Rendje e përjetshme pas budallait

Si mund të shpjegohen këto mbledhje qeverie pas 23 qershorit, ku merren vendime të rëndësishme që nuk kanë të bëjnë me administrimin e mirë të Shqipërisë derisa të marrë stafetën qeveria e dalë nga Parlamenti i 23 qershorit? Si mund të shpjegojmë një turavrap drejt dhënies së lejeve që kanë rëndësi strategjike ekonomike dhe kurrfarë lidhjeje me administrimin normal të punëve të një qeverie në ikje? Pse legenizmi berishian nuk gjen asnjë përgjigje ligjore të mundshme, të qartë dhe që të ndalojë këtë sjellje harbute? Përse legenizmi berishian duhet të triumfojë patjetër, edhe në ikje?

Sepse politika, në sensin e saj më të gjerë, përfshi dhe kuptimin më bastard të saj, nuk i bindet domosdoshmërisht marrëdhënieve normative ligjore apo kushtetuese. Politika është dhe marrëdhënie shoqërore e diktuar nga arsyeja. Por duhet të kesh arsye dhe të kuptosh thirrjen që të ka lëshuar në pipëz të veshit inati popullor, për të vepruar në mënyrë të arsyeshme. Besoj se 22 vjet më pas, nuk duhet të ushqejmë asnjë shpresë se Sali Berisha di të veprojë në mënyrë të tillë. Fatkeqësisht, në këtë rast ka shumë pak mundësi kushtetuese që ai të frenohet në këtë rendje pas çmendurisë së vet, e cila ka treguar se i paraprin ekzistencës së tij.

Kushtetuta parashikon se Kuvendi mblidhet vetëm në dy sesione vjetore: i pari mblidhet të hënën e tretë të janarit dhe i dyti të hënën e parë të shtatorit. Kushtetuta parashikon dhe sesione të jashtëzakonshme, të cilat për nga vetë emërtimi, kërkohen për raste të jashtëzakonshme, siç ishte për shembull rasti i jashtëzakonshëm, por jo më pak absurd, i votimit të dy ligjeve dhe rregullores së re të Kuvendit. Mandatimi i qeverisë së re kurrsesi nuk duhet të jetë një shkak për thirrjen e një sesioni të jashtëzakonshëm. Një sesion i tillë mund të kërkohet për shembull për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, se një shtet pa kreun e tij është një situatë e jashtëzakonshme që duhet zgjidhur jashtëzakonisht. Por jo për qeverinë.

Edhe sikur Bujar Nishani të ndërmerrte një nismë të tillë, pra të kapej nga një shpërthim anti Sali i çastit dhe të kërkonte mbledhjen e sesionit të jashtëzakonshëm, sepse Kushtetuta ia mundëson Presidentit të Republikës një prerogativë të tillë, ai nuk duhet ta bëjë për një arsye shumë të fortë: nuk mund të mandatohet një qeveri e re, e cila duhet të paraqesë programin e saj, reformat që ajo kërkon të bëjë, të cilat do kërkojnë domosdoshmërisht një kontroll nga pushteti ligjvënës që në fillim. Dhe nuk do të mund të tolerohej një qeveri që do të rrinte në ajër pa Kuvendin, i cili do e mbikqyrte dhe do t’i jepte armët e nevojshme të bërjes së reformave. Është pikërisht ky parim që po shkelet nga qeveria në ikje e Berishës. E vetmja zgjidhje radikale e kësaj situate nëpërkëmbjeje përfundimtare, që nuk po merr fund, është mbajtja e premtimit nga qeveria e re, se çdo vendim që shkon përtej administrimit normal të punëve të vendit, do të anullohet me çdo çmim, duke marrë parasysh dhe dëmshpërblimin e palëve të treta, të cilat banditeske ose jo, do të vendosen në pozitën e dëmeve që do u bëhen bizneseve të tyre të pavlera për vendin. Ka një kosto, por duhet bërë sepse nuk krijohet një shtet, siç po propagandohet, pa një kosto minimale. Do të shikojmë në shtator…

Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *