Një vit më vonë, një vit më shumë

Demonstrata njohu një epilog të hidhur, me vrasjen e synuar të katër demonstruesve dhe me talljen e pafytyrë të Saliut që përmendte një puç imagjinar shteti mjaft të sofistikuar, me çadra pistoletë dhe me thika me helm. Simboli që zgjodhi ai për të na diktuar rendin e ri që po vendoste ishte fyes: në mes të Evropës, në prag kandidimi për anëtar i BE-së dhe në hyrjen në 100 vjetorin e Pavarësisë, Saliu zgjodhi të dalë para kamerave me gardistët e tij, duke imituar bukur pamjen e një junte ushtarake të Amerikës Latine, nga ato që nuk ekzistojnë më dhe që po u bëhet gjyqi, me shumë të drejtë, për shkak të krimeve që kanë kryer.

Dhe mes duartrokitjeve të gardistëve mercenarë, që shëmtojnë ku s’ka më mburojën e Republikës së të gjithëve, ai shpalli në mënyrë të heshtur reaksionin e fortë të ditëve dhe muajve në vijim: vjedhja e hapur e votave në 8 maj, duke përdorur sistemin gjyqësor, shitjen me frenezi të pasurive publike, shantazhimin e familjarëve të viktimave të 21 janarit, zvarritjen pafund e procesit të Gërdecit, shtypjen me anën e aferave të pista të përpjekjeve të minatorëve për të hedhur dritë mbi korrupsionin që u merr frymën, sikur mos të mjaftonin galeritë e minierës, robotizimin e studentëve dhe duke e mbyllur në apoteozë, me shpalljen të pafajshëm me rezultatin 5 me 0 të mikut të tij të halleve, pra mikut të tij më të mirë, Ilir Metës. E gjithë kjo e shoqëruar me butaforët qeveritarë që legjitimuan ndërhyrjen shtazarake të policisë në 21 janar, që argumentuan me juridizma mejhanesh fitimin e mandatit të Tiranës, që mbrojnë me pasion privatizimin e gjithçkaje në Shqipëri edhe pse e kanë humbur busullën dhe nuk e kuptojnë as vetë përse e bëjnë, nëse nuk është e motivuar nga ndonjë arsye fitimesh personale. Dhe në fakt, ky është argumenti i vetëm i qeveritarëve. Nuk ka tjetër.

E keqja është se kjo sjellje po imitohet dhe në Kosovë. Protesta e 14 janarit nxori në pah dhe atje anën më të errët të qeveritarëve tanë. Kryeministri Thaçi ka mësuar mirë nga Saliu në fushën e reaksionit të egër kur bëhet fjalë për mbrojtjen e pasurive të veta personale. Ne nuk mund ta arsyetojmë ndryshe mënyrën e tyre të të sjellurit. Protesta është mjet legjitim i shprehjes së demokracisë. Akoma më tepër kur mbron normat që miraton vet shteti. Por nëse qeveria shtyp protestuesit në mënyrë krejt të disproporcionuar kur ata dalin në rrugë, jo për të mbrojtur interesa të tyre (siç bëhet kudo), por për të mbrojtur interesat e shtetit të vet, domethënë se qeveria mbron interesat e saj personale dhe kësisoj ajo humb çdo legjitimitet për të drejtuar.

Përse kur populli agon, qeveria reagon? Përse kur populli ngre krye dhe manifeston me energji për të drejtën e mohuar, represioni bëhet edhe më agresiv? Përse përpjekjeve për bashkim, qeveritë tona mjerane i ndalojnë duke bllokuar me arsye idioteske kufirin? Përse argumentave qeveritë u përgjigjen më gëkmëke histerike? Arsye tjetër përveç mbrojtjes së interesit personal për të fituar sa më shumë dhe për të mbajtur pushtetin për këtë qëllim, nuk ka!

Ky ishte një vit i vajtur dëm, një vit më shumë përçudnimi. Por të paktën pati meritën e çjerrjes së maskës së mënyrës se si na drejtojnë. Pati meritën e ndërgjegjësimit, edhe pse të vonuar, se kështu nuk duhet të vazhdohet më. Në çfarëdolloj mënyre duhet të vazhdojmë të themi fjalën tonë, të protestojmë pakënaqësinë tonë, të mbeshtesim njëri-tjetrin, mos të presim zgjimin e vonuar të ndërkombëtarëve (që duket sikur e kanë kthyer pllakën pas triumfit të të “vërtetës” Meta), por t’u bëjmë të ditur vetes sonë dhe botës se drejtësia duhet të vihet në vend, jo vetëm drejtësia për 4 dëshmorët e 21 janarit, që është e një rëndësie madhore por edhe drejtësia sociale, pa të cilën 100 vjetori do të jetë një farsë dhe këtij viti të humbur fatkeqësisht, do t’i shtohen të tjerë. Kjo nuk është perspektiva jonë. Duhet ta shprehim këtë çdo ditë, duke filluar nga nesër.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *