Problemi i kompanive multinacionale (Pjesa e II)

Nëse njëri prej tyre kryen një faj të rëndë – për shembull të marrim rastin e një zyre ekspertësh kontabël, nëse njëri prej tyre çertifikon llogaritë e një shoqërie në një kohë kur nuk duhet ta bënte një gjë të tillë (në fakt, këtë gjë bëri Arthur Andersen në rastin e Enronit) – të gjithë në parim, mund të përndiqen dhe të humbasin jo vetëm invstimet e tyre në partneritet, por gjithashtu dhe pasuritë vetjake, shtëpitë, makinën etj, gjë që i detyron ata të shpallin gjendjen e falimentit personal.

Avantazhi teorik i partneritetit me përgjegjësië të pakufizuar është se çdo partner ka një shtysë të fortë që të kontrollojë tjetrin dhe, klientët, që  e dinë një gjë të tillë, kanë më shumë besim.  Por nëse ka qindra partnerë, është shumë e vështirë që të kontrollojnë njëri-tjetrin dhe aspektet negative të partneritetit të kufizuar fitojnë terren në raport me aspektet pozitive.

 

Përgjegjësia e kufizuar nga një avantazh të madh: ajo lejon marrjen hua të kapitaleve të shumta, pasi çdo investitor e di që, në rastin më të keq, nuk do të humbasë kurrë më shumë se investimi i tij.  Por një mekanizëm i tillë mund të ketë pasoja shumë të rënda për mjedisin dhe njeriun.  Një kompani minerare mund të zbulojë ar, të sjellë fitime të konsiderueshme aksionerëve të saj dhe të lërë prapa mbetje të rrezikshme toksike të tejmbushura me arsenik.  Si nga pikëpamja financiare ashtu dhe njerëzore, kostoja e pastrimit mund të tejkalojë vlerën e arit të zbuluar.  Por kur konstatohet problemi dhe shteti kërkon rikthimin në gjendjen e mëparshme, kompania minerare shpallet në falimentim dhe ia lë në derë problemin autoriteteve publike.  Popullsia do të vuajë dyfish: për shkak të ndotjes dhe për shkak të kostos së pastrimit që do të rëndojë mbi të.

Lista e kompanive që kanë shkaktuar dëme kolosale kundër popullsive, në mënyrë të veçantë ato të vendeve në zhvillim, është e gjatë.  Dëme për të cilat ato ose nuk kanë paguar ose kanë paguar një pjesë mjaft të vogël.  Incidenti i rëndë në uzinën Union Carbide në Bhopal (Indi) është shembulli më spektaktolar: më shumë se 20,000 të vdekur  dhe mbi 100,000 persona të prekur për tërë jetën me probleme shëndetësore si probleme respiratore, të shikimit, sëmundje neurologjike, neuromusukulare dhe dobësim të sistemit imunitar.  Personat që përftuan dëmshpërblim ishin rreth 600,000.  Megjithatë, ndryshimi midis dëmit të tmerrshëm të shkaktuar dhe shumës që kompania derdhi për të dëmtuarit ishtë fyes: bëhet fjalë për 500 dollarë për person, gjë që nuk i ndihmon dot ata që të rifillojnë në kushte normale jetën e tyre nga fillimi.  Në ditët e sotme, një kompani tjetër bleu tërësinë e aseteve të uzinës në Bhopal, por nuk mori përsipër asnjë prej borxheve të saj.

Në Papuazi-Guineja e Re, një minierë e madhe ari hodhi në dy lumenj në afërsi rreth 80,000 T materiale të kontaminuara.  Kompania e bëri një gjë të tillë për gati gjashtë vjet, pasi nxori rreth 6 miliardë dollarë minerale.  Pasi miniera u zbraz, aksionerët e kompanisë, shumica australianë, pranuan se kishin nënvlerësuar impaktin mbi mjedisin dhe mbi bazën e këtij konstatimi, krrisën e ikën duke ia lënë përgjegjësinë e pastrimit tërësisht në dorë shtetit, ose thënë shkoqur, popullsisë së vendit.

Përveç mekanizmit të përgjegjësisë së kufizuar duhet të shtojmë se pesha e vendeve në zhvillim është e pakrahasueshme me atë të kompanive multinacionale dhe rrjedhimisht shohim të përvijohet një skenar tepër të rrezikshëm për popullsitë e atyre vendeve dhe për mjedisin ku ata jetojnë.  Vendet në zhvillim kanë së tepërmi nevojë për punën që ofrojnë këto kompani edhe pse mjedisi si shoqëror ashtu dhe natyror do të vuajnë pasojat për vite me radhë.  Kompanitë ndërkombëtare e shfrytëzojnë këtë dobësi në favor të tyre.  Kështu, në Tajlandë dhe në Peru, shoqëri ndërkombëtare kërcënuan se do të largoheshin prej andej nëse atyre do u imponoheshin rregulla mjedisore të rrepta.  Në rastin e Perusë, një kompani minerare ushtroi presion mbi shtetin që fëmijët që jetonin afër zonës minerare të mos i nënshtroheshin asnjë ekzaminimi mjekësor që kishte si qëllim të përcaktonte nëse ata ishin të ekspozuara ndaj rreziqeve sanitare.  Globalizimi zmadhoi problemin e vendosjes së kompanive të huaja në vendet në zhvillim.  Konkurrenca ndërmjet këtyre vendeve me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja provokon një nivelim nga poshtë të masave mbrojtëse për mjedisin dhe për popullsitë lokale, pasi kompanitë do të turren drejt atyre vendeve që ofrojnë sa më pak detyrime ligjore.

Në vendet e tyre, ndërmarrjet, të cilat janë pjesë përbërëse e indit shoqëror, kanë një përgjegjësi morale lidhur me aktet e tyre.  Ato bëjnë atë që duhet bërë edhe nëse nuk ua kërkon në mënyrë specifike ligji edhe pse kjo ka si pasojë një ulje të normës së tyre të fitimit.  Por kur grupet multinacionale veprojnë jashtë kufijve të vendeve të tyre, përgjegjësia e tyre morale pothuajse shumëzohet me zero.  Drejtuesit e tyre me siguri pohojnë se ligjet e vendeve në zhvillim janë më pak kërkuese, administratat e tyre është e paaftë, se njerëzit që punojnë në kompanitë e huaja janë me fat që ta paktën e kanë gjetur një punë dhe se vendi në fund të fundit përfiton nga investimet e tyre.  Të shkatërrosh ambjentin dhe të shkelësh me të dyja këmbët kushtet e punës është shumë herë më e lehtë mijëra kilometra larg selisë kryesore të kompanisë dhe, meqënëse popullsia është e varfër, kompanitë e kanë më të lehtë për të arritur në përfundimin se jeta dhe toka vlejnë shumë herë më pak aty sesa në vendet e tyre.

Kompanitë multinacionale shprehen se i takon shtetit që të bëjë të mundur vendosjen e ekuilibrit midis interesit publik dhe interesit privat.  Megjithatë, ato harrojnë të shtojnë se ofrojnë në mënyrë të rregult shuma të konsiderueshme parash pikërisht për të prishur këtë ekuilibër duke ushtruar një presion të jashtëzakonshëm që shtetet të mos votojnë ligje që pengojnë veprimtarinë e tyre ekonomike.  Ato investojnë jo vetëm duke korruptuar politikanë në pozita vendimmarrëse, por edhe duke përmbysur një kastë udhëheqësish për të vendosur në pushtet një tjetër që të mundësojnë një veprimtari sa më të lirë ekonomike për këto kompani.

Joseph Stiglitz – Një botë tjetër, kundër fanatizmit të tregut

Përkthyer nga Oltion Spiro

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *