Politikë antikombëtare

Shkurt 1999, vendet aleate të mbledhura në Rambuje, Francë nënshkruajnë një marrëveshje me qëllim pushimin e luftës në Kosovë dhe largimin e trupave serbe nga territori, marrëveshje e cila pranohet të firmoset nga të gjitha palët, vendet e grupit të kontaktit dhe pala kosovare  por jo nga Jugosllavia e Millosheviçit.  Mosfirmosja nga pala jugosllave ishte prelud i bombardimeve të NATO-s dhe pavarësisë së Kosovës. Ai ishte i vetmi zë jashtë korit të kombit shqiptar së bashku me Adem Demaçin. Në një konferencë për shtyp të partisë së tij, Ai së bashku me Demaçin bënë thirrje që pala kosovare të mos e firmoste marrëveshjen e  Rambujesë, duke marrë përsipër pasoja të paimagjinueshme. Arësyet janë të panjohura! Interesat e Tij koinçidojnë me ato të Jugosllavisë…

Atdhedashuria nuk është ajo e fjalëve të mëdha, e deklaratave patriotike, parullave plot dashuri për kombin, atdhedashuria tregohet në momentet vendimtare historike,  në datat që përcaktojnë fatet e atdheut, duke vepruar në dobi të çështjes edhe me vetëmohim.

Por le të kthehemi pak në kohë.
Në 1962-shin Ai shkoi në Tiranë ku u regjistrua (me emërim nga shteti siç ndodhte në atë kohë) në Fakultetin e Mjekësisë. Pasi mbaroi studimet ai u specializua si kardiolog dhe u mbajt në punë në spitalin e Tiranës. Këtu filloi të interesohej për t’u bërë anëtar partie me ndihmën e Idriz Shehut kryetar i Degës së Tropojës. Në kushtet që ishte ai e kishte disi të vështirë të bëhej anëtar partie dhe për këtë arësye u këshilua të bashkëpunonte me “shtetin”. Shumë shpejt ai tërhiqet në bashkëpunim nga strukturat e sigurimit, pas një takimi në Ministrinë e Brendshme dhe iu caktua nofka “Penicilina”.  Pas këtyre lëvizjeve miratohet kërkesa për ta pranuar në parti…

Në një moment të dytë ai martohet me Lirinë, babai i së cilës kishte studiuar në Jugosllavi gjatë kohës së komunizmit dhe ishte tërhequr në bashkëpunim nga UDB-ja (?!). Për këtë të fundit nuk kemi fakte por sekush mund ta mendojë sipas llogjikës personale. Fakt është që vjehrri i TIJ u martua me një serbe, Milicën, motra e së cilës (pra tezja e Lirisë) ka qenë kolonele e UDB-së dhe mbështetëse e Rankoviçit . Për këtë të fundit mund të gjeni informacione të shumta edhe në internet (wikipedia), edhe mbi genocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Djali i tezes së Lirisë u bë këshilltar ekonomik i Millosheviçit por kjo ka ndodhur më vonë, gjatë luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë… Por le të mos zgjatemi me këto hollësira mbi familjen e gruas, në fund të fundit mëkatet e prindërve nuk kanë përse t’i paguajnë fëmijët dhe kurrsesi nuk duam të aludojmë që këto fakte (sekrete?) janë të mjaftueshme për të implikuar edhe personat që udhëheqin Shqipërinë sot. Një pyetje ndoshta mbetet pa përgjigje në këtë pikë: shoqëria “Shqiponja”  që operoi gjatë viteve ‘94-’95  dhe e cila theu embargon e luftës në Bosnje duke furnizuar me naftë makinën luftarake të Sllobodanit, nga kush u krijua dhe kujt i hyri në punë?  – ”Ai është vënë shpesh përpara kësaj pyetje dhe përgjigjet se ishte një kompromis pët të ndihmuar vëllezërit kosovarë (?)”.
“Ky atdhetarizëm mashtrues, ky atdhetarizëm karrem, e bën këtë gënjeshtër më të padurueshme, në të vërtetë më fyese për disa nga dëgjuesit, por më të shijshme për disa nga dëgjuesit e tjerë”  – thotë Rexhep Qosja mbi këtë çështje.
Sidoqoftë gazeta me e madhe në Kosovë, Koha Ditore, botoi gjatë viteve 97-98 të plota dokumentat që vërtetonin implikimet e Rexhep dhe Milica Ramës (vjehrri dhe vjehrra e Tij) në UDB, ndërsa në Shqipëri dosjet e ShIK-ut për këta persona zhdukeshin duke mos lënë gjurmë.

Le të kthehemi sërish pas, në 1974-ën Ai caktohet për specializim në Francë dhe ky ka qënë momenti kyç i përpunimit të tij nga UDB-ja. Kundërspiunazhi shqiptar i dërgon një informacion zëvendësdrejtorit të Sigurimit, Sulejman Abazit sipas të cilit në shqipëri vepronin 2 kanale të UDB-së, njëri që kalonte nga Vuçidoli dhe tjetri nga Shkodra… Pas ardhjes në pushtet AI arreston Sulejman Abazin. Por nuk mbaron këtu. Në ’91-’92 në Shqipëri dynden serbë të Kosovës të cilët flisnin mirë gjuhën shqipe dhe që hiqeshin si shqiptarë. Ai ishte kontakti së bashku me Mehmet Elezin…

Në 92-shin me të ardhur në pushtet Ai ka urdhëruar arrestimin e Adem Jasharit heroit të luftës së Kosovës. Pas largimit të Ademit në Kosovë nuk u lejua hyrja e këtij të fundit dhe Hashim Thaçit (asokohe student në Tiranë) në territorin shqiptar. Ishtë i njohur bashkëpunimi me shtetin Shqiptar i grupeve të vogla guerrilase patriotike që vepronin në Kosovë, që në fillim të viteve ’80, grupe të cilat më pas do të bashkoheshin nën komandën e Adem Jasharit për të krijuar UÇ K-në.  Arsyet që e shtynë ATË për të dëbuar Jasharin dhe liderë të tjerë kosovarë nga territori Shqiptar mund të interpretohen si urrejtje e tij për të majtën dhe të majtët. Në fund të fundit edhe Ai vetë kishte një histori të majtë por tani ishte konvertuar. Apo mos vallë arësyet janë të tjera? Mund të ishte edhe veprimtari antikombëtare. Këtë herë duke vepruar drejtpërdrejtë dhe jo vetëm duke mosvepruar siç ndodh rëndom në aktivitete të tilla.

Vrasja dhe zhdukja e një tjetër aktivisti të çështjes kombëtare, Remzi Hoxhës, gjatë qeverisjes së TIJ në territorin shqiptar nga SHIK-u është një tjetër rast që njihet mirë nga i gjithë populli shqiptar, këtej dhe andej kufirit, por që mbeten sërish mister  rrethanat dhe sidomos arsyet…

Marrëveshja e njohur midis Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar mban firmën e TIJ, Ai dhe vetëm AI i cili është më patrioti në deklarata ka lidhur marrëveshjen më të suksesshme që ka arritur ndonjë herë Greqia fqinje. Jo se nuk na bëhet qejfi për sukseset e fqinjëve por mbetemi tejet të habitur nga insistimi dhe kokëfortësia për ta rifirmosur marrëveshjen edhe pas rrëzimit të saj nga Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të mendojmë që është e qëllimshme pasi nuk kuptohet mirë kush është qëllimi në një marrëveshje ku Shqipëria del e humbur?!

Le të kthehemi edhe një herë në qeverinë e tij të parë ’92-’97. Lidhjet me fondamentalistët islamikë dhe largimi nga aleatët perëndimorë i kushtuan shtrenjtë. Gabim që në qeveritë që po pasojnë, jemi të bindur nuk do të përsëritet. Një nga veprimet më të nxituara ka qenë futja e Shqipërisë në Konferencën Islamike dhe financimi i grupeve fondamentaliste. AI dërgoi në 1996-ën një ngarkesë me armë në disa avionë drejt Palestinës.  Ngarkesë e cila u piketua nga Izraeli dhe u ndalua në Çad. Arafati në një udhëtim sekret ka ardhur në Rinas dhe e ka kërcëmuar Atë  se do ta paguajë shtrenjtë këtë humbje. Dimë që Arafati i mori mbrapsht lekët dhe në ’97-ën shqiptarët humbën shumë lekë në firma piramidale…

Por le të vazhdojmë.
Në 2008-ën shqiptarët u njohën me një personazh të ri me emrin Damir Fazlliç dhe me origjinë serbo-boshnjake, mik i ngushtë (i deklaruar nga vetë Ai) i familjes së liderit dhe  biznesmen me shumë interesa në Shqipëri. Nuk duam t’i japim ngjyra nacionaliste ketij shkrimi dhe aq më pak nuanca raciste, por sërish na lind një pyetje: Përse në filmimet që shfaqen në të gjitha televizionet shqiptare (dhe që datojnë 2006), ky personazh misterioz dhe deri diku anonim, qëndron përkrah gjeneralëve të shtetit, Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Brendshëm, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Drejtorit të përgjithshëm të Policisë etj. , në një mbledhje të sigurisë kombëtare. Pyetja nuk është përse ndodhet aty një serbo-boshnjak por përse ndodhet aty një askush, kur dihet rëndësia e këtyre mbledhjeve dhe sekreti që i rrethon ato?! Nuk jemi tendenciozë, jemi pa përgjigje edhe sot e kësaj dite.
Thuajse të gjitha akordet midis shtetit Shqipëtar dhe atij Grek për hapjen e shkollave greke në krahina ku nuk ka asnjë minoritar grek, ndërtimi i varrezave të ushtarëve grek në zona ku eshtrat jane të gjyshërve e stërgjyshërve të popullit tonë, e madje është tentuar të përdoren edhe eshtra të miturish duke na i shitur pët ushtarë grek, e pra këto marrëveshje mbajnë ose datë të vitit 1996 ose 2005 e më tej. Thuajse gjithmonë e njëjta firmë entuziaste nga pala Shqiptare. Të mos harrojmë parrullën greke: “Ku ka eshtra ushtarësh grek, aty është Greqi”.

Dhe për të ardhur te nisma e fundit e Atij, tek plani që ende s’është vënë në zbatim sepse më parë kemi zgjedhjet, te regjistrimi i popullsisë duke bërë vetëdeklarimin e fesë dhe sidomos të kombësisë. Pra i lihet dorë e lirë çdokujt, të varfërit, të pashkolluarit, të kërcënuarit, të pavullnetshmit dhe të painformuarit të zgjedhi vetë kombësinë e tij. Iniciativë e admirueshmë kjo e qeverisë tonë. Por sërish nuk kuptojmë përse insiston kaq shumë fqinji ynë jugor Greqia, që të bëhet ky vetëdeklarim i popullsisë? Nuk quhet kjo ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë? Përse i intereson kaq shumë? Përse në krizën më të rëndë ekonomike që e ka përfshirë, Greqia vazhdon u paguan dhjetëramijëra pensione “grekëve” të Shqipërisë?
Por mbi të gjitha: përse aty ku janë interesat e shteteve fqinjë që gjithmonë kanë qenë e vazhdojnë të mbeten përfitues në dëm të interesave tona kombëtare, qëndron përherë Ai që lindi në Vuçidol dhe është nderi i kombit? A duhet ende të mendojmë që është politikë e fqinjësisë së mirë, mefshtësi, padituri,  rastësi  politika e Tij, përherë në favor të fqinjit?
A duhet që të rreshtojmë këto fakte dhe shumë e shumë të tjera që i kemi përpara syve çdo ditë, për të kuptuar që kjo është politikë antikombëtare që bëhet hapur, në dritën e djellit, në dëm të kombit?
Kohë të vështira po i afrohen Shqipërisë, si hije të pakapshme, të paluftueshme dhe jemi vetëm, jemi vetëm ne që duhet t’i dalim zot këtij vendi. Koha do të na gjykojë!

General Megafoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *