhe vetë ekzistenca e Bashkimit Evropian. Çfarë do të ndodhë, kur vende të fuqishme të Evropës do i diktojnë vendeve të tjera reformat që duhet të ndërmarrin? Në këtë mënyrë, po shkojmë drejt rritjes së tensioneve midis shteteve evropiane, me gjithë reagimet nacionaliste dhe shoviniste që ato mund të krijojnë. Historia evropiane tashmë e ka provuar, që kjo situatë mund të çojë në kriza të qytetërimit.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme, kryetarët e partive anëtare të partisë së Majtë Evropiane, deklarojnë solemnisht se një dalje nga kriza është e mundur nëse bëhet një thyerje në politikat neo-liberale – të  mbrojtura nga forcat e krahut të djathtë dhe të pranuara nga social-demokratët – dhe nëse njerëzit nuk mbështesin thirrjet ksenofobe populiste.

Por një zë tjetër ekziston, zëri i partive të majta evropiane, sindikatave, shoqatave, lëvizjeve sociale, me përpjekje me të gjitha forcat për të gjetur zgjidhje për daljen nga kriza, e cila në njërën anë nuk përfshin ashpërsimin e kushteve të jetesës, shpëtimin e pafundmë të bankave, tregjeve financiare dhe kapitalistëve të mëdhenj, por nga ana tjetër përfshin mbrojtjen e demokracisë, të drejtave sociale, zhvillimin shoqëror dhe mjedisor dhe mirëqenien e shteteve në Evropë. Formula jonë kundra krizës është: sa më pak nga doktrina Merkozy, aq më sociale dhe demokratike Evropa!

I. Shkëputja e financave publike nga tregjet financiare. Ne duam që Banka Qendrore Evropiane të kontrollohet në mënyrë demokratike dhe të marrë një rol aktiv në luftën kundër spekulimeve me bondet shtetërore, themelimin e fondit publik evropian ose një banke sociale, si dhe zhvillim mjedisor dhe në kushtet e një solidariteti të plotë. Një rezolutë e përbashkët është diskutuar në Asamblenë Kombëtare në Francë dhe në Bundestagun gjerman, falë “Front de Gauche” dhe “Die Linke MPs”.

II. Riorganizimi i sektorit bankar dhe ulja e fuqive të tregjeve financiare: Ne duam që sektori bankar privat të jetë nën përgjegjësinë dhe kontrollin publik. Transaksionet financiare spekulative duhet të kufizohen me mënyra të drejtpërdrejta ose të tërthorta. Ne duam krijimin e një agjensi kreditimi me pronesi publike, e cila është çelësi i financimit të vendeve të punës, shërbimeve publike dhe ndryshimeve mjedisore.

III. Zgjidhje për problemet e borxhit publik: Përse duhet të paguajnë njerëzit për bankat dhe krizën financiare? Ne duam ndalimin e menjëhershëm e politikave të ashpra ekonomike. Ne jemi për zbatimin, në të gjithë Evropën, të rregullave kombëtare, që përjashtojnë uljen e pagave dhe pensioneve, si dhe për mirëqenien sociale dhe zëvendësimin e këtyre politikave me rritjen në masë të taksave për kapitalistët e mëdhenj dhe miliarderët. Meqenëse, të gjitha vendet evropiane janë të kërcënuar, e majta evropiane propozon organizimin e një Konference evropiane mbi Borxhin, e cila të diskutojë shlyerjen e drejtpërdrejtë të borxheve nga BQE për vendet e kërcënuara, anulimin e një pjese të madhe të borxhit publik si rezultat te auditimeve publike. Ne propozojmë masa të veçanta, që parashikojnë mbrojtjen për fondet e sigurimeve shoqërore, si dhe uljen e skajshme të shpenzimeve ushtarake, e cila është, gjithashtu, një parakusht për paqen dhe solidaritet, heqje dorë nga agjencitë e vlerësimit të tregjeve dhe një plan i madh për investimet publike.

IV. Një Evropë më sociale: Ne duam një Evropë që të mbrojë njerëzit e saj. Për këtë, duhen vendosur standarde minimale, që sigurojnë një jetë të hijshme, në lidhje me orët e punës, pagat, pensionet, sigurimet shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat.

V. Kthimin e Evropës në një bashkësi të balancuar: për këtë çelësi kyç është çmontimi i çekuilibrave ekonomikë e pasqyruar nga luhatjet në bilancin tregtar. Një bashkërendim evropian mbi ekonominë, të ardhurat dhe politikat financiare, që synojnë uljen e papunësisë dhe gjithashtu në krijimin e ekuilibrave ekonomikë në periudhën afatmesme, është i domosdoshëm. Buxheti evropian, duhet së pari të përballojë këto çekuilibra.

VI. Jo autoritarizmit të BE – demokraci e vërtetë në Evropë: e Majta Evropiane e vazhdon luftën e saj për arritjen edhe mbrojtjen e demokracisë, përgjegjësinë, transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare. Ne qëndrojmë fort kundër kufizimeve të njëanshme të pushtetit të parlamenteve kombëtare përmes legjitimimit të marrëveshjeve Evropiane. Kështu, ne mbështesim forcimin e pushtetit të parlamentit Evropian. Më tej, ne kërkojmë që ndryshime thelbësore në bazën ligjore (traktatet) të BE të jetë subjekt i legjitimimit me anë të referendumeve kudo ku ligjet e lejojnë.

Pas rezultateve pozitive të së Majtës Daneze dhe Spanjolle, tani është koha për forcat e majta evropiane të rrisin përpjekjet për lëvizje qëndrestare . Në këtë kuadër, Këshilli i Kryetarëve i propozon të gjitha partive anëtare dhe vëzhguese të së Majtës Evropiane të rrisin përpjekjet për forcimin e komunikimit, veprime të përbashkëta dhe solidaritet midis të majtëve dhe klasës punëtore të vendeve tona. E Majta Evropiane do të ndërmarrë nisma për vendosjen e dialogut midis forcave politike demokratike dhe sindikatave në Evropë, të cilat kërkojnë zgjidhje për daljen nga kriza. Kërkesa për një Evropë tjetër, sociale dhe demokratike, duhet të behet slogani i përbashkët, i përfolur në të gjitha gjuhët e folura të kontinentit tonë.

Këshilli i Kryetarëve të Partisë së Majtë Evropiane

Bruksel, 12 dhjetor 2011

Përktheu Jani Marka

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *