Po tani zoti Lubonja?!

Edhe kjo nuk ka shumë rëndësi. Duam veç të dimë ç’mendon zoti Lubonja sot.

Kur shikon kordonin e policisë qe rrethon “Postbllokun”, kur kjo polici arreston 3 protestues, nuk ka rëndësi nëse ish të burgosur apo aktivistë të AK-së, makar edhe socialistë në qofshin; e pra kur shikon këtë skenë, zoti Lubonja, a nuk të vjen ti pështysh vetes? 
Fundja kthehu në drejtim të kundër të erës, ngrije pak kokën e pështy në ajër, nëse të duket e pamundur të pështysh vetveten.

A nuk të vjen të thuash: Për besë, më falni o shqiptarë?

– Më falni se i udhëhequr nga egoja dhe tërbimi për atë regjim, nuk e kuptova që po ushqeja regjimin tjetër.

– Më falni se u verbova nga dëshira për të bërë një monument kundër diktaturës, monument që nuk e ka bërë askush edhe pse ka kaluar një kohë kaq e gjatë, 22 vjeçare.

– Më falni sepse ngazëllimi m’i mbylli sytë dhe nuk e mendova që në krye do të dilte Berisha i Bllokut të vjetër, me kamera e mitingashë.

– Më falni se marazi i padrejtësisë që përjetova unë dhe familja ime por edhe urrejtja e mbajtur përbrenda kaq gjatë nuk më dhanë pak ftohtësi gjykimi. Se përndryshe nuk do t’ia jepja kurrë gërshërët e përurimit Berishës së Bllokut të ri. Atij te Lalzi, apo atij në Qerret.

A nuk të vjen, kur sheh si arrestohet ish i burgosuri i atij regjimi Skënder Tufa, vëllai yt i të njëjtave vuajtje, të thuash: “Në djall të shkojë vuajtja ime gjatë Regjimit hoxhist dhe puna ime për këtë vepër, nëse bëhet shkak i arrestimit të një qytetari”?

Skënder Tufa i ka provuar të dy burgjet, zoti Lubonja. Te Enverit dhe të Saliut. E mbase ndokush do të mendojë:  “E ka hak, se e kërkon gjëmën si zagari gjahun”. Madje me siguri dikush e thotë këtë. Dikush flet edhe më keq për Skënderin, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, dhe është po i njëjti që inauguron veprën tënde.
Po atëherë, mos duhet të mendojmë të gjithë që edhe ti i kishe hak qelitë e Spaçit?

Artin tënd nuk e shajmë dot zoti Lubonja. Arti nuk shahet, ai kritikohet. Arti yt aq më tepër është i pastër dhe kuptimplotë… sikur të ishte realizuar në një tjetër kohë, p.sh. në 1992-shin dhe në një tjetër vend p.sh. në Berlin, por sidomos me të tjerë njerëz. Ti zgjodhe Berishën e të dy regjimeve, Tiranën dhe sheshin ku është derdhur gjak i pafajshëm para 2 vjetësh, dhe një kohë aspak të lirë për Shqipërinë.

Por nëse del publikisht dhe kërkon falje mbase dhe do të falim. Sepse jemi i njëjti popull që fali Hoxhën ndërsa hidhte baltë mbi Zogun. Sot po falim Berishën ndërsa hedh baltë mbi Hoxhën. E sigurisht që ti nuk bën përjashtim. Do të falim edhe pa na e kërkuar.

Tanks

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *