Problemi i kompanive multinacionale

prodhimi nga Monsanto (firmë agrobiznesi) i farave që shndërroheshin në bimë, farat e të cilave nuk mund të rimbilleshin, gjë që detyronte bujqit që të blinin çdo vit fara të reja; ndotja katastrofike e naftëmbajtëses Valdez në 1989 (rreth 38,000 T naftë u derdhën afër brigjeve të Alaskës) dhe manovrat e kompanisë së naftës Exxon për të mos paguar asnjë dëmshpërblim.

Në sytë e shumëkujt, kompanitë multinacionale simbolizojnë atë çka nuk funksionon nga globalizimi. Këto kompani janë më të pasura se shumë vende në zhvillim. Në 2004, General Motors kishte siguruar rreth 191 miliardë dollarë të ardhura; kjo shumë ishte më e madhe se Prodhimi i Brendshëm Bruto i më shumë se 148 shteteve. Në 2005 Wal-Mart kishte siguruar rreth 285 miliardë dolllarë të ardhura, shumë gati e barabartë me PBB-në e Afrikës subsahariane. Këto kompani nuk janë vetëm të pasura, por janë edhe politikisht të fuqishme. Nëse shtetet vendosin që të zbatojnë ndaj tyre politika fiskale të forta ose politika që nuk u pëlqejnë, ato kërcënojnë se do të largohen. Në fund të fundit, do të dalë gjithnjë një shtet tjetër, i gatshëm të pranojnë investimet e tyre, kërkesat e tyre dhe t’u zbatojë politika fiskale mjaft të favorshme.

Qëllimi kryesor i ndërmarrjeve është fitimi: akumulimi sa më i madh i parasë është prioriteti i tyre kryesor. Çelësi i mbijetesës së tyre është ulja e kostove me çdo mënyrë, madje duke vajtur dhe në kufijtë e ligjshmërisë. Kur ato e gjejnë mundësinë, nuk paguajnë taksa fare; disa hezitojnë të paguajnë sigurimin shëndetësor për punonjësit e tyre; shumë prej tyre kufizojnë në maksimum shpenzimet për pastrimin e ndotjeve që ato krijojnë nga aktiviteti i tyre ekonomik. Madje ndodh shpesh që në vendet ku ato operojnë, janë shtetet me strukturat e tyre që duhet të kryejnë pastrimet.

Meqenëse ndërmarrjet janë në qendër të globalizimit, ato do të jenë në mënyrë të pashmangshme objekt i kritikave tona, por edhe i pranimit të sukseseve të padisktueshme. Por ne nuk pyesim veten nëse globalizimi është i mirë apo i keq në vetvete, ne duhet të kërkojmë ta ristrukturojmë atë në mënyrë që të funksionojë më mirë. Problemi i ndërmarrjeve shtrohet njësoj: çfarë mund të bëjmë për të ulur maksimalisht dëmet dhe njëkohësisht të rrisim maksimalisht kontributin neto të tyre ndaj shoqërisë njerëzore?

Shkenca ekonomike moderne ka treguar se edhe nëse ndërmarrjet rrisin fitimet, mirëqënia sociale nuk njeh asnjë përmirësim. Në mënyrë që ekonomia të jetë tërësisht e efektshme duhet që ndërmarrjet të marrin në mënyrë të detyrueshme në konsideratë impaktin e veprimeve të tyre mbi punonjësit, mjedisin dhe lokalitetet ku ato kryejnë aktivitetin. Mjedisi është treguesi më i qartë i divergjencës katastrofike midis interesit privat dhe atij publik. Ndërmarrjeve u shkon më shtrenjtë të prodhojnë energji nga burime të rinovueshme, u kushton më shtrenjtë të zhdukin mbetjet ose të menaxhojnë një minierë ku përdoren mjete që nuk ndotin ujin. Këto ndotje janë në fakt kosto mjedisore të pariparueshme dhe reale për shoqërinë, por – të paktën deri në momentin kur u vendosën rregulla publike të forta – ato nuk përbënin aspak një kosto për ndërmarrjen. Pa rregullime ligjore dhe pa trysninë e shoqërisë civile, ndërmarrjet nuk kanë asnjë interes që të mbrojnë mjaftueshmërisht mjedisin. Përkundrazi, ato janë të shtyra ta shkatërrojnë atë, nëse një gjë e tillë u krijon mundësi që të kursejnë sa më shumë para. (vijon…)

Marrë nga libri “Një botë tjetër, larg fanatizmt të tregut” të Joseph Stiglitz.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *