Për çfarë shërben drejtësia

Më saktë, nuk do të flasim për dinamikën e atyre ditëve plot tension, as me piruetat e KQZ-së që nuk bëri më sikur, po realisht talli një popull të tërë me grushtin e shtetit që zhvilloi ato ditë që pasuan daljen e rezultatit për Tiranën. Do të themi disa fjalë mbi Vendimet e Kolegjit Zgjedhor, më saktësisht mbi Vendimin e dytë. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë: sepse e kishim shumë të vështirë për të shtënë në dorë Vendimin e parë, pasi në sekretarinë e Gjykatës së Apelit (në fakt, selia e Kolegjit Zgjedhor) gjëja e fundit që duhet të bëjë çdokush është të kërkojë një vendim. Aty duhet të japësh llogari pse ke filluar gjykim dhe pse vjen të marrësh vendim, pse flet me zë të ulët, pse thua më fal, pse vjen pa numër vendimi etj etj… Është fat i madh që del aty pa ngrënë ndonjë një shpullë surratit. Po kjo është njëra anë e sistemi gjyqësor, ajo më pak e dëmshmja.

Është kjo ana tjetër që shfaqet më qartë te vendimet që jepen. Dhe këtu do të prekim, siç e thamë, shkurtimisht Vendimin e Kolegjit Zgjedhor nr. 67, datë 13 qershor 2011. Vendimi në dukje duket që rivendos sundimin e ligjit në pamjë të parë. Kështu, i referohet shpesh Kushtetutës, i referohet parimeve të njohura juridike në lidhje me votën si dhe bën referime të shpeshta Kodit Zgjedhor. Nga kjo pikëpamje formale, Vendimi sikur përpiqet të gjejë një lloj legjitimiteti. Gjithashtu, në paragrafin e parë, Kolegji përpiqet që më në fund, t’i japë ndonjë thërrime dhe Opozitës duke i  bërë thirrje emfazës juridike (“Kolegji çmon të bazuar pretendimet e PS-së, për cenim të standarteve kushtetuese, për cenim të procesit të rregullt ligjor, parashikuar në Kushtetutë dhe në Konventë të të Drejtave të Njeriut…”). Fakti që mëshon kaq shumë në këto parime që mbi të gjitha duhen zbatuar dhe jo vetëm thënë, tregon se, në fakt, tjetër gjë do të shkruhet më tej. Dhe në të vërtetë, Kolegji në këtë vendim bën disa gabime, të cilat përpiqet t’ja kalojë përgjegjësinë Vendimit të parë të datës 6 qershor 2011.

I pari është fakti se Vendimi i KQZ-së për miratimin e rezultatit është marrë me 4 vota dhe jo me 5 siç e kërkon Kodi Zgjedhor për kësi rastesh, dmth miratimin e tabelave përmbledhëse. Gjithashtu, një pikë tjetër e rëndësishme, të cilën Kolegji e ka anashkaluar kur thotë se “KQZ ka kryer një hetim administrativ kur mori në shqyrtim fletët e hedhura gabimisht” përbën një gabim tjetër të Kolegjit. Në fakt, hetimin administrativ, KQZ e ka bërë duke tejkaluar kompetencën e saj, pasi në atë çast, ajo nuk vepronte si shkallë ankimimi administrativ por si “llogaritar” i rezultateve në 11 minibashkitë e Tiranë, ndryshe quajtur rëndom dhe në mënyrë të pasaktë KZAZ e Tiranës. Pra, KQZ jo vetëm që cenon vendimmarrjen, por ngatërron rolet dhe procedurat. Dhe këtë gjë Kolegji nuk e godet. Rrjedhimisht, citimi i rregullave të procesit të rregullt ligjor na duket si pavend në Vendimin e tij.

 

Megjithatë, Kolegji e shpall procedurën e KQZ-së si të pavlefshme. Përse? Jo në bazë të argumentave që cituam më lart, por në bazë të faktit se KQZ “mjaftohet vetëm me hetimin administrativ të pjesshëm të një numri të kufizuar kutish dhe përfshirjen e rezultatit, pa ja nënshtruar logjikën e përdorur nga ajo (KQZ) tabelës përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore në tërësinë e saj”. Ndryshe, do të thotë se, KQZ,  siç bëri për ato kuti që u hapën, duhet ta bëjë për të gjitha kutitë e Tiranës.

Me këtë paradë Kolegji së pari miraton procedurat e parregullta të KQZ, së dyti, nuk zgjidh çështjen e mospërputhjes së votave dhe të votuesve, duke e lënë të hapur (këtu ndoshta kalojmë nga aspekti juridik në atë politik) dhe së treti, miraton të papranueshmen, dmth numërimin e fletëve të hedhura gabim ose “aksidentalisht” siç kishte qejf ta quante kryetari Ristani.
Në lidhje me pikën  e tretë, duhet thënë se kjo është një shkelje e rëndë procedurës së votës, që në fakt do të thotë shkelje e votës në vetvete. Demokracia është procedurë: gjithkush ka të drejtë të banojë, të hajë, të dalë, të ushqehet, të luajë. Por askush nuk mund t’i bëjë këto pa paguar taksa, pa ndaluar në semafor, pa marrë leje nga autoritetet dhe mbi të gjitha duke mos shkelur të drejtën e tjetrit për të bërë të njëjtën gjë. Përndryshe do të quhej xhungël dhe jo demokraci. E njëjta logjikë vlen dhe për votën: ajo nënkupton një procedurë. Hyhet në dhomën e fshehtë, pasi më parë të të jetë lyer gishti me bojë dhe të jetë verifikuar identiteti. Shënohet partia ose kandidati që do të votohet në kuadratin e rezervuar për atë punë dhe hidhet në kutinë e duhur. Ky zinxhir vullnetesh përbën vullnetin e individit për të shprehur votën. Çdo dalje nga ky zinxhir është vullnet i vesuar, pra i papranueshëm. Dikush mund ta hedhë në kuti gabim, por dikush  tjetër mund ta bëjë me qëllim. Fakti që Kolegji pranon logjikën e votave gabim si të numërueshme përbën një rrezik të madh kundër sigurisë juridike dhe idesë se ndonjëherë në Shqipëri do të ketë vota të lira dhe të ndershme.

Për sa i përket pikës së dytë (nuk zgjidh çështjen e mospërputhjes së votave dhe të votuesve, duke e lënë të hapur dhe të debatueshme), Kolegji ndoshta bën një gjest politik që mund t’i japë drejtim kësaj situate: nëse rezulton se edhe pas numërimit kjo mospërputhje do të jetë më e madhe se diferenca mes kandidatëve, hapet rruga për zgjedhje të reja. Pra, Kolegji bën atë që nuk i kërkohet dhe katranos atë që i kërkohet. Në një aspekt më të gjerë, realisht, për çfarë shërben drejtësia?!
(Do të ishte gati dashakeqësi nëse do të merreshim dhe me përçudnimin përfundimtar të shqipes nga vendimet e gjykatave shqiptare. Por është fakt dhe ne duhet të pohojmë, qoftë dhe sa për të kujtuar, se edhe shqipja ka disa rregulla…)
                                                                                                                                                  Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *