Për qejfin e inatit tim

2. Këto përmbytje kanë një kosto financiare që unë e përfytyroj si mjaft të madhe. Shifrat që jepen lëvizin nga 150-300 milionë euro, por unë nuk i besoj, për faktin se nuk më duket aq e thjeshtë që me një të rënë të lapsit të nxirret një shifër. Çfarë zërash janë përfshirë në këto kosto? A është përfshirë për shembull koha që do harxhojnë njerëzit për të rregulluar shtëpitë e tyre, ndërkohë që këtë kohë mund ta shpenzonin për të bërë një punë fitimprurëse për të mbajtur familjet e tyre (të mbillnin tokat për shembull). Kthehem edhe një herë në fillim tek kostot financiare që në fakt përfshijnë të gjithë Shqipërinë. Tashmë shqiptarët duket se disa gjëra i kanë kuptuar nga kapitalizmi, dhe këtu kanë kuptuar që janë taksat edhe të një qytetari nga Tirana apo Pogradeci që do përballojnë këto dëme të mëdha. E zëmë se dëmi është 150 milionë euro (sipas qeverisë), atëherë a e përfytyroni se çfarë punësh të tjera mund të bëheshin me këto para?! Mund të ndërtoheshin rrugë, mund të rriteshin pagat e pensionet, mund të ndërtoheshin shkolla e qendra shëndetësore, mund të bliheshin edhe makina të blinduara për sigurinë e zyrtarëve të lartë që do vizitojnë Shqipërinë, mund të ndërtoheshin diga e argjinatura, mund të bliheshin kuti votimi (boshe, në rast se ato që janë plot mbahen të mbushura edhe për shumë kohë). Në këtë këndvështrim, unë mendoj, që duke gjykuar financiarisht është përmbytur e gjithë Shqipëria.

3.  A e patë se si u shpërngul gjithë qeveria dhe deputetët në Shkodër? Po kjo a përbën një kosto në vetvete? Natyrisht, sepse në këtë kohë, që nuk është e vogël, gjithë vëmendja dhe strukturat janë përqendruar në Shkodër, ndërkohë që mund të merreshin me punë apo reforma të tjera kaq të rëndësishme për këtë vend. Për shembull Z. Basha mund të na sqaronte pak më qartë se si shkohet pa vizë në vendet Shengen…

4.  Mazhoranca në vend që të merret me punët qeverisëse, se për këtë është votuar, i duhet të merret edhe me mbrojtjen ndaj sulmeve të opozitës, se në këtë mënyrë mbron pushtetin e saj. Dhe mbrojtja më e mirë është sulmi. A e keni vënë re se sa kohë zë kjo në daljet publike të pushtetarëve? Shumë. Për më tepër, pavarësisht aftësive të tyre për të thurur fjalime aty për aty, unë prapë mendoj që jashtë kamerave rrinë e vrasin mendjen gjerë e gjatë, se çfarë do thonë, si do e thonë, dhe harrojnë se cilat janë detyrat e tyre. Pastaj me këto sulme të ndërsjellta nuk bëjnë gjë tjetër veçse e përçajnë akoma edhe më shumë popullin shqiptar (që sipas mendimit tim ka 20 vjet që jeton i përçarë, dhe kjo është fatkeqësia më e madhe e kombit tonë).

5. Këto përmbytje kanë ndikuar fortë edhe brenda meje, më kanë bërë më pesimist, ose më saktë shumë më tepër pesimist se sa kam qenë kohë më parë. Nuk shoh shumë shpresë, nuk kam besim,… Ju mund të më thoni që qeveria të dha vizat, krisja dhe ik, këput qafën, ndërtoje jetën tënde në Francë, Gjermani a gjetkë. Por jo, unë dua të rri këtu, nuk dua të iki në Evropë, madje as si turist nuk dua (ky është tipi im). Fola për veten, se për këtë jam i sigurt dhe nuk e di nëse ka qytetarë të tjerë që ndjehen njësoj si mua. Hamendësoj që duhet të ketë, por nuk di shifrën, përqindjet, se po ti dija dhe të më rezultonte p.sh. 70% e popullsisë, atëherë ka ardhur koha për një revolucion, ose në rastin më të keq për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Po shkruaja këto rreshta dhe pashë që paragrafi u bë goxha i gjatë dhe mbase ju nuk do ta lexonit, nëse keni arritur deri këtu, se disa prej jush ju ka ardhur në majë të hundës edhe leximi, sepse gjërat dihen. Pra, nuk po vazhdoj më gjatë me ndikimet e përmbytjeve, megjithëse se do preferoja që vetë  ju të dashur lexues të mendonit se çfarë ndikimesh të tjera kanë këto ngjarje. Dhe të na shkruanit komentet tuaj dhe në një moment të dytë mund të bënim një përmbledhje të këtyre mendimeve.
                                                                                                                                                           Marka X    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *