Sa burrë i mirë ky Sala

Sa herë e kemi dëgjuar të na sigurojë Kryeministri ne, të sigurojë Kryeministri atë dhe të sigurojë Kryeministri opozitën se do të bëhet ashtu siç duam ne, ai/ajo ose opozita.  Nga reformat më të rëndësishme e deri te punët më të vogla që shqetësojnë individët, ai është bërë garancia, ligji dhe zbatimi i ligjit, vendimi, siguria, rehatia, suksesi, me pak fjalë përfaqëson gjithçka.

Rasti i fundit në listën aspak shteruese të sigurive të Kryeministrit që i hedh në treg si panine të vogla, është akti normativ kundër zhurmave nga lokalet e natës, në qendrat e banuara dhe në zonat turistike.  Me sa di unë, rregullore, vendime të Këshillit të Ministrave dhe ligje ka pasur gjithmonë për të dënuar shkeljet që vijnë nga abuzimi me zhurmën në oraret e vona të natës.  Si për shembull, rasti më i shkëlqyer ka qenë kur Presidenti aktual, asokohe Ministër i Brendshëm, i tekej të flinte andej nga Durrësi.  Policët vinin si çakej dhe i mbyllnin lokalet e natës se po fle Ministri, as nuk e mbulonin arsyen, madje nuk bënin as përpjekjen më të vogël për ta maskuar.  Por po të ishin ruajtës të vërtetë rendi, ashtu duhet të kishin reaguar gjithmonë, jo bujarisht për Bujarin e madh por për çdo individ të thjeshtë, gjë që nuk e bënin.

Tani na del Saliu me aktin e tij normativ që do të rregullojë gjithçka.  Dhe në fakt, ai ka rregulluar gjithçka. Tani Tirana është kthyer në një qetësi epike natën, aq sa po habiten dhe vetë banorët.  Sa i mirë ky Sala…  Megjithatë dy vërejtje.

Së pari përse akt normativ?  Kushtetuta thotë për aktet normative se “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.”  Ku është nevoja??  Ku është urgjenca??  Kjo situatë mund të përsëritet pafund, për shembull kur Saliu mos të ketë më sigurinë në vetvete që të na sigurojë ne se do të flemë të qetë.  Nëse ai rregullon fusha që janë të rregulluara me akte normative që në fakt nxirren kur ka raste emergjence civile ose situate që mund të kthehen të pariparueshme nëse nuk veprohet në kohë, atëherë ai shkel ndarjen e pushteteve dhe kësisoj kthehet në praktikë, në një ligjvënës.  Për më tepër, e ka njoftuar gjë Parlamentin brenda 5 ditëve??  Kjo mbetet për t’u verifikuar.

Së dyti, mendoni se akti normativ i ka shtyrë forcat e rendit të zbatojnë ligjin më në fund?  Jo. Ata janë ose të magjepsur nga siguria që rrezaton Kryeministri kur na siguron ne, ose i ka zënë frika nga toni i zërit të Salës ditën që vendosi se do të vepronte me akt normative kundër zhurmave.
Të gjitha këto e kanë një arsye.  Dhe arsyeja jemi ne dhe mendimi ynë arkaik për marrëdhënien e pushtetit.  Ne duam të na sigurojë dikush, jo të na sigurojë ligji…  Kështu vazhdon të jetë dhe sot, në 2012-ën.

Stavri

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *