Përvetësimi i pasurisë publike

Por, në rastin e vendeve demokratike, ato e zhvillojnë këtë luftë brenda kuadrit të shtetit të së drejtës, shpeshherë duke kontribuar financiarisht në fushatat zgjedhore.  Pasi zgjidhen, kandidatët mirënjohës votojnë ose nxisin që të votohen rregulla që u lejojnë donatorëve marrjen e burimeve me çmime të ulëta, që u bëjnë të mundur të përfitojnë nga avantazhe tatimore speciale si dhe të marrin përsipër sa më pak kosto që vijnë nga dëmet ndaj mjedisit.

Në Shtetet e Bashkuara burimet natyrore u jepen kryesisht kompanive të mëdha të shfrytëzimit; kur Presidenti Clinton tentoi që këto pasuri t’i nënshtroheshin procedurës së tenderimit,  për t’ua shitur ofertave më të larta , lobistët e kompanive minerare u bënë bllok për ta kundërshtuar, me ndihmën e grupeve të tyre të lobimit. Pavarësisht trajtimit tatimor preferencial që gëzojnë kompanitë e naftës, gazit dhe ato minerare, pavarësisht rritjes së çmimit të naftës që i pasuroi ato në mënyrë të konsiderueshme, Presidenti Bush votoi një ligj për subvencionet në fushën e energjisë aq të favorshëm për to, sa dhe vetë senatori John McCain u shpreh se ky ligj “nuk lë mënjanë asnjë lobist”.  Sipas përllogaritjeve sektorët e energjisë dhe të burimeve natyrore kanë derdhur në arkat e fushatës zgjedhore të kandidatit Bush 5 milionë dollarë në vitin 2004 dhe 3 milionë dollarë në vitin 2000.  Faktet treguan se ato morën një kthim në këtë lloj investimi shumë herë më të lartë, në saj të politikave shtetërore të ndërmarra nga kandidati i tyre.

Korrupsioni i drejtpërdrejtë hyn në lojë kur këto kompani veprojnë përtej detit, kryesisht në vendet në zhvillim.  Në botën shumë konkurrenciale të naftës, kompanitë e kanë më të lehtë të korruptojnë përgjegjësit politikë të një vendi, për të përfituar tërësinë ose pjesë të tregut të burimeve natyrore.  Shumat që përdoren për korrupsionin e politikanëve lokalë janë të papërfillshme për kompanitë, por përfaqësojnë një tundim të jashtëzakonshëm për politikanët të cilët, në rastin më të mirë, përfitojnë vetëm disa mijëra dollarë në vit.  Këto bakshishe minojnë jo vetëm proceset demokratike në këto vende por edhe lojën e tregut të lirë.  Megjithatë, problemi i vërtetë nuk është korrupsioni në vetvete, sado i shëmtuar të jetë, por rezultati që ai krijon: kur fiton kompania, humbet vendi.

Duke filluar nga viti 1977, me hyrjen në fuqi të Foreign Corrupt Practices Act, kompanitë amerikane e kanë të ndaluar të korruptojnë qeveri të huaja.  Edhe pse disa kompani vijojnë të injorojnë këtë ligj, shumë të tjera përpiqen ta respektojnë – njëkohësisht duke u ankuar se po pësojnë një konkurrencë të pandershme, në raport me kompanitë amerikane dhe të huaja që vijojnë me praktikat korruptive.  Në konferencën ndërministrore të Organizatës së Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (OCDE) mbajtur në Paris në vitin 1996 (ku autori përfaqësonte Shtetet e Bashkuara), palët ecën me hapa të sigurt drejt një marrëveshjeje – pavarësisht qëndresës së paepur të disa vendeve ku korrupsioni ishte i pranuar si praktikë tregtare.  Në atë periudhë, në shumë vende (Francë, Zvicër, Luksemburg, Austri, Belgjikë, Japoni, Vendet e Ulëta), korrupsioni  i përgjegjësve politikë në vendet e huaja ishte jo vetëm i ligjëruar, por edhe njihej si shpenzim i zbritshëm.  Ishte skandalizuese të shikoje shtete të ndryshme të mbronin me forcë sistemin e korrupsionit ekzistues.  Sot, ekziston një konventë e OCDE-së në lidhje me korrupsionin, por hyrja e saj në fuqi është e vështirë dhe e paplotë.  Deri në dhjetor 2005, përveç  Shteteve të Bashkuara, nuk kishte ende një rast ndjekjeje penale në kuadrin e legjislacioneve kombëtare të miratuara për të siguruar respektin e kësaj konvente.

Në fakt, në shumicën e rasteve, kompanitë nuk e kryejnë vetë aktin korruptiv.  Ato punësojnë “lehtësues” që marrin shuma të mjaftueshme parash për të “lehtësuar “ transaksionin.  Çfarë bën ai saktësisht?  Kompanitë nuk e dinë dhe as nuk duan ta dinë.  Por duhet të dyshojnë se, nëse ato e paguajnë lehtësuesin miliona dollarë, ato nuk blejnë vetëm orët e tij si konsulent.  Por ajo që blejnë në të vërtetë është e drejta për të mohuar: kompanitë mund të thonë se nuk e dinin që këto para kanë shërbyer për të korruptuar politikanë.  Një nga rastet më të njohura është ai i James Giffen.  Në kohën kur ai punonte për Mobil në Kazakstan në vitet ’90, ka shërbyer si ndërmjetës për t’i dhënë qeverisë 78 milionë dollarë, një veprim ky që i lejoi kompanisë të merrte rreth 25% të fushave të naftës në Tengiz (me rezerva të vlerësuara me rreth 25 miliardë fuçi).

Kompanitë me seli jashtë hapësirës së OCDE-së nuk i nënshtrohen asnjë rregullimi të parashikuar nga kjo organizatë.  Kompanitë malajziane, ruse, indiane dhe kineze të naftës janë kthyer në aktorë ndërkombëtarë.  Ato nuk janë të detyruara të respektojnë marrëveshjet e OCDE-së që ndalojnë korrupsionin.  Nëse një kompani kryen një akt korruptiv, të tjerat janë të detyruara që ta konkurrojnë.  Në këtë mënyrë, tërësia e tregut do të infektohet.

Pavarësisht kontratave që nënshkruajnë kompanitë dhe avantazhave që kanë prej tyre, të gjitha janë të tunduara të mashtrojnë – të paguajnë më pak se detyrimet që kanë, në këtë mënyrë ato mund të fitojnë shumë më shumë!  Në vitet 1980, u zbulua një mashtrim i madh me kompanitë e naftës në Alaskë.  Ky shtet, i pasur me naftë, kishte lidhur kontrata qiraje që i garantonin rreth 12.5% të të ardhurave bruto, duke hequr kostot e transportit.  Duke mbivlerësuar me disa qindarka për litër kostot e transportit dhe duke i shumëzuar me qindra milionë litra, kompanitë e naftës rrisnin në këtë mënyrë fitimet e tyre së tepërmi.  Dhe faktet treguan se ato nuk i rezistuan dot tundimit.

Ndodh shpesh që shfrytëzimi i vendeve në zhvillim nga kompanitë minerare dhe të naftës bëhet në kushte tërësisht ligjore.  Shumica e këtyre vendeve nuk janë të përgatitura mjaftueshëm për t’u përballur me negociata mjaft të komplikuara.  Ndryshe ndodh me kompanitë multinacionale, të cilat janë kthyer në eksperte të këtyre negociatave.  Vendet në zhvillim ndeshen gjithmonë me rrezikun e moskuptimit të përmbajtjes dhe të implikimeve të neneve të gjendura në këto kontrata.  Do u thuhet se filan nen është norma dhe në fakt, mund të jetë realisht ashtu: kompanitë e mëdha dinë të bëhen bllok me njëra-tjetrën për të imponuar kontrata tepër avantazhuese në dëm të vendeve prej të cilëve ato marrin naftën.  Për shembull, shtetet kanë vendosur të ndërrojnë mënyrën e shitjes së spektrit elektromagnetik  (për telefoninë e lëvizshme, televizionin dhe radion): ata organizojnë tashmë tendera, çka rrit në mënyrë të konsiderueshme të ardhurat e shteteve; por në sektorin e burimeve natyrore kompanitë kanë ndaluar çdo reformë në këtë drejtim, në mënyrë të veçantë në vendet në zhvillim.  Avokati Jenik Radon, Profesor në Universitetin e Columbia-s, i cili përfaqësoi shtetin e Gjeorgjisë në negociatat me një konsorcium kompanish nafte të drejtuar nga BP, kujtohet të jetë skandalizuar nga kërkesat e tyre.  Ato kërkonin që, ndër të tjera, Gjeorgjia të paguante miliarda dollarë për çdo vonesë administrative.  Në të njëjtën kohë, ato kërkonin që shteti të merrte përsipër të gjitha rreziqet e dëmtimeve në mjedis.  Gjithashtu, kompanitë detyrojnë shtetet me anën e kontratave të quajtura take or pay që të blejnë një sasi gazi ose nafte që është e pandryshueshme, si në sasi dhe në çmim.  Në këtë mënyrë, kompanitë amortizojnë humbjet në rastin e mungesës së klientëve në treg, duke u faturuar shteteve një sasi nafte ose gazi të pandryshueshëm, sipas çmimit të caktuar në kontratë.

Korrupsioni, hiletë dhe negociatat e çekulibruara kanë të njëjtin efekt: ulin pjesën që vendet do të përfitonin nëse negociatat do të ishin kryer në mënyrë të ndershme.  Vendet marrin më pak se ç’u takon dhe kompanitë më shumë.  Në një treg me konkurrencë normale, kompanitë e naftës ose ato minerare duhet të përfitojnë vetëm një kthim normal mbi kapitaline tyre.  Gjithçka që shkon përtej këtij fitimi duhet t’i takojë vendeve që janë pronarët e vërtetë të burimeve.  Ekonomistët e quajnë “renta e burimeve natyrore” diferencën midis vlerës së burimeve natyore dhe kostot të nxjerrjes së tyre.  Në një treg me konkurrencë normale kompanitë duhet të paguhen për shërbimet e nxjerrjes dhe të tregtimit, asgjë më shumë.  Të gjitha rentat e burimeve natyore u takojnë vendeve.  Kjo do të thotë se nëse rritet çmimi i naftës, shtesa ose mbivlera që del në pah nga kjo rritje i takon vendit, pasi kostoja e nxjerrjes është e pandryshueshme ose ndryshon në sasi mjaft të vogla në krahasim me sasinë e rentës.  Kjo është mëse e vërtetë kur çmimi i naftës bruto dyfishohet ose trefishohet si në vitet ’70 dhe në 2004-2005.  Pas rritjes astronomike të çmimeve në vitet ’70 Shtetet e Bashkuara vendosën një tatim mbi fitimet e paparashikuara të kompanive të naftës.  Tatimi i ri kishte për qëllim që të kundërshtonte logjikën e kontratave ekzistuese që u jepnin avantazhe të jashtëzakonshme kompanive, a thua se fati u kishte pikuar nga qielli…

Përktheu Oltion Spiro

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *