Rimëkëmbja e pritshme e shtetit

Ne jemi përpara një realiteti që të gjithë e thonë me zë të lartë, dikush si fundin e argumentimit, dikush si fillimin e tij, duke i vënë fre çdo tentative për të dhënë ca sinjale shprese, se shteti ka marrë fund.  Kjo shprehje nuk do të thuhej aq shpesh nëse në mendjen dhe në veprimtarinë e përditshme të individit dhe të shoqërisë shteti të mos luante atë rol të pazëvendësueshëm që nuk mund ta mohojë askush.  Në kohë të mira, rëndësia e tij është primare.  Në kohë krize nevoja për të është e madhe dhe ai nuk duhet të mungojë.

Dhe natyrisht, në Shqipëri ai nuk kishte si të mos mungonte.  Ai mungon në prodhim, mungon në ekonomi, por kjo ndoshta është gjysma e së keqes.  Planet e privatizimit masiv të ekonomive të vendeve të lindjes ishin pjesë e strategjisë së rritjes së efiçencës, prodhimtarisë dhe modernizimit.  Qoftë dhe duke kaluar nëpër rrugët e rrëpirta të korrupsionit.  Por më e keqja është se ai mungon në çdo fushë tjetër që presupozohet që është qoftë historikisht, qoftë organikisht domen i tij.

Shteti mungon në sigurinë e njerëzve.  Krimet janë treguesi i fundit i një lënie pas dore të sigurisë, arma më e fortë që ka në dorë shteti, që e trembte aq shumë Thomas Hobbes-in por që tani nuk frigon askënd.  Shteti mungon në vendosjen e rregullave të qetësisë publike dhe të mbarëvajtjes së jetës shoqërore.  Forcat e rendit nuk mund të katandisen në prapavijën e karrotrecave dhe në pararojën e mbrojtjes së turli personalitetesh të huaja dhe shqiptare, të cilat baletin diplomatik e kanë kthyer në mejhane qokash.  Nëse nuk do të vinte Hillary Clinton në Shqipëri asnjëherë gjatë këtij viti nuk do e kishim kuptuar se në ç’mungesë therrëse të pranisë së shtetit ndodhemi.  Të vetmen ditë që ai funksonoi, u bë sebep një delegacion i huaj i rëndësishëm dhe prapë, ky delegacion kishte gardën e tij personale të afërt, duke ditur mjaft mirë gjendjen mjerane të forcave shqiptare të sigurisë.

Shteti mungon në shëndetësi.  Është thënë dhe do të thuhet me mijëra herë të tjera se shteti ka humbur betejën për mirëqënien e popullsisë.  Duke ia dorëzuar tashmë me dashje shëndetin e njerëzve në duart e privatit (copëzimi i Spitalit Ushtarak dhe, me shume gjasa, kalimi i ambjenteve të tij në duart e ndonjë privati), shteti pranon dështimin në shëndetësi.  Njëkohësisht pranon se shëndeti i popullsisë nuk është më prioriteti kryesor i tij, por e kthen atë në prioritet të sektorit privat, i cili shquhet për efiçencë dhe largpamësi, kryesisht për xhepin e vet.
Shteti mungon në arsim.  Logjika tashmë është përmbysur.  Pa dashur të anatemojmë sektorin privat në arsim, na duhet të pranojmë se shteti ndodhet në një siklet të madh përpara arsimit privat.  Tashmë sektori privat në arsim është bërë më llogarikërkues ndaj shtetit, i cili çuditshëm rreket të justifikojë politikat e tij të herë pas hershme në dobi të publikut, edhe pse të dobëta.  Të mos harrojmë se raporti i studentëve që studiojnë në publik me ata që studiojnë në privat është 7 me 1.  Sektori privat, në prizmin e pedagogjisë dhe mjeteve mësimore është për t’u marrë si shembull, por çalon në një aspekt të rëndësishëm: ai është dhe do të mbetet i nxitur nga ideja e fitimit.  Mirëpo edukimi është investim dhe fitimi në këtë fushë nuk është monetar dhe afatshkurtër, por njerëzor dhe afatgjatë.  Edukimi në thelb nuk është fitimprurës dhe nuk duhet të jetë kështu.  Edukimi duhet të jetë një nga angazhimet e shtetit, përpjekja e tij e vazhdueshme për të rimëkëmbur aspiratën shpirtërore të shoqërisë.

Shteti dërgon dhe sinjale të gabuara shoqërisë.  Në një kohë kur nevojitet më shumë solidaritet, përfaqësues të tij ulërasin për më shumë individualizëm dhe përpjekje individuale për të dalë nga bataku ku ndodhemi.  Shprehja më e mirë e kësaj direktive të gabuar është taksa e sheshtë.  Nëse ajo kishte një dobi publike, tashmë ajo është kthyer në shprehjen e egoizmit në të cilin është e zhytur shoqëria shqiptare.  Është shprehja e ligjëruar e shtetit për t’u hequr mënjanë nga detyrimet që ka gjithsecili, sipas mundësive (dhe ata që kanë mirëqënie më të lartë kanë mundësi më shumë) dhe për të legjitimuar copëzimin e shoqërisë sipas shtresave dhe sipas vuajtjeve.  Ekziston një parim tashmë i konsoliduar në vendet e zhvilluara, ai i përgjegjësisë sociale të ndërmarrjeve.  Tashmë sipërmarrjet janë ndërgjegjësuar se nuk mund të kenë të ardhura konstante nëse shikojnë vetëm interesin e tyre dhe jo atë të ambjentit që i rrethon.  Nuk mund të ketë rritje ekonomike dhe kësisoj nuk mund të ketë as më shumë të ardhura nëse sipërmarrjet nuk marrin pjesë në rimëkëmbjen e vendit.  Nuk duam të drejtojmë gishtin nga sipërmarrjet private, duam thjesht të vëmë në dukje se shteti duhet të japë sinjalin, duke i detyruar ato të jenë pjesë e shoqërisë ku jetojnë, duke kontribuar më shumë në të mirën e përbashkët.  Taksa progresive i përgjigjet kësaj kërkese.

Dhe së fundi shteti po gërryen veten.  Duke marrë borxhe pafund për t’i kthyer vetëm në rritje pagash dhe pensionesh dhe duke mos patur asnjë sektor të qenësishëm nga ku mund të sigurohen hyrje për buxhetin e shtetit, do të përfundojmë në falimentin si Argjentina.  Rreziku nuk është hipotetik.

Këto shqetësime, më shumë se krahu aktual politik që qeveris Shqipërinë, duhet t’i ketë krahu tjetër që aspiron të marrë drejtimin e vendit.  Nëse duhet bërë një dallim me të kaluarën dhe nëse duhet një rilindje kombëtare, kjo kalon, në stadin aktual, nëpërmjet një rimëkëmbjeje të fortë të shtetit.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *