Republika e misterit (Koreja e Veriut)

Pas një periudhe qetësie tërheq vëmendjen sërish Koreja e Veriut. Republika Demokratike Popullore e Koresë është një shtet hermetik, asnjë lajm nuk hyn dhe nuk del përtej kufijve, si rrjedhojë çdo ngjarje që i përket përshkohet nga mister.Për shembull gjatë njëzetvjeçarit të fundit të rralla kanë qënë lajmet nga Pyongyangu: vdekja e “Liderit të Madh” Kim Il-Sung në 1994-ën, dy shpërthime bërthamore në 2002-shin dhe në 2009-ën dhe së fundi fundosja e anijes luftarake koreano-jugore në prill të 2010-ës. Përveç rasteve të sapo përmendura asgjë nuk pipëtin dhe askush nuk ka akses informacioni në lidhje me Korenë e Veriut. Flitet që vendi ka kaluar disa herë kriza humanitare, me dhjetra mijëra viktima, por çdo lajm mbetet në nivel hipotezash. Të njohura janë gjithashtu edhe sanksionet e vendosura nga Kombet e Bashkuara.

Veçantia e zhvillimeve të fundit qëndron në faktin se papritmas ka një lumë informacionesh që mbërijnë nga Pyongyangu dhe një mbulim të gjerë mediatik. Mbledhja e Kongresit të Partisë pas 45 vjetësh u transmetua ne disa media jashtë kufijve koreano-veriorë. Një jehonë akoma më të madhe pati parada ushtarake spektakolare për 65 vjetorin e Partisë ku për herë të parë u shfaq në publik (të paktën në atë të botës së jashtme) Kim Jong-Un, djali i “Liderit të Shtrenjtë” Kim Jong-Il i cili drejton me grusht të hekurt Republikën e Koresë së Veriut . Pikërisht këtu duket se qëndron shkaku i hapjes së papritur mediatike. Trashëgimi i pushtetit nga ati tek biri! Kim Jong-Il nuk gëzon shëndet të mirë prej disa vjetësh dhe në këtë mënyrë po përgatit terrenin për lënien e pushtetit (të cilin edhe ai vetë pati trashëguar nga i ati, “Lideri i Madh” Kim Il-Sung) në duart e të birit Kim Jong-Un. Aq pak dihet mbi jetën dhe zhvillimet në Republiken Popullore të Koresë saqë edhe mosha e liderit të ardhshëm nuk njihet. Mendohet që nuk i ka mbushur të tridhjetat.


Një zhvillim tjetër që habit jo pak është ndërtimi i një kishe Ortodokse madhështore. Le të kujtojmë faktin që Koreja e Veriut nuk ka një popullsi ortodokse, madje popullsia koreano veriore indoktrinohet nga një ideologji e cila është një miks midis bestytnisë dhe Marksizmit ku figurat liderëve të kombit janë të veshura nga një aureolë hyjnore; edhe ndonjë biznesmen rus që ka pak mundësi t’i bjerë rruga në Pyongyang vështirë se do ndalej në lutje apo në ndjekje ritesh fetare. Edhe pse në dukje qesharake ndërtimi i një kishe ortodokse ka për qëllim të rilidhë marëdhëniet me Rusinë e carit Putin. Mardhënie të cilat kanë qenë të mira gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik, por qe u ndërprenë plotësisht gjatë periudhës së Gorbaçovit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Të mos harrojmë që udhëtim i parë si president i rusisë i Vladimir Putin-it ishte pikërisht në Pyongyang. Shenjë e interesit reciprok për të rilidhur mardhëniet diplomatike. Edhe në negociatat me Korenë e Veriut për të ndalur prodhimin e armëve bërthamore, është rusia Putiniane ajo që ka marrë rolin e moderatorit. Arsye mëse e vlefshme pra (afrimi me aleatin e vjetër), për të ndërtuar një kishë ortodokse në dukje qesharake.

Nuk dihet ende çfarë formimi ka i riu Kim Jong-Un, çfarë influence mund të ketë midis gjeneralëve dhe në strukturat e partisë. Rrjedhimisht shtete si Japonia apo Koreja e Jugut, do të vazhdojnë të ndjehen të kërcënuara nga Pyongyangu dhe zhvillimi i programit bërthamor korean.
Pavarësisht nga hapja e vogël mediadike e kohevë të fundit, është e sigurt që Koreja e Veriut dhe ngjarjet që zhvillohen rreth saj do të jenë në krye të agjendës diplomatike ndërkombëtare dhe kurdoherë të mbështjella nga misteri që mbështjell gjithë historinë e gjysmëshekullit të fundit të Republikës hermetike koreano veriore.
                                                                                                                                                      Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *