Republikë pa President

E mirëpritëm këtë qëndresë të parë, edhe pse ishim të zhgënjyer që erdhi kaq e vonuar. Shumë drama përjetoi ky vend dhe nuk e ndjeu kurrë praninë e institucionit të Presidentit, i cili është vërtet mbi palët, por pikërisht për këtë duhet të jetë më prezent dhe më i vendosur, sidomos kur i duhet të dalë mbi palën Kryeministër që në Shqipëri nuk është pak, sepse quhet Berisha.

Presidenti i Republikës së Italisë Napolitano, nuk ka më shumë kompetenca se presidenti ynë. Edhe ai zgjidhet me 50% plus një të votave në parlament. Por në momentet e vështira që po përjeton vendi fqinj kohët e fundit, ai ka ditur të dalë gjithmonë mbi palët dhe ka marrë vendime të rëndësishme. Në një sistem demokratik ku në pushtet qëndron shumica dhe vendimet merren jo rrallë herë pa konsensus, të qëndrosh mbi palët, shpesh do të thotë të dalësh kundër Kryeministrit dhe ligjeve që kalon mazhoranca me shumice të thjeshtë, dhe pikërisht këtë ka bërë Napolitano, duke i rikthyer disa prej tyre në parlament, apo duke dalë hapur kundër qëndrimeve antikushtetuese të një mazhorance tepër të fortë.

Ndërsa në Shqipëri, gjatë këtyre pesë viteve kemi shënuar vetëm një rast kur Presidenti Topi ka dalë hapur kundër Qeverisë, pikërisht ligji i famshëm dhe i mbrapshtë për importin e plehrave. Dhe tek ne nuk kanë munguar miratimet e ligjeve antikushtetuese, nuk kanë munguar qëndrimet ekstreme në të dyja kahet politike mazhorancë dhe opozitë, te ne nuk kanë munguar as revoltat masive nëpër rrugë, as kontestimet e zgjedhjeve, as deformimet e tyre dhe as vjedhjet e tyre. Shqipërisë nuk i kanë munguar dështimet e një pas njëshme, si për shembull ngelja në klasë për të dytën herë rresht siç nuk i ka ndodhur asnjë vendi tjetër që paraqet kandidaturën për anëtarësim në BE. As dramat nuk kanë munguar dhe nuk është e tepërt që ti përsërisim e ti ri-përsërisim deri në fund, deri sa të ketë një fije drejtësi; Shpërthimi në Gërdec që shkaktoi 26 viktima e qindra të plagosur dhe krimi shtetëror, sy ndër sy, përballë kamerave të shumta, në dritën e diellit në 21 Janar. Në Shqipëri nuk kanë munguar as rastet e vrasjeve misterioze të deputetëve, politikanëve dhe gjyqtarëve…

A ka mbetur ndonjë gjë pa ndodhur në Shqipëri për të na bërë të gjithëve indiferentë dhe Presidentin menefregist?! Terren për të dalë hapur dhe qartë kundër padrejtësisë dhe kundër abuzimit me pushtetin ka pasur dhe ka plot. Për të qenë kreu i shtetit dhe President i një vendi nevojitet mbi të gjitha të jesh prezent dhe jo i fshehur, në krye dhe jo në mes të fushës.

Deklarata e Bamirit nga Pogradeci nëpërmjet së cilës na deklaroi ne shqiptarëve, publikisht, se është lojtar i mesfushës, na shkakton një buzëqeshje pasi na kujton se Presidentin e kemi tifoz, çun lagjeje me balluke, që edhe ndonjë lotari e hedh kur bie rasti, pikërisht ashtu si është pjesa dërrmuese e rinisë shqiptare  dhe ashtu si nuk duhet të jetë për të pasur një vend të lirë dhe të drejtë. Por akoma më shumë kjo deklaratë na le një zhgënjim të thellë. Për një çast i harruam të gjitha çfarë lamë pas gjatë këtyre viteve të pafundme tranzicion, dhe menduam që të paktën u bëmë me President. Edhe pse i kujtuam Bamirit që ishte disi vonë, sërish e përkrahëm sepse nuk është asnjëherë tepër vonë. E përkrahëm sepse jemi optimistë të pashërueshëm dhe sepse besojmë që gjërat mund të bëhen në vendin tonë, ka ende mundësi. Por Bamiri me deklaratën ironike nga Pogradeci, na e tha copë të gjithëve, që përveçse oportunizëm politik, në shërbim të ndonjë fete pushtet në zgjedhjet e 2013-ës, nuk kemi për të parë gjë tjetër prej tij. Të rrimë të qetë se institucioni i Presidentit nuk ka ekzistuar dhe nuk ka gjasa të ringjallet në vazhdim. Madje si çun i mirë lagjeje me balluke, Presidenti zgjodhi të luajë në mesfushë. Aty ku nuk i hyn në punë asnjërës  prej partive por aq më pak i shërben qytetarëve. Jemi dakord me neutralitetin e nevojshëm të institucionit të Presidentit por jo në këto kushte dhe me çdo kusht. Që të fitojë i miri kundrejt të keqit ka nevojë për ndihmën dhe pozicionimin e asnjanësit.

Përballë një krize të rëndë ekonomike Napolitano, Presidenti i Republikës fqinje, mori në dorë pushtetin dhe ia delegoi atë një kryeministri të ri, të cilin jo pa të drejtë e quajnë Kryeministri i Presidentit.

Përballë një krize politike, ekonomike, sociale, institucionale dhe morale Topi, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka vendosur të qëndrojë në mes dhe të mos bëjë asgjë. Rroftë Republika!

Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *