Perseritja e historise

   Zgjedhja e Sali Berishës si kryeministër, pas fitores “dhënë në tavolinë” më datë 3 korrik 2005 u bë pas një hibernacioni intelektual të shqiptarëve, pas një harrese kolektive e ndihmuar nga një naivitet që karakterizon një popullsi që ka besuar gjithmonë atë që i servirin. U premtua një ringjallje prej feniksi e vlerave të demokracisë shqiptare, së cilës është vështirë t’i gjesh rrënjët, ku mishërimi i tyre do të ishte personi që desh i groposi përfundimisht ato. Revolucioni i ri demokratik i drejtuar nga Sali Berisha në vitin 2005 ishte farsa më zbavitëse e historisë moderne shqiptare. U krijua një organizëm shtesë që do të injektonte në trupin e sakatuar të PD-së gjak të ri, që do ringrinte atë strukturë të kalbur tashmë që po bëhej gati të rimerrte pushtetin vetëm me një makiazh sa grotesk aq edhe efikas. Grotesk sepse në të u mblodhën shumë njerëz që deri para pak kohësh mendohej se parimisht nuk binin dakord me liderin e pd-së, dhe me parimisht nuk nënkuptojmë vërejtje banale kafenesh ku cdo kush në momente euforie egoiste mund të lëshojë ndaj dikujt tjetër, dhe askush nuk do e vërë re dhe të nesërmen ata vazhdojnë ritualin e tyre në të njëjtën vend. Me parimisht nuk nënkuptojmë divergjenca pikëpamjesh për mënyrën sesi mendohet realizimi i një reforme në një moment të caktuar. Me parimisht nënkuptojmë kthimin prapa nga njëra anë dhe vullnetin për të ecur përpara nga ana tjetër, me brutalitetin e rrahjes së kundërshtarit nga njëra anë, dhe me vuajtjen fizike, mendore, familjare të tij nga ana tjetër. Dhe pse kjo? Sepse u guxua të formulohej një fjalë kundër liderit të epokës gjoja demokratike, po që në fakt ishte një zgjatim i shëmtuar anarko-fashist i periudhës moniste. Efikas, sepse kasta dembele e derrave të 2001-it bëri të mundur që cdo kritikë të mos dëgjohej me veshin e ndërgjegjes, por të amplifikohej paturpësisht nga një tellall që shurdhoi aftësitë e njerëzve për të kuptuar se liria fitohet me përpjekje dhe mbahet me sakrifica, një zhurmues që manipuloi “në dritën e diellit” një pjesë intelektuale të popullsisë, sepse kujtoi se njeriu mund të ndërrojë sic ndërron gjarpri lëkurën, po në fakt ai zvarranik mbetet, përvecse i rrezikshëm. Me pak fjalë, një propagandë e orkestruar mirë, një ngritje në fuqi e toleruar hapur, një kthim mbrapa i anoncuar me kohë…

Katër vjet pas triumfit të demokracisë, jemi sërish këtu, në një situatë sa kaotike dhe aq e mefshtë, sa revolucionare aq edhe reaksionare…

Situata aktuale nuk mund bëjë tjetër vecse të na kujtojë në një refleks të parë vjeshtën e vitit 1996. Ajo periudhë analizohej si periudha ku demokracia në Shqipëri ishte një fjalë që figuronte në një emër partie dhe në ndonjë dispozitë të një pakete kushtetuese që luante rolin e kolonës kryesore ku bazohej shteti shqiptar, ose më mirë të themi kioska shqiptare. Parlamenti ishte katandisur në një kafene të urtë njerëzish të corientuar, që mundoheshin ti jepnin një kuptim atij funksioni abskons, pasi nga ajo sallë dilnin ligje, legjitimiteti i të cilave ishte i dyshimtë, pasi vullneti i sovranit nuk pasqyrohej saktësisht. Qeveria ishtë një mjet tjetër në duart e të gjithë pushtetshmit president, institucionet e pavarura ekzistonin me emër, kishte punonjës në to, po të gjithë e kuptonin që pavarësia e tyre ndodhej brenda një kuadri të vartësisë së presidentit. Me pak fjalë, mungesa e demokracisë, e balancave aq të nevojshme për një demokraci ishte verbuese.

Për të mos folur për situatën ekonomike, e cila përbënte një batutë në vetvete, mrekullia shqiptare, pastërtia e parave të shqiptarëve, e shumë batuta legjendare të presidentit që në fakt po fshihnin më së miri situatën insurreksionale që po gëlonte në vend.

Po sot, cfarë kemi? Situata politike është po ajo. Ndërlikimet që vijnë nga një prani konstante e ndërkombëtarëve në Shqipëri, si dhe detyrimet ndërkombëtare që e lidhin vendin tonë vecse zbusin paksa tensionin që ekzistonin si pasojë e dëshirës së të njëjtit person për pushtet të pakufi. Prokuroria, presidenti, kkrt-ja, arsimi i lartë… Lista mund të ishte e pafund, po ne po përmendim vetëm kryesoret. Dhe tërë këto përpjekje për kontroll janë bërë duke intimiduar deputetë, njerëz të afërt me të interesuarit, me presione ndaj bizneseve. Për të mos folur për aferat korruptive që përfshijnë tërë kupolën shtetërore…

Këto janë realitete të cilave nuk mund t’i shmangemi. Dy sjellje mund të adoptohen ndaj tyre, ose t’i pranojmë, të vihemi në rresht dhe të heshtim duke pritur se zemërgjerësia qeveritare mund të na prekë dhe ne. Ose të ngrejmë zërin dhe të pranojmë që dicka nuk shkon në tokën e shqipes. Dicka ecën mbrapsht, dicka nuk përkon me ëndrrën gati shekullore për demokraci dhe zhvillim social, dicka po shkon drejt kalbjes, dhe kjo dicka po tërheq drejt këtij procesi sjelljet tona, pasionet tona, ëndrrat tona, punën tonë, jetën tonë.

Tërë këto vite harlisjeje gati patologjike duhet ta në bëjnë të reflektojmë, por jo shumë gjatë, pasi më shumë sesa një reflektim, nevojitet aksion. Mosbindja në kushtet e sotme është një domosdoshmëri që diktohet nga guximi që duhet të karakerizojë cdo person në këtë vend për të shpresuar, jo vetëm për një jetë më të mirë, por edhe për një vend më të mirë, në një kuadër global që po përpiqet gjithmonë e më shumë të ecë sipas parimeve që duhet të diktojnë dhe sjelljen tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *