Referendumi në Shqipëri

Referendumi është konsultimi i zgjedhësve për një cështje ose për një tekst , i cili do të bëhet përfundimtar kur ata të kenë dhënë një përgjigje pozitive. Mund të bëhet fjalë për një tekst ligjor ose kushtetues. Referendumi mund të jetë detyrues ose fakultativ.

Në rastin e Kushtetutës shqiptare, referendumi është lënë në iniciativë të zgjedhësve, nëpërmjet nënshkrimit të një liste e përbërë nga 50,000 zgjedhës minimalisht, për shfuqizimin e një ligji ose për cështje të rëndësie të vecantë. Për sa i përket referendumit për shfuqizimin e një ligji të vecantë, presupozohet se ky ligj ka hyrë në fuqi dhe i ka krijuar efektet e tij. Ky ligj do të shfuqizohet pasi, me anë të referendumit, zgjedhësit do të kenë vendosur një gjë të tillë. Në këtë kuptim, mund të themi që një iniciativë popullore për të kundërshtuar me referendum sistemin zgjedhor mund të jetë i parashikueshëm.

Gjithashtu iniciativa për referendum i përket edhe Këshillit të Ministrave dhe jo më pak se 1/5 së deputetëve për cështje të rëndësie të vecantë. Kuvendi do të vendosë nëse do të kalohet në referendum ose jo.

Vendimi si i zgjedhësve ashtu dhe i Kuvendit për të kaluar në referendum do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, në bazë të neni 131 të Kushtetutës. Ky kontroll ka shumë rëndësi pasi ekzistojnë disa pengesa të parashikuara në nenin 151 të Kushtetutës për të cilat nuk mund të kryhet referendum. Këto janë cështje që kanë të bëjnë me kufizimin e të drejtave të njeriut, me buxhetin, taksat dhe detyrimet dhe me amnistinë. Kjo shpjegohet me dëshirën për të evituar referendumet e iniciuara më tepër nga pasioni popullor sesa nga arsyeja, të cilat mund të cojnë në rezultate anti demokratike. Gjithashtu, togfjalëshi “cështje të një rëndësie të vëcantë” duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese pasi është një term shumë i përgjithshëm me të cilin mund të abuzohet.

Kuvendi mund të vendosë që një marrëveshje ndërkombëtare të ratifkohet me referendum. Ideja është që nëse një marrëveshje e tillë nuk bën unanimitet brenda një force politike që ka pushtetin, ajo thërret popullin për të zgjidhur këtë dilemë të saj. Gjithashtu, Kushtetuta njeh dhe referendumet lokale, pra referendumet që zhvillohen nga pushtetet vendore.

Së fundmi duhet thënë se zgjedhësit nuk kanë të drejtën e iniciativës për të amenduar Kushtetutën. Në këtë kuptim, iniciativa për të kundërshtuar ligjin mbi Kodin Zgjedhor do të ishte një veprim i paefektshëm pasi sistemi zgjedhor , kuintesenca e Kodit, është shënuar në Kushtetutë. Një iniciativë e tillë i përket vetëm Kuvendit. Kuvendi nuk ka detyrimin që projektamendamentet kushtetuese t’i cojë për votim me anë të referendumit. 3/5 e anëtarëve të Parlamentit mjaftojnë për të bërë ndryshime të tilla. I përket oportunitetit politik të momentit dhe dëshirës për të njohur mendimin e sovranit (popullit) për të vendosur nëse një amendament do të votohet me anë referendumi.

 olti spiro

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *