Për një partishmëri të jetës qytetare

Partitë politike duhen sulmuar nga orteku popullor. Një sulm me ngritje zëri, idesh dhe vote në forumet partiake. Së pari, të gjithë ata që e ndjejnë veten në grupin e intelektualëve duhet të mësyjnë në dyert e partive politike. Dhe jo vetëm intelektualët e paorganizuar, por edhe ata që tashmë bëjnë pjesë në atë grup disi të organizuar që përbën shoqërinë civile.

Ka mendime të ndryshme që e stepin këtë pjesëmarrje, si partitë politike i shfrytëzojnë intelektualët për një kohë të caktuar dhe pastaj i flakin në rrugë, ose që intelektualët që futen në politikë tjetërsohen dhe dalin nga “vetja e tyre”, ose ata që nuk dalin nga vetja e tyre eklipsohen dhe shumë shpejt mërziten, duke çuar në tërheqjen e vullnetshme të tyre. Jo! Intelektualët duhet të shërbejnë si “Kali i Trojës” në forumet e partive politike. Por kaq nuk mjafton, se intelektualët nuk janë shumicë, i gjithë populli duhet të sulmojë partitë politike, të gjithë duhet të bëhen anëtarë të partive të ndryshme. Në veçanti të rinjtë duhet të aktivizohen më tepër, se tek e fundit e tyre është edhe e ardhmja. Duhen krijuar edhe parti të reja; sa më shumë aq më mirë; modeli dy apo tripolar rezultoi fatal në klimën politike shqiptare, veçanërisht në konfliktualitetin e madh, si dhe në mos dakordësinë, apo ndërmarrjen e reformave madhore e gjithëpërfshirëse.

Shqipëria nuk e ka luksin, sikundër e kanë disa vende perëndimore, që populli i vet të rrijë dhe të mbajë sehir për katër vjet derisa të paraqitet në kutitë e votimit, ose jo. Një situatë e tillë është e pranueshme në një vend ku demokracia dhe ekonomia funksionon normalisht dhe njerëzit janë të kënaqur, dhe kjo kënaqësi në një farë mënyre i bën edhe indiferentë ndaj politikës deri në periudhën e fushatave elektorale.

Po përse duhen sulmuar partitë politike? Së pari duhen sulmuar për të vendosur disa standarde mëse të nevojshme në rrethanat tona, si një anëtar një votë, dhe kjo jo vetëm në zgjedhjen e kryetarit të partisë (i cili pasi zgjidhet sillet me autoritarizëm të skajshëm), por edhe në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, kandidatëve për zgjedhjet vendore, këshillat e tyre, dhe natyrisht dhe më kryesorja edhe programin politik dhe qëndrimet madhore.

Gjithashtu, nga pjesëmarrja e gjerë e njerëzve në forumet e partive do bëjë që këto të fundit të pastrohen nga elementët e tyre të dyshimtë. Shpeshherë, flitet për vetëpastrimin e partive nga elementë të tillë. Por kjo nuk ka si të ndodhi duke ruajtur të pa lëvizur anëtarësisë dhe udhëheqjen e partive politike.

Duhet shtuar presioni mbi partitë politike. Mos më thoni që mos marrje pjesë në votime apo vendosja e një kryqi të madh mbi fletën e votimit është një presion i tillë, kjo është veçse dorëzim para politikës.

***

Ndërkohë, duke lexuar “Teoritë e Demokracisë” të Manfred G. Schmidt (botim i Botart 2012)mund të citoj disa shënime të shkëputur nga ky libër si më poshtë:

“Në librin e tij The Conquest of Politics (1988) Barber-i e përkufizon demokracinë si një rend, qytetarët e të cilit janë kampionë të pjesëmarrjes në çështjet publike”

“Demokracia punon për vetëvendosjen e njerëzimit (Student und Politik, Habermas 1969)”

Nga teori të ndryshme del në pah roli i madh i brezave të rinj në çështjet e demokracisë. Ndërkohë, në Shqipëri, siç edhe qartazi duket, brezi i ri është indiferent, apatik e i paorganizuar. Por dhurata nga qielli nuk mund të presim për Shqipërinë, kështu që me gjithë mundin tonë duhet të përpiqemi që këtë brez të ri ta bëjmë pjesëmarrës në çështjet e demokracisë, të politikës dhe të Atdheut. E ardhmja është e tyre, por e ardhmja ka nevojë për ata, (pa dashur të moralizoj) brezi i ri duhet të na japi një shpresë…

Brezi i ri duhet të organizohet politikisht, duhet të demonstrojë e protestojë, të debatojë e propozojë. Të paktën edhe në oraret e shumta të kafes, në rastin më të keq të mos bjerë në grackën se “ky vend nuk bëhet” por me miqtë të debatojë politikisht.

Në këtë këndvështrim, shpresa mbetet tek brezi i ri. Po në librin e mësipërm thuhet se brezi i ri ka më shumë prirje për tu përfshirë politikisht në krahasim me shtresat e tjera të shoqërisë. E natyrisht ekzistojnë edhe kushte të tjera të funksiononit të pjesëmarrjes nga njëra anë  “pajisja me resurse social-ekonomike qytetare, përparësia e qëndrimit pozitiv ndaj sistemit politik dhe bindja se mund të jenë të efektshëm politikisht”, dhe nga ana tjetër një “shoqëri postmaterialiste”. Fatkeqësisht ne jemi në një situatë kritike për të dy këto kushte, sepse ka vetëm një shtresë e vogël e shoqërisë që, ka resurse social ekonomike (përmenden kualifikimi formal, prestigji profesional dhe nivel i lartë i të ardhurave), ndërsa nga ana tjetër shoqëria Shqiptare është në kulmin e një shoqërie konsumi dhe kah materiales. Në këto kushte, shpresat janë të vogla, por së pari ky brez i ri që i plotëson kushtet social-ekonomike dhe intelektuale duhet të gjejë kurajën për të marrë pjesë politikisht në të ardhmen e vendit.

Jani Marka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *