Përdorimi i duhur i pasurisë publike

Shtetet e pasura me burime natyrore kanë tendencën të jenë dorëlëshuar dhe shpërdorues të mëdhenj.  Leku i kollajtë shpenzohet më lehtë.  Dihet që shpenzimi i mirë i parave është një problem për të gjitha shtetet.  Shpenzimet klienteliste – ato që financojnë projekte që nuk kanë asnjë interes tjetër përveç plotësimit të dëshirave të një elektorati të caktuar – njihen tashmë në të gjitha vendet demokratike.  Kjo rëndesë politike njihet shumë mirë si në vendet në zhvillim ashtu dhe në vendet e zhvilluara.  Çështja është se të parat nuk mund t’ia lejojnë vetes abuzimin me një luks të tillë.

Problemit të përdorimit të duhur të të ardhurave i shtohet dhe ai i paparashikueshmërisë.  Luhatjet në bursë të burimeve natyrore janë shumë të mëdha.  Për shembull, çmimi i naftës ka kaluar nga 18 dollarë fuçia në vitin 2001, në 70 dollarë në 2006.  Nga 2003 në 2005, çmimi i bakrit është rritur me 98%.  Kjo krijon në ekonomi një model shpërthimi ekonomik që pasohet detyrimisht me një rënie të fortë.  Kur çmimet e burimeve janë të larta, shteti shpenzon pa llogaritur dhe pa marrë masat kundër rënies që do të vijë shumë shpejt.  Kur pësojnë rënie, vijnë dhe falimentimet dhe reçesioni ekonomik.  Shpërthimi shoqërohet shpesh me një boom në fushën e pasurive të paluajtshme pasi bankat japin hua më lehtë në këtë sektor: ato janë të sigurta për vlerën e lartë të këtyre pasurive.  Kur rënia e çmimeve të lëndës së parë shoqërohet me një ulje të çmimeve të pasurive të paluajtshme, sistemi bankar dobësohet dhe bankat janë të detyruara të kufizojnë huatë e tyre, çka shtyn akoma më shumë ekonominë në recesion.  Menaxhimi i qendrueshëm i një ekonomie tregu është një detyrë e vështirë për çdo shtet: recesionet dhe depresionet karakterizojnë kapitalizmin që nga lindja e tij.  Menaxhimi i një ekonomie të pasur me burime natyrore  është detyrë e vështirë për shkak të luhatjes së madhe të të ardhurave nga eksporti.  Por menaxhimi i vendeve në zhvillim që vuajnë nga paqëndrueshmëria është një punë jashtëzakonisht e vështirë.

Në ndryshim nga vendet e zhvilluara, vendet në zhvillim nuk i kanë mjetet për të përballuar të ardhurat që sigurojnë nga eksportet.  Ato nuk zotërojnë stabilizatorë automatikë si për shembull taksën progresive mbi të ardhurat, sisteme të dëmshpërblimit për shkak të papunësisë dhe të sigurimeve shoqërore që injektojnë më shumë para në ekonomi, në momentet kur ajo ka më shumë nevojë.  Individët nuk arrijnë të krijojnë kursime të mjaftueshme për të siguruar një mirëqënie relative në kohë të vështira.  Bankat janë në përgjithësi më pak të kapitalizuara ose të rregulluara, pra janë më lehtësisht pre e falimentimit.

Gjërat përkeqësohen kur bankat ndërkombëtare janë gati të japin hua vendeve të pasura me burime natyrore, kur kursi i tyre është i lartë dhe elita drejtuese e këtyre vendeve e ka të vështirë të refuzojë ofertat e tyre.  Çka shpjegon një fenomen shumë interesant: disa shtete të mbytura në borxhe dhe që kanë vështirësi të shumta në përmbushjen e detyrimeve të tyre janë shtete me burime të konsiderueshem nafte si Indonezia dhe Nigeria.  Edhe pse projektet e financuar nga bankat nuk janë të mirë, ato krijojnë gjithmonë një boom ndërtimesh.  Problemi i rimbursimeve të huave të marra nga bankat shtrohet në një kohë të dytë.  Kur çmimet e burimit natyror bien, bankat duhan natyrisht rimbursimin e shumave të dhënave, bashkë me interesat – tamam në momentin kur vendi ka më shumë nevojë për këto para.  Një luhatje e tillë e rrit paqëndrueshmërinë ekonomike.
Shumë shpesh, këto shtete pasi kishin kuptuar se si duhet të reagonin dhe i kishin mjetet financiare për të realizuar stabilizimin e ekonomive të tyre, kanë qënë, nën trysninë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të detyruar të ndiqnin politika që në të vërtetë e rritën reçesionin ekonomik.  Kam parë shembuj impresionues në Ekuador dhe Bolivi, me reçesionin dhe depresionin e fundviteve ’90. Këto 75 vitet e fundit, ilaçi më i mirë për një vend që përballet me reçesionin është i njohur: ndjekja e një politike buxhetore ekspansioniste – shpenzime në fushën e edukimit dhe mbi të gjitha në infrastrukturë, për të cilat nevoja është shumë e madhe nëse duam rritje ekonomike.  Në përgjithësi, vendet në zhvillim e kanë të vështirë të financojnë këto stimulantë të nevojshëm.  Por Ekuadori dhe Bolivia e kishin këtë mundësi: posedonin burime në naftë dhe në gazë masivisht, të cilat shumë shpejt do të hynin në treg dhe që mund të përdoreshin si garanci për marrjen e huave.  bolivianët dhe ekuadorianët – me të drejtë – mbështesnin idenë se nëse do të kryenin investime gjatë reçesionit, do të përfitonin një kthim në investim shumë më të madh se në rastin kur do të prisnin normalizimin e situatës botërore ekonomike.  Shpenzimi i bazuar në huatë e marra duke vënë garanci burimet natyrore ishte një ide e mirë.  Por Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga frika se këto shtete mund të shpenzonin pa kriter, ushtroi trysni mbi këto dy shtete që të merrnin një rrugë tjetër.  Jo vetëm që FMN-ja nuk donte që këto shtete të stimulonin ekonominë e tyre duke rritur shpenzimet e tyre, por edhe u kërkoi që të ulnin shpenzimet, në mënyrë që t’i vinin në një linjë me uljen e hyrjeve fiskale për shkak të reçesionit.  Këto shtete e ndjen se nuk kishin asnjë mundësi veprimi dhe ndoqën këshillën e FMN-së.  U zhytën më thellë në reçesion.

FMN-ja është shfaqur problematike dhe në raport me një nga ekonomitë më të mirëmenaxhuara na botë, ajo e Kilit.  Qeveria kishte krijuar një fond stabilizimi, i cili furnizohej me paratë e fituara nga shitja e bakrit kur kursi i tij në bursë ishte i lartë.  Fondi i stabilizimi do të përdorej në kohët kur ekonomia kiliane të kalonte periudha të vështira.  Periudhat e vështira u shfaqën por FMN-ja insistonte në mospërdorimin e këtij fondi dhe të vijonte me marrjen e fondeve pranë FMN-së.  Kili kishte frikë të mos i bindej trysnisë së FMN-së.  Edhe sikur të mos merrte hua pranë këtij institucioni, Kili i druhej reagimit të tregjeve financiarë që mund të reagonin keq ndaj vërejtjeve të Kilit përkundrejt FMN-së dhe kësisoj të rrisnin përqindjen e interesit të huave kiliane.  Zbatoi kësisoj një politikë më pak ekspanioniste, me më pak investime, dhe rezultati ishte se Kili njohu një ngadalësim të rritjes ekonomike.

Përktheu Oltion Spiro

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *