Për Albert P. Nikollën

Në një artikull të botuar më datë 31 tetor në gazetën “Standard” të quajtur “Me eksplozivin e Dritëro Agollit”, autori përpiqet të na mbushë mendjen se së pari Dritëro Agolli është përfaqësuesi letrar i komunizmit edhe sot dhe rrjedhimisht  kur flet ai duket sikur Tirana mbulohet sërish nga një tis i hollë i kuq, së dyti që piramida si simbol i të kaluarës diktatoriale edhe mund të prishet, ndoshta ngase vet autori e ka të vështirë të shkëputet nga ajo mendësi dhe gjen një kokë turku për të shpëtuar veten nga gjynahet që i shkojnë nëpër mend kur kujton atë periudhë, por që në të vërtetë një qëndrim i tillë reflekton më së miri se c’mund të bëjë një intelektual (term gjithpërfshirës për të qënë sadopak i respektuar) si kundërshpërblim për pak njohje nga qeveria në pushtet.

Së pari, pa dashur të mbroj Dritëro Agollin, kam përshtypjen se në kuadrin e detyrimit të pasqyrimit të ngushtë të një realiteti hipokrit të socializmit në Shqipëri, Dritëro Agolli ka treguar disa herë (nuk është nevoja të citojmë vepra) se ai ka dashur dhe nuk i është shmangur dot shmangies nga klishetë e kohës dhe dhënies së një fytyre humane një sistemi që i ngjante një mekanike precizioni ku ndjenjat e njeriut ishin dicka që nëse shfaqeshin rrezikonin automatikisht regjimin. Dhe për këtë, atij i është bërë vërejtje asokohe. Ai gjithashtu ka sulmuar me ironi (në fund të fundit nuk besoj se Albert P. Nikolla do kërkonte që ai të sulmonte me pushkë…) mënyrën e organizimit dhe të promovimit të kuadrove në atë kohë, servilizmin dhe burokracira të tjera të tepruara që regjimi bënte sikur i luftonte. Po këto Albert P. Nikolla bën sikur nuk i di, i injoron. Po për të qënë intelektualisht të sinqertë, ndoshta autori duhet të nxirrte nga arkivat (ndoshta të tijat personale) disa vepra dhe të Ismail Kadaresë, që shkruan për parti dhe për Enver… Po natyrisht, Ismail Kadare nuk është angazhuar politikisht dhe është shumë i njohur për tu sulmuar… Me pak fjalë, autori godet atë që i intereson, duke përjetësuar metodat e vjetra komuniste, ato metoda të cilat ai mundohet me zor ti shigjetojë në shkrimin e tij…

Së dyti, më duket tërësisht e pavlerë të merremi me Piramidën. Jo sepse nuk dua ta mbroj. Do e mbroj dhe e them me bindje, jo sepse jam fëmijë bllokmenësh, madje nuk jam as fëmijë i lajkatarëve të bllokmenëve që sot drejtojnë PD-në dhe japin urdhra që të shkruhen artikuj si ky i Albert P. Nikollës, por sepse është pjesë e identetit dhe historisë sime. Këtë gjë dhe Albert P. Nikolla e kupton po interesat e tij vetjake pasurore e shtyjnë që ta sakrifkojë të mirën publike duke e sulmuar atë dhe duke anatemuar këdo që e mbron si pjesë e ngrehinës intelektuale të komunizmit. Piramida duhet të mbrohet me cdo kusht, sic mbrohet Victoriana në Romë (ndërtesë e fashizmit), sic mbrohet Reichtsag-u në Gjermani ose pallati i Cauceskut ne Rumani, jo sepse mund të ketë tek tuk nostalgjikë të totalitarizmave por sepse ashtu e kërkon vetëdija kombëtare dhe pasuria kulturore botërore, mbrojtjen e të cilëve nuk duhet ta sigurojë vetëm një drejtor i UNESCOS, pra një personazh i huaj por vet ne, duke filluar nga Alber P. Nikolla. Historitë me tempuj demokracish butaforët e qeverive t’i tregojnë si përralla në një jetë tjetër, sepse mua nuk më identifikon ai tempull ku shiten e blihen burra si pa gjë të keq, po më intereson të mbrojë ato pak gjëra që më bëjnë mua krenar të them se vendi im ka histori, në të mirë e në të keq.

Dhe së treti, fajin e kemi vet ne që i bëjmë iso butaforëve të cjerrë të qeverive. Kjo puna e Piramidës është shashka e radhës për të mbuluar aferat korruptive dhe mafioze që po e zënë qeverinë për fyti. Dhe ne, si popull sensibël që jemi por që nuk i shkojmë gjërave deri në fund, i anashkalojmë këto dhe merremi me shashkat si puna e Piramidës. Ajo nuk do të prishet. Është e pamundur. Ndoshta sepse dikush do t’a kthejë në mauzole për veten e vet, ose sepse thjesht nuk ka kohë për të bërë një gjë të tillë. Po një gjë është e sigurt, manipulimi që po na bëhet, me ndihmë e butaforëve qeveritarë është i dukshëm. Dhe më e keqja është se kanë guximin të prekin historinë tonë, qoftë dhe simbolikisht, për të mbrojtur veten e tyre dhe shtetin e tyre të vogël që organizon, mbron dhe promovon një histori të frikshme shkatërrimesh dhe harrimesh…

                                                                                                                                                        Stavri