Opozitë e dyzuar

Shumë arsye të tjera mund të rreshtonte Opozita për të mbajtur një qëndrim radikal në raport me Qeverinë, që do të çonin në qëndrime radikale dhe kundrejt kalendarit politik që po afron, pra zgjedhjet vendore të 8 majit. Shumëkush mendoi se pasoja e natyrshme e qëndrimeve të Qeverisë do të kishte si përgjigje një rezistencë të Opozitës që mund të shkonte deri në një tërheqje nga pjesëmarrja në zgjedhjet vendore derisa një minimum kushtesh për realizmin e qënësishëm të tyre të ishin përmbushur. Në fund të fundit, i takon Qeverisë si ushtruese e pushtetit të bëjë lëshime, për më tepër kur ato kërkohen në emër të diçkaje pozitive, siç është transparenca. Dhe rezistenca do të mishërohej gjithashtu dhe me protesta, rezistencë civile paqësore etj…

Në fakt, tani për tani asnjë nga këto nuk po vërtetohet. Motorri i Opozitës rreshti plotësisht së punuari  menjëherë pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit. Ndoshta mendje të shumta njerëzore mund të mendonin se liderët e Opozitës nuk donin të fitonin kapital politik duke shfrytëzuar viktima dhe kjo deri diku mund të kuptohet. Por me kalimin e kohës dhe me zbardhjen e disa elementëve hetimorë ku rezultoi se vrasjet erdhën në një kohë kur nuk kishte asnjë lloj rreziku ndaj asnjë lloj institucioni, Opozita , në emër të viktimave, duhet të vazhdonte luftën politike, dhe për një arsye fare të thjeshtë: hetimi i 21 janarit rezultoi të kishte ngecur! Këtë e thonë dhe ndërkombëtarët. Ah po! Ndërkombëtarët… Sa për të krijuar një digresion të vogël në lidhje me ta. Hetimi i gazetarit anglez dhe zbulimi se tre deputetë të ngjyrave të ndryshme Parlamentit evropian ishin përfshirë në një skandal 100,000 eurosh na shtyn të besojmë se çfarëdo lloj gjëje që ata thonë dhe çfarëdo lloj veprimi që kryejnë shtyhet potencialisht nga interesa të cilat ata i mbrojnë përkundrejt një shpërblimi të majmë. Ky skandal (ndoshta kjo pikë do të trajtohet në një artikull tjetër) shpreh dukshëm dyshimin në rritje që kanë njerëzit kundrejt kastave politike të huaja ose shqiptare. Kjo do të thotë se intensiteti i fjalëve që ka thënë ndonjë fanatik i Salës nga foltorja e PE-së është në proporcion të drejtë me shumën që ka marrë. E vëshitrë që të vërtetohet, por legjitime që të dyshohet…

Që të kthehemi të Opozita, të gjithë elemëntët që përmendëm më lart (përfshi dhe hetimet e cunguara të 21 janarit) dhe së fundi skandali i listave të zgjedhësve do të ishin të mjaftueshëm që ajo të  ruante koherencën e saj që e ka mbrojtur në mënyrë xheloze dy vjet rresht. Por jo! Nga dita në ditë, protesta u kthye në miting ku vu re një rikthim në retorikat mesianike, ku nuk u kërkua asgjë konkrete. U vu re një mobilizim i partive nëpër rrethe, mobilizim që ndodh një herë në katër vite, ateherë kur liderët vendorë mendojnë se duhet të punohet për të mirën e komunitetit, pra me pak fjalë, u ndje afrimi i festës së madhe elektorale, aty ku shqiptarët fitojnë të drejtën të hanë dhe të zhvasin më shumë se ç’kanë ngrënë e zhvatur katër vjetët e mëparshëm… Po ku është lufta politike? Përse para dy muajsh “Shqipëria nuk mund të bëjë dot zgjedhje në këto kushte” dhe përse tani ajo do të futet, paçka se ato po përgatiten në mënyrë të rrëmujshme dhe të pashpresë? Përse kjo mungesë koherence?

Nëse Opozita ka hallin e ndërkombëtarëve, më duket se po shqetësohet kot. Me rënien e komunizmit dhe më fitoren e lavdishme të kapitalizmit anembanë rruzullit, ndeshemi dukshëm dhe me fenomenin e korrupsionit, më lulëzues se asnjëherë. Skandali me tre eurodeputetët është domethënës. Nëse ka hallin e vendorëve dhe posteve të tyre, Opozita bën një gabim fatal sepse nuk mund të pretendohet në ndryshim radikal të politikës duke u përpjekur për ruajtjen e interesave ekzistuese. Çdo përpjekje për ndryshim paraprihet nga vullneti për sakrificë. Nuk jemi të sigurt nëse Opozita po e bën këtë, madje dyshojmë nëse e ka vullnetin për një gjë të tillë. Nëse e ka hallin te skepticizmi dhe interesimi i pakët i shqiptarëve për të ardhmen e tyre demokratike, jemi të detyruar të pranojmë se një Opozitë ku i mungon koherenca e duhur nuk mund t’ja zgjojë dot popullit ndjenjat e pjesëmarrjes dhe vendosmërisë për një të ardhme më të mirë. Aktualisht, nëse shqiptari sot vë në peshore interesat ngushtësisht vetjake nga njëra anë dhe shoqërore nga ana tjetër, peshorja si instrument do të zhduket fare… Prandaj dhe ekziston mundësia e turpshme që LSI të dalë me ndonjë përqindje të lartë në këto zgjedhje…

Të merresh sot me Opozitën ndoshta është e tepërt. Vëmendja jonë duhet të përqëndrohet mbi veprimet e Qeverisë. Por është e rëndësishme që asaj t’i rikujtohen disa parime të cilat nëse mbrohen edhe populli do të mund të fitojë besimin te ajo. Përndryshe, këtu gjithçka do të jetë farsë…

 

                                                                                                                                                                   Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *