OSBE-ja e koherencës së munguar

“… Procesi administrativ [i përgatitjes së zgjedhjeve] u pengua nga afatet kohore të kufizuara, mungesa e kapaciteteve administrative dhe mangësitë teknike. Vëzhguesit afatgjatë të Misionit vunë re ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike dhe internetit, si dhe defekte dhe ndërrime të pajisjeve gjatë orëve të punës…”.

“… Te shumë vëzhgues afatgjatë të Misionit janë sjellë pretendime të përfshirjes së panevojshme të aktivistëve të PD-së në proces. Raste të tilla u konfirmuan në qarkun e Vlorës dhe të Korçës. Gjithashtu, ata kanë konfirmuar raste të shpërndarjes së kartave të identitetit mbi baza përzgjedhjeje dhe përpunimit më të shpejtë të të dhënave të aplikimit në favor të mbështetësve të PD-së, si për shembull në qarkun e Fierit dhe të Durrësit…”

Në momentin e zhvillimit të fushatës dhe përfshirjes arbitrare të shtetit në të:

“… Në një shkollë në qarkun e Tiranës, drejtori i shkollës ka kërcënuar se mësuesit do të hiqeshin nga puna nëse nuk votonin PD-në. Ai u kërkoi mësuesve të fotografonin fletët e votimit. Studentëve të Universitetit u është bërë presion se do ngelnin në provime nëse nuk merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së…” (faqe 8)
“… Qeveria ka përdorur aktivitetet zyrtare për qëllime fushate në mënyrë të përsëritshme, duke zbehur dallimin mes aktiviteteve shtetërore dhe atyre të fushatës, gjë që është në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së. Inaugurimet e projekteve infrastrukturore, të bëra nga Kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të lartë të PD-së, kanë qenë shumë të shpeshta […] dhe në to merrnin pjesë turma të mëdha njerëzish që valëvisnin flamuj të PD-së. Në disa raste inaugurimet ishin të sajuara. Për shembull, materniteti i rikonstruktuar në Durrës, i cili u përurua nga Kryeministri, u zbulua pak më vonë se nuk ishte funksional…” (faqe 8)

“…Pretendime ka patur në lidhje me abuzimin që PD-ja ka bërë me burimet administrative si makinat dhe ndërtesat zyrtare, si dhe përfshirjen e punonjësve të sektorit publik për qëllime fushate, çka është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Në tri raste, në Shijak (qarku Durrës) dhe në qytetet e Elbasanit dhe Korçës, vëzhguesit afatgjatë kanë parë kamiona të kompanisë OSSH duke vendosur flamuj të PD-së. Në Elbasan, ftesat e Kryetares së Kuvendit, për takimin e zhvilluar me gratë, u shpërndanë nga punonjësit e zyrës së Postës…” (faqe 9)

Deri më tani, është shfaqur një aspekt i mënyrës folkloristike të partishmërisë së nëpunësve shtetërorë në organizimin e eventeve të partisë në pushtet. Duket sikur po lexojmë ndonjë tregim nga Zullulandi dhe jo përgatitje fushate zgjedhore në një vend që aspiron të anëtarësohet në BE…

Raporti përmban dhe vërejtje në lidhje me procesin e zhvillimit të votimit. Këto janë shumë të rëndësishme pasi prekën direkt dhe rezultatin e zgjedhjeve.
“…Procedurat e shënjimit me bojë nuk respektoheshin gjithmonë: në 29% të qendrave të votimit të vizituara u pa se jo të gjithë zgjedhësit kontrolloheshin nëse ishin shënjuar me bojë, kurse 10% ata nuk shënjonin me bojë, një element i rëndësishëm që garanton parandalimin e votimit të shumëfishtë. Vëzhguesit raportuan shtatë raste, ku zgjedhës që kishin shenja boje u lejuan të votonin…” (faqe 13)
“… Në 9% të qendrave të votimit nuk sigurohej fshehtësia e votës. Raste të votimit familjar u raportuan në 19 qendra votimi, duke dëmtuar kështu fshehtësinë e votës. Probleme në emër të personave të tjerë (3% të qendrave të vizituara), raste kur një person “ndihmonte më shumë se një votues (4%), presion mbi zyrtarët e zgjedhjeve (1%). Në 3% të qendrave të votimit u vunë re persona të paautorizuar, të cilët u panë duke ndërhyrë ose duke orientuar procesin…”

Nëse dita e votimeve kaloi në një qetësi relative, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për fazën e numërimit. Dhe Raporti e reflekton një gjë të tillë:
“… Vëzhguesit e vlerësuan numërimin në 22 nga 66 qendra numërimi si negativ. U verifikua prania e njerëzve të panjohur, ose deputetëve dhe figurave të rëndësishme politike në 49 qendra numërimi nga 66. Presioni që ata ushtruan ishte më i madh në zonat ku dukej se rezultatet do të ishin shumë të afërta…”.

Problemi kryesor kishte të bënte me kutitë e panumëruara. Raporti, bazuar në nenin 116 të Kodit Zgjedhor pranon (nën zë, por e pranon) se interpretimi sipas të cilit nëse vihej re një parregullsi, KZAZ ndalonte numërimin ose nuk hapte kutitë e votimit ishte i gabuar. Dhe faktikisht, asnjë dispozitë në Kod nuk i jep kompetencë Grupit të numërimit ose KZAZ-së të deklarojë një kuti votimi të parregullt pasi ajo ka filluar të numërohet.

“Së fundmi, sistemi i monitorimit nuk pati rezultatet që priteshin, pasi u vu re shumë qartë se kamera nuk reflektonte me saktësi votën në fletën e votimit dhe se kjo kamera nuk tregonte se ku përfundonin votat, pra nëse vota x përfundonte me votat e tjera x apo në stivën e votave y… “

Këto pasazhe tregojnë mjaft qartë që këto zgjedhje nuk patën atë nivel që pritej. Megjithatë, përtej debatit sesa kanë influencuar këto probleme në rezultatin zgjedhor, dëshirojmë të nënvizojmë faktin se këto probleme kanë prekur dhe vetë thelbin e çdo demokracie, i cili është vullneti i lirë i çdo personi për të shprehur votën e vet, pa patur frikën e trysnive ose frikën se ajo votë nga e zezë do të bëhet e bardhë. Nëse duam të arrijmë standardet, duhet që të mbrojmë votën e lirë nga çdo lloj ndërhyrjeje barbare që cënon vullnetin e sovranit. Mbase dhe ky do të ishte mesazhi që pritej nga OSBE-ja. Dhe jo mesazhi i zbehtë “që i fton palët të vazhdojnë luftën demokratike në parlament”. Nëse kjo luftë politike do të bëhet në Kuvend, atëherë do të zbeheshin në mënyrë të padrejtë parregullsitë dhe kështu do të vazhdohej dhe do të vazhdojë dhe në zgjedhjet e reja. Ka ardhur koha që politikës së tërheqjes por pa këputje t’i themi ndal. Dhe më e habitshmja është se tekstin dhe muzikën e kësaj serenate e shkruan prania evropiane ne Shqipëri, ajo që duhet të jetë më e vendosur se kurrë në mbrojtjen e parimeve demokratike, pasi nuk besojmë se shkelje të tilla ndodhin në vendet e tjera të Evropës (përfshi këtu dhe ato që nuk e kanë ende statusin e kandidatit si për shembull fqinjët tanë…). Dhe OSBE-ja bie në kontradiktë me veten e saj duke nxjerrë problemet në raportin e saj final, por duke i harruar ato në deklaratat që ka bërë këto kohët e fundit në lidhje me bojkotin e Kuvendit, se në fund të fundit më mirë do të bëhet dhe se gjërat ecin vetë. Po atëherë, ku janë parimet? Ku janë orët e leksioneve të pafund mbi demokracinë, lirinë e të shprehurit, shtyllat e shtetit të së drejtës, e teorisë së konstitucionalizmit??

Është e vërtetë, edhe më mirë mund të bëhet për Shqipërinë e standardeve të munguara, po jo me këtë mënyrë. Më mirë mund të bëhet vetëm nëse mbrohen kolonat e shtetit, të cilat nuk duhet të sakrifikohen për hir të asnjë lloj “stabiliteti”. Këtë duam të dëgjojmë nga Evropa, por në fakt po dëgjojmë krejt të kundërtën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *