Rreziku që vjen nga revoltat pa krye

Në një mënyrë apo në një tjetër të gjitha këto lëvizje, secila me specifikën e saj, kanë arritur rezultate mjaft të rëndësishme. Por pjesa dërmuese e tyre nuk ka një objektiv afatgjatë, misioni i tyre shpesh mbaron me rrëzimin e diktatorit, ose me largimin e një qeverie. Vazhdimi është një vakum institucional dhe politik, i cili rrezikon të mbushet nga forca ekstremiste të mirë organizuara, si për shembull lëvizjet islamike në botën arabe. Në Egjipt, revoltat e ditëve të fundit janë kryesisht të ndezura nga “Vëllezërit Muslimanë”, që sipas sondazheve, nëse zgjedhjet zhvillohen menjëherë, fitojnë shumicën absolute në parlament. Por protestat egjiptiane në sheshin Tahrir, gjatë “Revolucionit të parë” , ishin spontane, të motivuara nga urrejtaja ndaj totalitarizmit, dhe me një pjesëmarrje të rinjsh që akoma më pak do të duronte një qeveri islamike. E megjithatë demokracia kërkon votim dhe nga kutitë e votimit islamikët, më të organizuar, më të bashkuar dhe solidarë mes tyre, dalin fitimtarë. Ndërsa pjesëmarrësit në Pranverën Arabe  janë shpërndarë në dhjetra parti e sigla të reja pa struktura të mirëfillta dhe pa shtrirje të gjerë vend.

Të indinjuarit e Spanjës, janë të rinj që kërkojnë një kthesë të madhe në politikën e vendit të tyre. Kërkojnë të kenë më shumë zë në vendimarrje. Ndër të tjera kërkohej (dhe kërkohet) një sistem tjetër elektoral për të bërë të mundur përfshirjen e tyre më të gjerë në qeverisjen e vendit.
Rezultati është fitorja e thellë dhe historike e të djathtës; votimi i cili u zhvillua me sistem elektoral të pandryshuar; dhe bojkot masiv i rinisë në votime.

Mungesa e një lidershipi i ka kthyer këto lëvizje, në lëvizje të dhunshme në vendet diktatoriale dhe pacifiste në Evropë, sigurisht, por në të dyja rastet anarkike. Të indinjuarit e Spanjës do të jenë akoma edhe më të indinjuar me qeverinë e re të Rahoit (Rajoy), por fitorja e tij historike ishte rezultat edhe i protestave të tyre. Ky është zhgënjimi i paevitueshëm i të indinjuarve!

Të rinjtë egjiptianë do të jenë shumë më të pakënaqur nga reformat me frymë islamike që do të sjellin Vëllezërit Muslimanë (pas fitores së tyre të sigurt në zgjedhjet e ardhshme), sesa nga autokrati Mubarak, e megjithatë janë ata që e kërkuan ndryshimin. Egjiptianët mund të zbulojnë që pas pranverës erdhi dimri.

Rreziku real pra vjen në një moment të dytë, pas ndryshimeve të mëdha, pas revolucioneve, të armatosura apo pacifiste. Nëse lëvizjet popullore nuk kanë një lidership dhe një drejtim  të qartë të vullnetit të tyre, rrezikojnë të kthehen në bumerang për vetë revolucionin.

Edhe protestat pacifiste në shtetet e bashkuara mund të sjellin dobësimin e presidentit demokrat Obama (të votuar masivisht nga të rinjtë në zgjedhjet e fundit), duke favorizuar kandidatët e krahut  konservator, të Partisë Republikane. E çfarë ndryshimi mund të sjellin republikanët që do t’u kthente buzëqeshjen të rinjvë në Seattle. Apo mos vallë do të lejojnë pushtimin e Wall Street-it?!

Për të korrigjuar këtë anomali të revoltave spontane që burojnë nga pakënaqësia popullore, nevojitet një revolucion konstant dhe i vazhdueshëm, derisa të ketë një qeverisje e cila i përgjigjet kërkesave dhe nevojave reale të popujve, duke e kthyer pushtetin aty ku e ka origjinën, te sovrani… gjë e cila ka pak gjasa të ndodhë, por të ëndërrosh nuk kushton asgjë. Në Tunizi thonë: “Tunizia është vendi ku çdo gjë duket e pamundur, por çdo ëndërr realizohet!”

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *