Rrëfenja, Republika, dhe Rrethi i Mbyllur

Shumë gjurmë diktaturash e ngritje kryesh! Socializmin e ndërtuam me kinezët, Europën po e ndertojmë me amerikanët. Gjurmët janë monumentet që do të ngrihen në ato pak parqe, në ato pak sheshe e kryqëzime rrugësh të Atdheut, fjalë e nëmur në këto kohë epike. Histori kontradiktore e monumente kontradiktore për pasojë. Ahmet Zogut I (Ahmet Zogu i vërteti jo sozia e tij President) do ti rrije skiç Hasan Prishtina, një anti-zogist per excellence për të përdorur një shqipe të sërës së lartë alla-frënga të Muçit (që i kish hipur një merak se gazetat e vulgut nuk kishin shqipëruar drejt një fjalë të rallë angleze strangulim dhe e postoi menjëherë në tweeter). Shkurt e pa u zgjatur histori kaposhash e zgjedh(j)esh! Ismail Qemali diku mënjanë. 

E Mira Publike
Jemi më shumë një Republikë Letrash (kupto një grusht njerëzish të kënduar që polemizojnë me njëri tjetrin, hidh e prit nëpër studio televizive e nëpër gazeta) sesa një Republikë qytetarësh. Të papunët që i gjetën vetes nga një punë pa shumë punë, themeluan Republikën e Analistëve e futen në të thella për të përcaktuar interesin publik. Asgjë më shumë se një kurth ndaj të mirës publike! Pa kurrëfarë stërhollimi intelektual pa kurrëfarë autonomie. Trajtë korporativizmi. Një rreth I mbyllur. Pakkush është në vendin e vet, e të gjithë flasin për gjithçka. Ambasadori Amerikan lëshon mandatën: Vepro Tani!, dhe analistët vazhdojnë të shkruajnë kronikat e tyre të përditshme. Rrëfenjat e të kaluarës në këtë njëqind vjetor të pavarësisë së Shqipërisë janë të këndshme për t’u dëgjuar. Po vetëm kaq! Po i kthejmë këto kohë të së tashmes sonë në rrëfenja të reja. Mbase e kemi ca të pamundur të mësohemi me një ritëm të vetëm, me një farë monotonie. Na bezdis monotonia, duam ngjarje, duam ndodhi. Kështu do kemi ç’të rrëfejmë. Themeluam një komunitet politik përmes miratimit referendar të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë (1998), po Republikën nuk e kemi! Kemi feudet! E mira e vetme e parë publike janë zgjedhjet e lira e të drejta (Tani ne nuk do kërkojmë që votuesit të shkojnë në qendrat e votimit me një laps në dore si në Danimarkë, sic rrëfente i habitur këtu e ca vite më parë një ndodhi të tijën një nga prijësit e parisë). Mendja më thotë se kjo është beteja e vetme më e rëndësishme publike që duhet ndërmarrë në këtë njëqind vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. 

Truall dhe Njerez
“Atdheu është buka e uritur.
Të ikën nga duart e dot nuk të ngop.” Fatos Arapi. 
Fund. 
Shkruar në ekzil, 1 Korrik, 2012. 

Coli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *