Ora shqiptare e kujtesës ose alkimia e harresës

Njerëzimi kishte nevojë për memorje, për të kujtuar kohërat e lavdishme ose ato të disfatave por mbi të gjitha për të kujtuar tragjeditë e mëdha në mënyrë që ato të mos përsëriten më. Gjermanët sot përkujtojnë rënien e murit të Berlinit, si simbol i ribashkimit të një populli dhe për të mos harruar fatkeqësitë e mëdha që solli sistemi diktatorial në anën lindore të tij. 27 Janari është dita e kujtesës së holokaustit, dita që u kujton brezave të rinj se çfarë ndodhi në kampet e përqëndrimit gjatë luftë së dytë botërore. Në fund të fundit kjo është vlera e historisë, kujtesa dhe raportimi i së shkuarës me të tashmen në mënyrë që të mos harrojmë dhe të mos bëjmë serish të njëjtat gabime.

 

Le të kthehemi tek Shqipëria dhe nevoja e shqiptarëve për kujtesë. Partia Komuniste e Shqipërisë pati idenë e shkëlqyer që për 45 vjet ta modifikonte historinë sipas tekave dhe deshirës. Aty ku ishte e zezë e bëri të bardhë dhe aty ku ishte e bardhë e bëri të zezë, modifikoi ngjarje të rëndësishme historike, zbehu ose zhduku plotësisht personalitete të kombit. Qëllimi i vetëm i partisë dhe i udhëheqësit të saj të padiskutueshëm ishte jetëgjatësia e pushtetit të tyre. Fatmirësisht gjërat ndryshuan dhe për ne shqiptarët kjo mund të quhet histori, në kuptimin që i përket të shkuarës. Por sot në 2009-ën na ndodh që bëjmë e ribëjmë të njëjtat gabime duke rrezikuar që edhe sa është shkruar më sipër të mos e gjejmë më në librat e historisë por vetëm nëpër media, për një kohë të shkurtër dhe pa memorje. Qeveria e gjëmave të harruara na servir pjatën e ditës. Një libër historie me gënjeshtra, me trillime, me mangësi dhe gabime që shkojnë ndesh me interesat kombëtare. Shefi i kuzhinës nuk eshtë sic mund të mendojë mendjelehtësisht shumëkush prej nesh, ndonjë çetnik serb, por një profesor doktor i tashmë të harruarës Akademi e Shkencave të Shqipërisë. Sigurisht, nuk dyshojmë që qeveria dhe lideri i saj i padiskutueshëm kanë ndërhyrë personalisht në shkrimin e librit të historisë për shkollat e mesme. Por nëse kryeministri i mban pranë ushtarët e tij edhe kur këta gabojnë edhe kur këta shfaqin më shumë zell se ç’duhet për lartmadhërimin e tij, atëhere ai u jep një sinjal të qartë të gjithë militantëve dhe mediokërve: “O burra përpara se po gabuat ju mbron pushteti”. Janë të shumtë shembujt e atyre të cilët kanë çeshtje gjyqësore të hapura dhe në vend që të pushohen nga detyra, mbajnë poste të larta në administratën shtetërore…
Rezultat i harresë është përsëritja dhe ripërsëritja e gabimeve. Shumë shpejt harruam diktaturën komuniste, gjëmën e 1997-ës, kaosin e 14 shatorit 1998, Gërdecin. Me këtë ritëm shumë shpejt do të harrojmë edhe që kemi një kujtesë.

                                                                                                                                                                      Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *