Për pak skepticizëm më shumë

Qentë le të lehin, karvani le të ecë përpara, do të thoshin shumë prej nesh që besojnë në kauzën e Universitetit në Rrezik.  Por druhemi se çdo hapje rruge budallait (sa për të përdorur një proverb, nuk kemi asnjë synim ofendues) është taktika më e dobët që fatkeqësisht ne shqiptarët e kemi kthyer në moton e një jetese të virtytshme.  Duhet të vihen ca pika mbi i, sa për sqarim për ata që kanë veshë të dëgjojnë dhe sa për të kuptuar se groteskë në kohën e sotme është “ai ose ajo që kalon në Rrugën e Durrësit para dy ditësh”, pa patur asnjë punë, me siguri dhe me duar në xhepa.

Së pari, skeptiku pretendon se njeh kërkesat e studentëve.  Në fakt ai është i aftë të dëgjojë thashetheme dhe të ulet e t’i hedhë ato në letër.  Kaq.  Ai paragjykon reformën financiare duke u shprehur se kjo reformë bën që “fondet publike të mund të përdoren për të stimuluar studentët më të mirë edhe në universitetet jopublike”.  Gjithashtu, skeptiku ynë ngatërrohet sëprapthi me çështjen e stazhit ndërkohë që studentët e kanë të qartë çështjen e stazhit dhe të  profesioneve të rregulluara. Studentët nuk janë kundër stazhit (që zgjat nga 1 deri në 3 vjet), por janë kundër mospagimit të kësaj pune të kryer. Së fundi, por kjo do të ishte një çështje e vogël teknike, që nuk do t’ia faturonim padijenisë së skeptikut, por vetëm pakujdesisë së tij nëse nuk do kishte qënë kaq i pasaktë për dy pikat e para, nuk është neni 36 por neni 26 i Ligjit për Arsimin e Lartë që flet për anglishten.

Për sa i përket reformës financiare, skeptiku thotë se përdorimi i fondeve publike për universitetet private nxit cilindo student që aspiron për dije dhe kulturë, pavarësisht shtresës së tij sociale.  Pra, sipas skeptikut, shteti jo vetëm është në gjendje të mbajë universitetin e tij publik, por ka aq shumë mundësi financiare sa të mbajë dhe universitetet private.  Reforma në arsim, i dashur skeptik, shërben pikërisht vetëm për atë që e thua dhe vetë, edhe pse me gjysëm zëri se mos ta bën vërejtje dikush, për të shëndoshur ndonjë interes privat.  Nëse universitetet private kanë realisht studentë të etur për kulturë, dhe të uritur për dije, shuma e majme që paguajnë për të hyrë në to duhet t’u mjaftojë administratorëve të këtyre universiteteve për të përmbushur nevojat e tyre.  Përkundrazi, administratori i rrjetit universitar më të madh në Shqipëri (rreth 80% e studentëve more anonim, nuk janë pak…) mendon sesi të merret me 20%, duke lënë në mëshirë të fatit masën më të madhe të studentëve dhe institucionin që ka krijuar një traditë mbi 60 vjeçare në arsim të lartë, por që fatkeqësisht po lëngon se ka një shtet shumë të ngjashëm me skeptikun, që bredh rrugëve të Republikës në kërkim të ndonjë lëmoshe për të mbajtur veten.  Për sa i përket transparencës, shumë faleminderit që na i kujton, por nuk kemi nevojë,  protestat prandaj bëhen, që të rritet niveli i transparencës.  Dhe ne nuk i bëjmë protestat me program pune, nuk dalim sot për një pikë dhe nesër për një tjetër.  Ata që mbrojnë parime nuk bëjnë strategji.  Ata që mbrojnë veten e tyre mendojnë për strategji skuthërie.

Për sa i përket pikës së dytë, do të donim të dinim: a do ti pëlqente skeptikut që pasi të diplomohej, të punonte një, dy ose tre vjet pa lekë?  Do të donim të dinim nëse do të ishte i lumtur nëse punëdhënësi do t’i paguante vetëm sigurimet shoqërore dhe madje, të konsiderohej i lumtur që i merrte dhe ato? Sepse, skeptiko, për këtë stazh bëhet fjalë.  Jo për periudhën e stazhit para diplomimit, por për vitet e para të punës për disa profesione si për shembull mjek, infermier, arkitekt, inxhinier, mësues etj, të cilët para se të kalojnë provimin për të ushtruar në mënyrë të pavarur profesionin, duhet të rropaten, të prodhojnë pasuri që shkojnë vetëm në përfitim të punëdhënësit.  Vetëm, të lutem skeptik, mos më nxirr refrenin e stërlodhur të faktit “se të paktën e kanë një punë se shumica janë pa gjë”, shpresoj që ta kuptosh vetë që as argument nuk është por as nuk duhet përmendur si ide.

Së fundi, për sa i përket anglishtes, pikë që e prek në zemër skeptikun, pasi i ka rezervuar një goxha shtjellim, ka dy gjëra që duhet me ia thënë.  Së pari, anglishtja është shumë e rëndësishme.  Në mënyrë të veçantë për ata që lëvrojnë në fushën e biznesit.  Nuk e di për ata që lëvrojnë në kalimin me duar në xhepa nga Rruga e Durrësit paradite, po e zëmë se është dhe për ta.  Mund të jetë i rëndësishëm dhe për ata që kryejnë një veprimtari që nuk u duhet fare anglishtja: të studiosh tërë jetën letërsi franceze kërkon një njohuri mjaft të mirë të kulturës franceze dhe të gjuhës franceze, ndërsa anglishtja…  Megjithatë, në këtë kontekst, njohuritë bazë të anglishtes duhet t’i marrim të gjithë.  Dhe ku mund të bëhet më mirë se sa në bankat e shkollës, ku më mirë sesa në gjimnaz dhe në universitet?  Por jo!  Duhet që të na çertifikohet dija nga disa privatë.  Thua se kjo çertifikosje na hap dyert e parajsës, na bën që të botojmë në revista prestigjioze dhe të punojmë në Wall Street.  Nga vegimi dhjetravjeçar për ta kapur një cep Amerike, njerëzit si anonimi  kanë mbetur te mirazhi i anglishtes që të hap të gjitha dyeret e jetës.  Por skeptiku ndoshta nuk di se marrja e çertifikatës nga institucioni privat që na shpall anglishtfolës është kusht për të marrë diplomën e Masterit dhe për t’u regjistruar në Doktoraturë.  Nuk e dimë nëse skeptiku është duke kryer ndonjë shkollim pasuniversitar, me siguri që po, por ama do të ndihej shumë keq me veten e vet dhe me sakrificat që ka bërë për të marrë sa më shumë dije kur befas, një ditë të bukur i thonë se nuk të vlen asgjë pa marrë çertifikatën e zhvirgjërimit në anglishtfolje, çertifikata që tani ty o skeptik, të tregon se je bërë burrë…

Në përfundim, edhe për çështjen e anglishtes studentët nuk janë kundër mësimit të saj, por janë kundër mbrojtjes të çdo lloj gjuhe të huaj si kusht diplomimi, dhe meqënëse në ligj është vetëm anglishtja, ne jemi kundër anglishtes, se do ishim kundër cilësdo lloj gjuhe tjetër të huaj të vendosur si kusht diplomimi në një universitet shqiptar.

Të tjerat o skeptik, i kishe vetëm ujra: jo të shtyrë nga këta, jo keqpërdorim të protestave, jo histori civilizimi modern…  Këto përralla tregoji në ndonjë kafene, së bashku me thashethemin e radhës për ndonjë tradhëtiçkë të vockël lart e poshtë në rrethet e larta të pushtetit.  Studentët që mendojnë se reformat e bëra janë groteske dhe qesharake, ashtu siç është dhe artikulli yt, janë të shumtë dhe pjesëmarrja në protestë nuk e reflekton masivitetin e mllefit.  Nuk do të merremi me arsyet, janë të shumta dhe ti, me qëndrimin tënd të vëzhguesit të momentit kontribuon shumë.  Studentët janë në një proces ndërgjegjësimi të fortë, bën mirë që herës tjetër të gjesh argumente më të shëndosha për të mbrojtur vëzhgimet e tua “rrugore“.

Stavri

Për etikë profesionale po e botojmë më poshtë artikullin në fjalë. Ose më mirë, nuk po e botojmë fare për të njëjtën arsye.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *