Pushteti i hipokrizisë

Ndodhemi para një situate bllokimi, të cilin nuk mund ta zgjidh asnjë organ, përveç organeve të qeverisjes vendore që në këtë rast është vet Këshilli Bashkiak. Pra, të kalohet në një votim tjetër. Megjithatë, situate politike është e tillë që ky Buxhet do të mbetet peng i këtyre lojërave politike dhe me siguri nuk do të votohet. Atëherë çfarë parashikon në këtë rast Ligji për qeverisjen vendore? Parashikon se nëse buxheti nuk votohet brenda një afati prej tre muajsh që nga prej datës 31 dhjetor 2008, Këshilli i Ministrave shpërndan Këshillin Bashkiak, dhe në këtë rast do të ketë zgjedhje të reja për Këshillin Bashkiak.

Përtej pallavrave sipas të cilave Këshilli Bashkiak mund të kërkojë kokën e Kryetarit të Bashkisë, të cilat nuk kanë asnjë bazë, duhet thënë se rivotimi për këshilltarët bashkiakë është i bazuar, pasi votimi i buxhetit është momenti më i rëndësishëm i një entiteti publik, dhe nëse nuk bihet dakord për të, atëherë i takon popullit të shprehet nëse i jep besimin forcës politike që ka një vision të caktuar për Bashkinë (pro buxhetit), ose forcave të tjera që kanë një vizion tjetër.

   Megjithatë, nuk është këtu thelbi. Thelbi qëndron te qëllimi i kësaj maskarade në këtë vit elektoral, në provokimin e një situate të tillë që Kryetari i Bashkisë të vihet në pozita sa më të dobëta, që nëse nuk jep dorëheqjen, të paktën të vuajë deri në fund të mandatit me një këshill bashkiak që do t’i qëndrojë në opozitë. Jemi brenda lojërave politike, deri diku mund të qëndrojë. Por, shprehim perpleksitetin tonë në lidhje me aventura të tilla kur dëgjojmë batuta e kryeministrit në lidhje me këtë çështje. Dhe kjo është më e dhimbshmja e kësaj situate.

   Rikthehemi te kryeministri dhe te mbledhja e tij e djeshme e qeverisë. Në një moment të caktuar , ai shpreh atë që nuk e beson askush, fjalinë: “të ndodhesha në këtë situatë (sh. në situatën e Kryetarit të Bashkisë), të gjithë e dinë se ç’do bëja, do të kisha dhënë dorëheqjen…” Pra, Kryeministri nëpërmjet këtij leksioni humiliteti të pashoq tregoi qartë dhe bukur se si e koncepton ai komunikimin me njerëzit. Për të, në mos dele, njerëzit janë qenie mendjeshkurtra që nuk kujtohen se nën presionin më esktrem, nën situatën kur më shumë se kurrë Kryeministri atëherë President, jo vetëm që nuk dha dorëheqjen po e mendoi më të udhës të rikonfirmonte veten nën zhurmën e armëve.

   Mund të kemi shumë vërejtje ndaj klasës politike shqiptare, po ama nuk mund ta shajmë në një aspekt, në çiltërsinë në thënien e gënjeshtrës. Por kjo ka një arsye, dhe është e thjeshtë: mungesa e reagimit shoqëror ndaj gënjeshtrës sy më sy që bëjnë liderat tanë. Kjo situatë do të vazhdojë për sa kohë nuk ka një reagim të mirëfilltë që t’i vërë këta njerëz me shpatulla për muri. Nuk duhet të pretendojmë që t’i kthejmë këta njerëz në qenie të kulluara, është e pamundur dhe deri diku është më mirë kështu. Por duhet bërë e qartë për tad he për gjithkënd se në rastin më të parë që popullit do t’i jepet mundësia për t’u shprehur, ata të sanksionohen, në mënyrë që të kuptohet se koha e papërgjegjshmërisë politike të gjithanshme ka marrë fund.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *