Njerëzit e lirë të administratës

Po se c’kanë një rregullsi e disipline gati ushtarake këto mitingje blu! Të gjithë si të vënë në rresht për një. E kudo njësoj në çdo qytet. Monotoni. Asnjë pëshpërimë, asnjë qëndrim i shkujdesur. Nuk e di, nuk më kishin zënë sytë më parë një formë të tillë uniforme të mitingjeve tek ne. Mbase ngjasojnë me parakalimet e Majit apo Spartakiadat e regjimit komunist që jepen tani në dokumentare, po ato çoç kishin në dukje më shumë ngjyra. Në thelb ngjyra e atij regjimi ishte gri, si në çdo diktaturë nën të cilën të zhbëhet individualiteti. Si një borgjez i mirë nuk duhet të më bënin përshtypje këto forma mitingjesh , do më dukeshin veçse një fenomen kalimtar. Mjafton ti kujtoj vetes se Shqipëria ka qenë, është e do te rrojë përjetë. Deviza e cdo atdhetari, pas të cilit qëndron me raste hija e një kollaboracionisti regjimesh. Pastaj, tërë kjo rregullsi a nuk është shprehje e stabilitetit. Jo! Eshtë asgjë më shumë e asgjë më pak se shprehje e një fashizmi korporativ, që e pati zanafillën nga javët e fundit të Janarit 2011 e bëhet i dukshëm në prag fushatash si kufiri i fundëm i mbijetesës, por edhe i dhunës.

Shpresë vanitozësh (xhaxhi Makiaveli anëtarësohet në PS)
Dokumentarët mbi, dhe nga udhëheqësit nuk paskan fund tek ne. Çdo verë është bërë e zakonshme të gëzohemi me thyerjen e rekordit të notit të Kryeministrit në detyrë . Po edhe në dimër, kënaqemi kur shohim Kryeministrin të ngjitë malin e Dajtit me të afërm të tij. Shumë do thonë është metodë amerikone. Nuk më bind. Zanafilla këtej tek ne është tek xhaxhi Enver që e kish gojën me sheqer, që rrobat i arnonte e një pllakë bukë misri me djathë e hante. Ulej përditë në studion e tij të punës mes shumë shkresash që shqyrtonte e firmoste. E tëra në të mirë të ndërtimit të socializmit në Shqipëri. Vetëm mendjet e njerëzve me tipare diktatoriale e narciziste e paraqesin veten si të jashtezakonshëm. Para ca ditësh mëtonjësi për Kryeministër, kryetari i opozitës (që prej gati një vit shprehet i sigurt se do të jetë Kryeministër) paraqiti një video mbi tiparet e tij prej udhëheqësi. Një familje e tërë e mobilizuar për t’i ndihur të vijë në pushtet. Pak të thuhet që ishte një veprim i tepërt. Të bën të dyshosh se një familje (sado e rafinuar të jetë, finesa kulturore nuk përbën garanci kundrejt abuzimit me pushtetin) do të zëvendësojë familjen aktualisht në fuqi. Kam patur përherë bindjen se ‘qëllimi justifikon mjetin’ nuk ka qenë e lidhur ndonjëherë me atë që përfaqëson e majta. E majta është tejkalim, jo negativi i kopjes të së djathtës. Xhaxhi Makiaveli vlen vetëm në ato shoqëri te cilat, nuk kanë patur e nuk kanë ndërmend të ndërtojnë institucione, ku mbizoterojnë aleancat e përkohshme, ku zë vend mosbesimi, e të duhet sipas rastit të sulmosh apo të mbrohesh. Batuta sa shumë batuta. Edhe Duçja lëshonte batuta që të shkulnin gazit. Me pak fjalë: Plebishitet e fitoret spektakolare janë fillesat e një regjimi të ri.

Coli (borgjezi i përkorë dhe i ndrojtur)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *