Për ata që çirreshin për abstenim

Por pjesa më interesante e këtij mish-mashi kakofonik ishte kategoria e gjithmonë ndodhur në kohë vështirësish , ajo e abstenuesve.  E atyre që u duket vetja se kanë zbuluar sekretin sesi ta bëjnë Shqipërinë moderne me pak harxhime dhe me shumë dashuri e lule.  Dështuan mjerisht: Shqipëria është e plakur nga anadollakët që ka në pushtet dhe e mbytur në borxhe dhe në varfëri ekonomike dhe demokratike, që zor se është dëgjuar me parë.  Për inat të Edi Ramës, asokohe shumëkush nuk mund të shprehte dot se do ia jepte votën Bashës dhe shpikën armën që i dha fitoren këtij të fundit, atë të abstenimit.  Me këtë armë, sulmonin bilancet e Edi Ramës dhe të betonizimit që ai i kishte bërë qytetit.

Dhe kështu ata shtrembëronin me dashje çështjen thelbësore, e cila qëndronte në një pyetje shumë të thjeshtë:  do të legjitimonin reaksionin dhe vrasjet e tij pa asnjë shkak, do të legjitimonin 200 milionë euro të avulluara në pak kohë, do të legjitimonin njerëz me bllok në dorë dhe me pazare në kokë, do të legjitimonin shitjen e detit dhe shpërthimin e Gërdecit, apo do të tregonin me bindje se këto bëma i takonin të shkuarës.  Në vend të kësaj pyetje, ata dilnin dhe hidhnin tymnaja me teoritë e betonizimit, që nëse ishin të vërteta, ishin tërësisht jashtë subjekti, pasi para se të shtrohej çështja e vetëqeverisjes lokale, duhej të shtrohej çështja e qeverisjes sonë demokratike si komb.

Shpura e abstenuesve këmbëngulës ia arriti suksesshëm t’i japi votën një Kryetari Bashkie që sot shkatërron prona publike të pazëvendësueshme, sepse nuk prish dot prona private të shenjtëruara nga një mendësi liberalo-anadollake, pa patur asnjë mbështetje ligjore, asnjë vlerësim të ndikimit në mjedis dhe asnjë kërkesë për marrjen e opinionit të komunitetit.  Dhe këtë e bën me forcën e parasë, arrogancës dhe pushtetit personal që nis në Kryeministri dhe shpërndahet në mënyrë kapilare nëpër të gjithë hallkat ku ka zënë mirë helmi i korrupsionit të dukshëm.  Disa përfaqësues të denjë të kësaj shpure abstenuesish sot kritikojnë Bashkinë (jo Bashën) për veprimet e saj, por këta abstenues mjeranë duhet ta dinë që nuk vlen asnjë lekë.  Njerëzit e mëdhenj njihen në kohëra të vështira, një popull i madh njihet në çaste vendimtare, ata vendosën të jenë në krahun e kundërt, në krahun e atyre që për pak famë, arrogancë dhe lekë shesin çdo gjë dhe e bëjnë me bindje.  Falemindert shpurës së abstenuesve.  Folën në heshtje, kur ju kërkua të flisnin pa fjalë, por me një veprim të thjeshtë: me votë!

Viroi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *