Republika shqiptare e rrënojave

Nisur nga këto tre fakte, e kemi të vështirë tashmë të vendosim prioritetet e qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi: rendi, ruajtja e integritetit të institucioneve kushtetuese apo vlerësimi i historisë së kombit.  Të treja kanë rëndësinë e tyre, por simbolikisht ajo që i hap rrugë dy të parave është rrënimi me dashje të thellë dhe të karakterizuar të historisë së kombit dhe mishërimit të saj.

Historia e vilës së rrënuar, nga e cila Kryebashkiaku i Korçës, megjithë arsyen dhe forcën e dëshpërimit, po fliste para ekraneve të televizorëve dhe mospërflilljes së kalimtarëve korçarë, mund të duket normale, e rrallë, akt tradhtie ose zgjuarsie, por qëndron fakti që asokohe kishte patriotë të cilët mendonin të shpëtonin Shqipërinë nga rrënimi duke përdorur të gjitha mënyrat e mundshme, brenda kuadrit të vështirë të Luftës së Parë Botërore.  Me pak fjalë, ajo është më shumë se një histori e thjeshtë.

Në 1916 Korça ishte nën hyqmin e lakmive italiane dhe greke.  Nëpërmjet lojrave të aleancave qeveria greke kishte vendosur të qëndronte në krah të fuqive të aksit, me në krye Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, ndërkohë që një udhëheqje pro anglo-franceze me në krye Venizellosin po përgatitej në Selanik.  Në përpjekje për të joshur palët, shtetet kryesore ndërluftuese filluan të propozonin copëzime të territorit shqiptar dhe kjo ndodhi edhe me Korçën, e lakmuar nga italianët dhe grekët.  Si mollë sherri e përjetshme, Shqipëria ishte ndarë asokohe dhe për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së pazgjidhur të Korçës u ftuan forcat franceze, si më neutrale që të kontrollonin këtë zonë.

Historia më vonë dihet ose u mor vesh këto ditë.  Falë ndërhyrjes energjike të Themistokli Gërmenjit dhe Sali Butkës u arrit që në 10 dhjetor 1916 të ngrihej Flamuri në Korçë, të shpallej Krahina Autonome e Korçës dhe të lulëzonte nën një paqe relative të siguruar nga shqiptarë, shkollat dhe institucione shqipe.  Duke njohur Themistokli Gërmenjin, jetën e tij, e kemi shumë të lehtë të kuptojmë se aty për herë të parë ndoshta iu dha hov një shteti të mirëfilltë shqiptar.  Dhe për këtë arsye dhe për të tjera, nuk e kuptojmë përse figura e tij është lënë mënjanë në 100 Vjetorin e Pavarësisë.

Edhe sikur në atë shtëpi të mos ishte ngritur flamuri shqiptar, po ai grek, italian, ose turk, ajo do të hynte, me të mirat dhe të këqijat e saj në Histori dhe duhej të mbrohej.  Një gjë e tillë është thënë 100 herë.  Historia, e ligë apo e mirë, e dhimbshme apo e suksesshme, duhet ruajtur se përndryshe katandisemi në një komb pa identitet, të gatshëm të valëvisim vetëm flamurin kombëtar, në mungesë të gjërave më konkrete që na bëjnë të ndihemi shqiptarë.

Ne kemi të gjitha arsyet e botës për të qënë krenarë për çdo pëllëmbë territor dhe çdo ngjarje që përshkon historinë tonë.  Por ne kemi të gjitha arsyet e botës që të shqetësohemi për mënyrën si po e trajtojmë vendin tonë.  Pyjet që po marrin flakë, parqet kombëtare që po digjen (thuhet se druri i djegur i shërben më mirë mobilerive…), shkatërrimi i pasurisë kulturore, gërryerja e aspiratave për të jetuar si evropianë në këtë vendin tonë që gjendet në Evropë, vrasjet e përditshme dhe përçudnimet e përhershme të njerëzve të thjeshtë, të cilat janë pasojë dhe vënie në praktikë e shkatërrimit të simboleve që na identifikojnë.  Një maqedonas mburret se Pjetër Bogdani ka lindur në një fshat që sot gjendet në shtetin më të sajuar të botës, atë maqedonas, madje i ngre dhe përmendore, ndërkohë ne maskohemi prapa një Flamuri në çdo fund ndeshjeje të Kombëtares, aq sa po e bezdisim dhe atë të bekuar nga fëlliqësia e atyre duarve që e ngrejnë atë ditën me krenari dhe shkatërrojnë natën ato që ai simbolizon në emër të përfitimit të tyre personal.

Kjo është Shqipëria sot. 

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *