Përse Opozita duhet të vazhdojë bojkotin e Kuvendit

Përtej mendimit që mund të kemi për opozitën dhe aleancat e reja që po formohen dhe që kanë si pikë lidhjeje dëshirën për të zbuluar peshën reale të manipulimit në këto zgjedhje, përtej paragjykimeve që mund të ushqejmë kundër liderëve, përtej sherrnajave të brendshme perpetuale në partinë kryesore të opozitës, jemi të mendimit se ky veprim politik është jo vetëm i menduar mirë, po në saj të një këmbënguljeje të cuditshme mund të japë dhe frytet e tij shumë shpejt. Një gjë e tillë, vlen të theksohet, tregon se me pak përpjekje dhe dëshirë për të bërë që një ide të triumfojë, natyrisht nëse një ide e tillë është  drejtë dhe e përligjur. Ne mendojmë që është.
Arsyet janë të shumta sic thamë, po janë të lidhura me njëra tjetrën dhe tregojnë mjaft qartë se shtet ligjor dhe demokratik në Shqipëri nuk ka. Në këtë kontekst, shtrohet cështja: si bëhet për të mbrojtur të drejtën bazë të cdo demokracie, për më tepër kur janë dhënë provat e pakundërshtueshme se votimet kanë qënë së paku të cenuara? Kryeministri nëpërmjet një ironie që vetëm ai e ka sekretin, dha një rrugëzgjidhje: rrokja e armëve. Askush nuk është aq i cmendur sa të mendoj se kjo do të ishte një zgjidhje. Po Kryeministri e tha këtë për t’i bërë eko Historisë 12, sipas së cilës viti 1997 ishte rebelim komunist dhe se me këtë rrugë që po ndjek opozita po shkohet sërish drejt atij përfundimi. Mirëpo Kryeministri mbase ngatërron shkakun me pasojën ose e bën me qëllim. Megjithatë, nuk do të hymë në retorikën e krijuar prej tij, pasi do të futeshim në vorbullën e retorikës boshe.
Ajo që duhet nënvizuar është së pari nevoja për vendosjen e standardave në zhvillimin e zgjedhjeve dhe numërimin e votave. Provat janë bindëse dhe tregojnë qartë se ky standard nuk është arritur. Për shumë arsye që kanë të bëjnë me joshjen e komisionerëve nëpërmjet premtimit për përfitime financiare, nëpërmjet intimidimit dhe mjeteve të tjera që lidhen më tepër me kushtet që ndodhet Shqipëria të cilat flasin për varfëri dhe mungesë të vetëdijes demokratike që kemi, si pasojë e prapambetjes 40 vjecare dhe mungesës nga ana e politikanëve të tranzicionit të përpjekjeve për të rrënjosur një kulturë të  tillë. Dhe sulltanët e politikës luajnë paturpësisht me këtë faktor në dëm standardit dhe në përfitimin e tyre. Arsye të tjera kanë të bëjnë me sistemin e ruajtjes së hajdutit nga hajduti, sic është përkufizuar në media. Një sistem partiak i strukturave të zgjedhjeve po rezulton fatal për demokracinë dhe hapja e kutive nuk do të nxjerrë vetëm vjedhjet e mëdha të bëra nga partia në pushtet por edhe rritje artificiale të votave për partinë më të madhe të opozitës. Këto arsye i kemi përmendur dhe në artikuj të tjerë dhe tashmë nuk ia vlen të zgjatemi më tej.
Një pikë tjetër shumë delikate dhe që përbën në thelb arbitraritetin e shtetit kundër individëve dhe demokracisë është mungesa e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Një vrojtim i tillë nuk është pa baza, përkundrazi po vërtetohet ditë pas dite nga veprimtaria tërësisht abuzive e autoritetit gjyqësor. Shembuj mund të jenë të jetës së përditshme. Po dy do të na tërheqin vëmendjen. Do të bëjmë një shtjellim të dy vendimeve që përbëjnë kuintensencën e idesë sonë për të dalë më pas në një përfundim. Së pari vendimi i Gjykatës së Lartë në cështjen kundër ish ministrit të Mbrojtjes aktualisht Ministër i Mjedisit. Gjykata e Lartë arsyetoi se për shkak të rizgjedhjes së tij si deputet i Kuvendit ai ka fituar imunitetin dhe në mënyrë të menjëhershme ai nuk është më objekt i ndjekjes penale. Por në fakt, ndjekja penale kundër tij kishte mbaruar, pasi Prokuroria e kishte mbaruar hetimin dhe kësisoj ajo dosjen ia kishte kaluar Gjykatës për shqyrtim. Që nga ky moment, nuk flasim më për ndjekje penale por për fazë gjykimi. Rrjedhimisht dhe imuniteti nuk diskutohet më pasi ai e mbron deputetin kundër hetimit penal dhe jo gjykimit. Si pasojë, vendimi i Gjykatës së Lartë është thelbësisht antikushtetues dhe kuptohet, kur Gjykata më e lartë e vendit jep vendime të tilla domethënë se ka patur presione të jashtme që deformojnë punën e saj.
Vendimi tjetër është ai i Kolegjit Zgjedhor i cili interpretoi gabimisht Kodin Zgjedhor duke lënë kutitë e mbyllura dhe kësisoj duke bërë që vullneti i sovranit të shprehet vetëm pjesërisht. Mos të lëmë në harresë dhe interpretimet e gabuara të Kodit Zgjedhor nga ana e KQZ, sipas të cilit pika 6 e nenit 116 interpretohet sikur KZAZ-ja të ketë kompetencë të ndalojë numërimin dhe të shpallë kutinë të pavlefshme, në një kohë që bëhet fjalë vetëm për konstatim parregullsie (shih artikullin “Koherenca e munguar e OSBE-së”).
Në këto kushte kur gjykata e larta të vendit japin vendime nën presion të dukshëm politik, jemi legjitimisht në të drejtën tonë të mendojmë se kjo padrejtësi do të prekë dhe individët herët a vonë. Për të mos përmendur faktin shumë të rëndësishëm se me këto mbyllje dyersh arbitrare, mbeten shtegje shumë të ngushta për të kërkuar të drejtën. Një nga këto është dhe metoda agresive e bojkotit të Kuvendit si një mënyrë për të ndërgjegjësuar njerëzit mbi drejtimin që po merr drejtësia shqiptare. Dhe një rrugë e dy punë, për skeptikët ndaj opozitës, duhet thënë se një gjë e tillë krijon një detyrim për opozitën aktuale që në rast se ndonjë ditë do të gëzojë të mirat e pushtetit duhet të ketë parasysh dhe përgjegjësitë dhe detyrimet që rrjedhin prej tij dhe një nga të parat ëshët mosprekja për cfarëdolloj arsye e votës, pasi do të rrezikojnë të njohin të njëjtën situatë që po njeh qeveria aktuale në lidhje me bojkotin e opozitës.

 

                                                                                                              Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *