Pas 29 qershorit, fiton Partia e Eurodyshuesve

Përpjekjet për gllabërimin e gjyqësorit dolën në pah ashiqare me  përpjekjen për të kaluar ligjin antikushtetues të lustracionit i cili u rrëzua pikërisht nga Gjykata Kushtetuese. Sot kemi një Prokurori të frustruar nga presionet e pushtetit, e paaftësuar nga dhuna psikologjike e Maliqit, që të ngrejë padi mbi afera me pasoja të rënda financiare si tuneli i Kalimashit, dhe njerëzore si tragjedia e Gërdecit. Me zgjedhjen e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së në krye të shtetit, institucioni i Presidentit u bë i tejdukshëm. Sot kemi një President kukull, i cili nuk prononcohet mbi krizën politike, nuk prononcohet për problemin e kufirit detar me Greqinë dhe nuk ka kthyer thuajse asnjë ligj nga ato që propozon Kryeministri (Parlamenti që të paktën formalisht e ka këtë kompetencë është institucion fantazëm që nga momenti i bojkotit të thuajse gjysmës së deputetëve). Krahasimi me numrin e madh të ligjeve që ka kthyer pararendësi i tij na bën të buzëqeshim me hidhërim dhe të konstatojmë se sot kemi të bëjmë me një President si ata të Republikave të Bananeve.

Kriza ekonomike: ashtu siç kemi thënë qysh një vit më parë në artikullin gjeopolitik “perandoria e naftës”, kriza ekonomike dhe financiare globale nuk mund t’i kalonte tangjent ekonomisë së brishtë shqiptare. Rreziku i falimentimit ekonomik të shteteve si Shqipëria, (dhe shembujt nuk mungojnë, Argjentina mbi te gjitha) duhet të na shqetësojë më shume ne, sesa Evropën fqinje, që ka boll probleme me ekonomitë e secilit prej shteteve që e përbëjnë. Në këtë kohë krize, shtete eurodyshuese (euroskeptike) si Anglia dhe Danimarka po i afrohen zonës së euros, ndërsa shtete kyçe të BE-së si Gjermania po distancohen nga politikat qëndrore të Brukselit duke tentuar një politikë paradoksalisht euroskeptike. Ekonomistët më në zë, sidomos nga shoqëria civile u munduan të vinin përpara përgjegjësisë qeverinë Berisha, por qoftë për arsye se zgjedhjet po afroheshin, qoftë për papërgjegjshmëri politike, morale dhe kombëtare, në vend që të ndërmerrej një ndërhyrje e vrullshme me reforma,  u boshatis arka e shtetit, u largua FMN-ja dhe u morën kredi të fuqishme për të mbyllur me ngut dhe në kohë rekord punët e nisura e deri më sot të pa bitisura. Mjafton të shohim katastrofën financiare të Tunelit të Kalimashit, financimi diletant dhe korruptiv i të cilit do t’u kushtojë borxhe të paimagjinueshme fëmijeve dhe nipërve tanë…

Në një revistë prestigjoze angleze, situata në Tiranë krahasohet me atë në Teheran. Të ngjashme në mënyrë shqetësuese, si dy pika uji, do të shtonim ne. Situata pre-elektorale dhe post-elektorale në Iran është trajtuar në disa artikuj gjeopolitikë të Gjeneralmegafonit. Po cilat jane keto ngjashmëri? Ashtu si edhe në Shqipëri, zgjedhjet në Iran u zhvilluan në muajin qershor. Me perqasje të ngjashme me atë të Kryeministrit Berisha, presidenti Ahmadinexhad përdor një fjalor shumë popullor dhe nxjerr nga goja e tij perla të kushtueshme me pasojë dyfishe; denigrimin moral të kundershtarëve dhe  gazmorizimin e imazhit të shtetit të tij në arenën ndërkombëtare. Edhe në Iran ashtu si në Shqipëri, opozita nuk i njeh zgjedhjet dhe akuzon vjedhje masive duke vërshuar cdo ditë nëpër sheshe. Ky krahasim pra, duhet të pakten të na bëjë të meditojmë. Ndërkombëtarët kanë bërë verejtjet e tyre me gjuhë diplomatike, dikush (sidomos SHBA-ja) edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke parashtruar nevojën e një dialogu i cili duhet të çojë në një marrëveshje, por cdo përpjekje ka rëne në vesh të shurdhër sidomos nga ana e pushtetit, i cila ka mjetet, fuqinë dhe detyrimin për të gjetur një kompromis.
Por ndër të gjitha perpjekjet e të huajve në të dyja rastet, si në Tiranë edhe në Teheran, vërehet një mefshtësi e BE-së dhe mungesë e një zëri të fortë të saj.  Evropa sot nuk është gjë tjetër veç një makinë gjigande burokratike e përbërë nga shume ingranazhe, të cilat përpara se të cojnë deri në fund një iniciativë, rrezikojnë të mbeten të bllokuara në një prej këtyre niveleve, duke çuar deri në tragjedi njerëzore. Le të kujtojmë masakrat në Bosnje-Hercegovinë, bashkefajtore e të cilave është Evropa e ngathët dhe e vonuar.

“Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa” është një parrullë tashmë e vjetër, është një ëndër nga e cila shqiptarët duhet të shkëputen ose së paku ta mendojnë dhe ta ëndërrojnë me më shumë objektivitet, pasi sot nuk kemi më të bëjmë me  Evropën e rrëzimit të mureve dhe ndryshimeve të medha por  thjeshtë kemi të bëjmë me Kontinentin Plak.  Kjo nuk do të thote që jemi kundër integrimit të vendit në Evropë. Por asgjë s’na pengon të qëndrojmë me këmbë në tokë, të jemi Eurodyshues dhe ndonjeherë Eurokritikë.
Integrimi në Evropë nga shqiptarët nuk duhet të shihet me romanticizmin e fillimviteve ’90, por me besimin e një pikësynimi. Duhet të shihet si një qëllim i asaj që duhet të arrijmë në aspektin e reformave, demokratizimit, liberalizimit dhe emancipimit të shoqërisë. Është e qartë që ekonomikisht jemi dhe vështirë të mos mbetemi ndër vendet më pak të zhvilluara. Kjo nuk përbën problem në vetvete pasi do të ishte e pamundur që të gjitha shtetet e një federate të ishin njësoj të pasura. Psh: shtetet që bëjnë pjësë në SHBA nuk kanë të njëjtat nivele ekonomike.
 Por në momentin që institucione të BE-së, pjesë të ingranazhit të kesaj makine gjigande burokratike, mbyllin një sy përpara standardeve të pa arritura, mbyllin një sy përpara shbërjes së shtetit të së drejtës, dhe i mbyllin të dy sytë përpara keqnumërimit të 1/3-ve të kutive të votimit (shifra i referohet pikërisht raportit të OSBE/ODIHR–it), duke përdorur një tjetër kandar për matjen e standarteve që duhet të arrijë vendi ynë në krahasim me vendet (e tyre) e BE-së; pra në këtë moment qëllimi që i kemi vënë vetes për të hyrë në BE, e gjen rrugën e mbyllur dhe pushon së ekzistuari. Në këtë moment partia e Eurodyshuesve bëhet më e  fortë se ajo e Euroromantikëve.

                                                                                                                                                                Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *