Rrugës për në shtëpi nuk mund të mos pengohesha te zgjedhjet

Duket se miku im është i përqëndruar në monologun e sharjeve dhe vazhdon me të tijën duke u ankuar se kështu s’mund as të evitojë gropat për të mos amortizuar makinën e sapoblerë. “Nuk di ç’të bëj” më thotë “Ta nxjerr vetëm në fundjavë edhe pse ka gjithmonë trafik a më mirë ta lë në garazh”. Në moment mendoj se po të kishte korsi për çiklistët ose më shumë ndriçim, personalisht do të mund të jetoja shumë mirë edhe pa një shpenzim të tillë.  
Dërdëllitja ndaj trafikut e rregullave posaçërisht të aplikuara në mënyrë të kundërt të asaj që shkruhet në kod resht dhe unë nis ritualin numër 2: atë të numërimit të ndërtesave industriale, vilave trekatëshe etj. përkrah superstradës. Reklama 5 x 4 më terheqin vëmendjen e më ftojnë të regjistrohem në Universitetin europian apo amerikan të sapoçelur, mes tyre edhe marka, thuhet prestigjose e Fabrizio Coronës që më kujtojnë dhe njëherë pse nuk ndez më televizionet italiane.

“Kanë ndërtuar një pishinë luksoze këtu” më thotë miku im “duhet të shkojmë verës”. “Dakord i them por ç‘do kjo fabrika e birrës aty ngjitur?”

“Ështe kompleks zemër, çdo gjë duhet të jetë multifunksionale”. “ Po, po”  i them “multifunksionale. Marr rreze dielli tek shoh si katandiset një makinë për skrap një makinë, ha një sallatë fshati teksa sodis kamionët dhe autobotët se si përshëndesin njëri-tjetrin me beep-beep. Miku im vetëm buzëqesh.

Shpesh mendoj se shumë biznese, lokale, fabrika janë si ato të përmendura tek libri “Gomorra” i Roberto Savianos ku në fusha e zona të pabanuara të Kampaniës lindin ndërtime të destinuara të vdesin të cilat justifikojnë kushedi së çfarë xhiroje.
Në kufi me Vorën më telefonon ime më duke pyetur si shkoi rruga dhe duke falenderuar mikun tim për mirësjelljen, duke qenë se im atë s’mund të vinte se është në gadishmëri për shkak të zgjedhjeve.
Ah po zgjedhjet…rendi i ditës për dikë dhe muzikë e stërdëgjuar për dikë tjetër.

Ç’mendim  ke?” pyes mikun tim.
“Aman nuk dimë çdo bëhet, nëse fiton njëri do na legalizojë pallatin 13 katësh ku banojmë.
“Nr me fat ky 13”- ironizoj unë.
“Nëse fiton tjetri do na shëmbin pjesën e shtuar të verandës që kemi tek lokali kah rruges dhe ky do ishte një problem shumë i madh sepse  ti e di si funksionon po s’pati vizibilitet dhe ambient të hapur, lokali nuk ka punë”.
“E di si funksionon por ja që as njëri as tjetri s’më duken se kanë gjë në vijë me të tillë platformë”. Në fakt do shqetësohesha më shumë me mënyrën se si lëvizin, hamendësojnë luhatjen e këtij elektorati që ka një zhvendosje demografike që edhe beduinët do e kishin zili. Si e llogarisin p.sh. qasjen time ndaj kutive të votimit apo meqë s’e kam këtë të drejtë duke qënë se jetoj jashtë vendi, askush nuk e përfill. Do doja të shihja me kënaqësi se si do të rrokulliseshin pritshmëritë e çdo “survey” në rast se qoftë edhe gjysma e emigrantëve do të vinte të shkundte votën.

Për te riparuar këtë cen, dmth mohimin e të drejtës për të zgjedhur e për t’u zgjedhur dikush ka provuar të joshë qytetarët duke i ftuar në vendimmarrje duke i ofruar një udhëtim gratis nga Evropa në Tiranë me autobus e dikush tjetër me avion. Se ç’kam një dyshim që qytetarët do zgjedhin këtë të dytën.

Ja ku po i afrohemi lagjes time, ja ku është edhe pallati im ku përveç se ka humbur ngjyrën nga shiu i prillit i janë shtuar si dekor, dhjetra postera gjysëm të grisur a mbivendosur.
Mes imazheve shoh emra të njohur  por  edhe fytyra që s’kam parë kurrë. Lexoj emra partish që i ngjajnë më shumë nipteve ose ndoshta të tillë janë vërtetë.
Buzëqeshje vezulluese të kandidatëve dhe slogane demodé më thonë se si dulcus in fundus do mjaftonte vetëm realizimi i thënies “Lek Plepi for Mayor” që qarkulloi nëpër forume e facebook. S’do çuditesha fare edhe po të ndodhte, është diskutuar më shumë për të si fenomen mediatik se për klasifikimin e Tiranës si “Bluzë e zezë në Evropë”.
Duhet të ngjitem lartë se më presin ndaj dhe falenderoj e përshendes mikun tim duke i thënë se do takohemi në darkë për një birrë. “Mos eja në qendër” më thotë “se ka rregullime. Merr më mirë Unazën”. “Dakord”- i them, shihemi më vonë.

Ndërsa mundohem të ngre valixhen e ngjeshur ndër shkallë has pastrusen që i ankohet një komshieje  për mospagesën e dy muajve me rradhë. Ajo e cila mbledh edhe plehrat e lëna nëpër shkallë për t’i çuar tek koshat kapi’ nuk arrin të marrë as pagën minimale të akorduar gojarisht me banorët e pallatit. Kërkesa bie në vesh të shurdhër e komshia nis e akohet për diçka tjetër, thotë se koshat e mbetjeve janë plot e se taksa e gjelbërt ështe padrejtësi ndaj qytetarit.  Sigurisht, pagesa e taksave kundrejt ofrimit të shërbimit është një shantazh që Bashkia i bën qytetarit. E bukur kjo! Po deshët mos e besoni!
Ngjitem në katin e dytë ku takoj Erindën që më valëvit disa manifeste në dorë. “Erinda zemër” i them “po të të kishin pranuar tek kopështi shtetëror tani shqtësimi yt më i madh do të ishte mospërlyrja e buzëve me çokollatë. Por mesa duket në mungesë të alternativave, në mungesë të një këndi sportiv apo argëtues në lagjen tënde ke menduar se imitimi i më të rriturve është loja më e mirë.
 
Nëna ime i ka dëgjuar hapat që së largu dhe ndërkohë ka hapur derën e pasi më puth e përqafon më ndihmon të fus plaçkat në të ëmblën shtpi. Tërheq derën dhe syri më kap një zarf të mbyllyr pa emër marrësi e dërgues.
“Letër anonime! Uau, sa shpjet e morën vesh që erdha” qesh unë…Jo, është vetëm një kuadret i lumutur familje që na fton të votojmë sepse me ata arrihet zhvillimi dhe prosperiteti i munguar. Sikur të mos dukej dora e fotoshopit dhe stilistes në veshje “Crocodile for success” ndoshta do e kisha besuar dhe unë. Rehatohem në divan dhe meqë ështe ora e lajmeve ndez Tv për të parë ç’erë fryn. Kanal 1 degjoj : drita, ujë, kanalizime…kanal 2: shkollim, e ardhme, kopështe, çerdhe… kanal 3: legalizim,liçenca .. zap kanal 4 gjelb..zap kanal 7, kanal, 8,9 … ufff sa shumë qënkan shtuar! Me cfarë mbahen vallë?…zap..kanal 10 afera..zap kanal 11 rradhë në zyrat e regjistrimit…zap …bzhshshhhsh …
e fika…
Mami cfarë ka për darkë?
                                                                                                                                                  Blerina Kushta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *