Parti të reja me ide të moçme

E para, u shfaq si varrmihëse e korrupsionit dhe si pishtar i zbatimit për herë të parë i politikave të majta në Shqipëri dhe e dyta si flamuri i atdhetarizmit modern. E para rezultoi një bashkim interesash, e dyta një bashkim atdhetarësh të pulës dhe të pilafit.

Për LSI-në faktet tregojnë se praktikisht ajo është një parti me një menaxhim të fortë, e ngjashme me atë të një shoqërie tregtare që ka si objekt fitimin e sa më shumë posteve me qëllim shpërndarjen e fitimeve (dividendëve…) të paktën një herë në dy vjet, përgjithësisht disa muaj para datës së zgjedhjeve. Shembujt e rrënimit moral të kësaj partie për çështje lekësh janë të shumtë. Të mos harrojmë grevistin e urisë Ilir Meta që u ngrit kundër ndryshimeve kushtetuese, derisa një ditë zbuloi se këto ndryshime janë si një kostum që ndryshon madhësinë në funksion të trupit që e vesh. Dhe ky Iliri ka zbuluar se kostumi mund t’i rrijë shumë mirë. Të rikujtojmë gjithashtu videon e anullimit të tenderit, për të cilin, i pandehuri Ilir Meta i drejtohet Prokurorinë me një mllef dhe arrogancë që i bën dëm edukatës politike dhe qytetare, duke dalë, i nxirë nga plazhi i Lalzit, në televizor dhe duke e kërcënuar hapur për reforma, që në fakt duhen kuptuar si spastrime politike, bazuar në Kushtetutën e re, dikur të bërë lanet, tashmë të konservuar me kimet. Në listë kemi dhe rastin e heshtjes bashkëpunese për shitjen e detit, e kështu me radhë. Që të kemi një pamje sa më të plotë, të mos harrojmë dhe privatizimin e ambjenteve sanitare në bllok, afër selisë së të sipërpërmendurës LSI dhe kthimin e tyre në dyqane të rëndomta veshjesh po aq të rëndomta… Dhe kjo kuptohet me bekimin e LSI-së, në ndjekje të objektivit lukrativ që i ka fiksuar vetes.

Historia e PDIU-t është pak më ndryshe. Në fakt, nuk ka histori të PDIU-t. Historia e PDIU-t përmblidhet në një fjali: lindi si bashkim partish krahinore, vdiq në provën e parë të zjarrit. Partitë, si bashkime vullnetare njerëzish që ndjekin një qëllim të caktuar, duhet të kenë një bazë të gjerë mbështetjeje dhe ide sa më shumë federuese (bashkuese) në mënyrë që të shprehin detyrën e tyre kushtetuese sa më mirë. Kësisoj, e kemi shumë të vështirë të besojmë se një parti me bazë krahinore dhe me ide kryesore ndreqjen e një padrejtësie historike (kjo pikë nuk vuan asnjë kundërshtim) të bëjë politika kombëtare, pikërisht sepse bie ndesh me idetë bazë të saj. Megjithatë, si parti qeveritare ajo iu fut punës që të bëjë atë që ka trumbetuar më mirë: të mbrojë interesat kombëtare. Dhe ku kishte më mirë sesa rasti që iu prezantua me çështjen e regjistrimit të fesë dhe të kombësisë.

Problemi i regjistrimit nuk është regjistrimi në vetvete, por përdorimi abuziv politik që mund t’i bëjnë disa qarqe shoviniste të vendeve fqinje që kanë degë të rrënjosura thellë dhe brenda Shqipërisë. Mund të duket paranojë, por kjo paranojë ka qënë lajtmotivi i fushatës zgjedhore të PDIU-t për zgjedhjet lokale. Në këtë kuptim, ligji, për sa i përket kombësisë, duhej amenduar, jo siç e amendoi PDIU, por duke e hequr tërësisht trajtimin e kombësisë. Deri këtu po ndjekim logjikën e atdhetarizmës së shtyrë në ekstrem, atë atdhetarizëm që gjendet në çdo retorikë të PDIU-t. Në diskutimin e projekt-ligjit kjo retorikë u la. Dhe u zëvendësua me një tjetër, shumë më bashkëpunuese me idenë e Qeverisë, pra në kundërshtim me qëllimin politik të mëparshëm. Dhe ku më mirë se në faqen zyrtare të PDIU-t mund të kuptojmë ndërrimin radikal të kursit të kësaj partie: “Qëllimi i PDIU-t për ndalimin e censusit mbi baza etnike dhe fetare arriti një sukses me miratimin e dy nga tre amendamenteve në ligjin për censusin. Amendamentet ndalojnë (?!) censusin mbi baza etnike dhe fetare me vetëdeklarim. Në rast se Komisioni Qëndror i Censusit do të vendosë në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë shqiptare (?!), që të përfshijë pyetje mbi kombësinë, statistikat që do të rezultojnë nuk do të preken nga abuzimet e mundshme. Kjo pasi amendamentet e PDIU-së detyrojnë INSTAT-in që të hetojë çdo deklaratë për kombësinë dhe ti ballafaqojë ato me regjistrin për gjendjen civile.” Deklarata pastaj mbaron triumfalisht duke deklaruar se ai që gënjen për kombësinë do të dënohet me gjobë të majme dhe se INSTAT-i do të rakordojë të dhënat e gjendjes civile me statistikat zyrtare.

Së pari, deklarata thotë se ndalohet censusi. Në fakt nuk ndalohet, por legjitimohet përfundimisht. Dhe këtu, kompromisi që ka bërë PDIU është jo vetëm i rëndë por rezulton dhe mashtrues sepse në fakt, deklarim të kombësisë do të ketë. Por, siç thotë vetë PDIU, deklarim që nuk bie ndesh me “vullnetin e shoqërisë shqiptare”… Me ngulm të madh kërkojmë ndonjë njeri që t’i japë njëfarë përkufizimi juridik këtij togfjalëshi. Ç’do të thotë të preket vullneti i shoqërisë shqiptare? Kur preket dhe nëse preket si reagon, si shfaqet? Me pak fjalë, vazhdohet retorika atdhetare, por duke marrë trajtat e vakuumit përmbajtësor. Dhe së dyti, çështja mbyllet me lugatin e quajtur gjobë. Që në fakt nuk tremb njeri! Sepse, dhe është pyetje që i drejtojmë teoricienëve të PDIU, si do e zgjidhin çështjen e deklarimeve në grup të kombësive? Do i vihet gjobë një lagjeje të tërë, apo një fshati të tërë?! Këto çështje ata i kanë menduar mirë, por përballë interesave të çastit janë dorëzuar. Ndoshta shqetësohemi kot. Ndoshta në globalizim këto çështje janë krejt të parëndësishme.

Çështja është, a duhet ta lejojmë veten të mashtrohemi edhe për çështje që kanë të bëjnë me kombin? Nëse po, domethënë se nuk jemi atdhetarë në kuptimin e shtetformimit, por atdhetarë në kuptimin e rehatisë personale. Domethënë se shqetësimi ynë kombëtar mbaron aty ku mbaron dhe pragu i shtëpisë sonë. Jetohet dhe kështu, por duke çaluar.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *