Një vit më vonë, dy punë më shumë

Të renditura më poshtë:
– Prishja e projektit për qendrën e Tiranës dhe katrahura arkitekturore që shohim sot. Një shesh që asnjë arkitekt nuk ka guximin ta quajë shesh, lëmsh për qytetarët që nuk e patën kurrë një shesh për këmbësorë, rrëmujë për makinat dhe një ferr i vërtetë për policët e gjorë të trafikut. Thuhet se është thjeshtë një situatë e përkohshme sepse projekti i vërtetë do të jetë një tjetër, i shkëlqyer. Po e marrim si të mirëqenë. Durimi s’na mungon, kemi 22 vjet që presim.

– Prishja e njërës prej 2 rrugëve për këmbësorë që ka pasur ndonjë herë Kryeqyteti, kuptohet pas shpikjes së makinës me katër rrota dhe Papaqit me dy. E kemi fjalën për një rrugë të vogël te zona e ish Bllokut. Nuk është e qartë nëse do t’i kthehet sërish qytetarëve për të shëtitur apo makinave, për qytetarët që duan të shëtisin brenda tyre, por kështu si është na duket as mish as peshk.

– Prishja e Parkut të Liqenit me pretekst rregullimin e rrugës së Elbasanit. Në fakt sot, po të kalosh aty, sheh një rrugë ashtu, të prishur në të dyja anët, ndërsa atyre dhjetëra pemëve që u prenë u kemi thënë lamtumirë përgjithmonë. Basha thotë që ishte gabim i dikujt, s’dihet mirë i kujt, por jo i tij. Pyetja është a do bëhet të paktën rruga apo do e lenë ashtu? Kush do të jetojë do të shikojë. Por varet sa gjatë do të jetojë ai që ka kuriozitet të shikojë.

– Prerja e një lisi shekullor, që sinqerisht nuk na shqetëson shumë se jetojmë në vendin e Gërdecit, por po e rreshtojmë si punë të Bashkisë sepse e tillë është. Ky lisi, sikur të mos e kishin transmetuar televizionet, madje në formë lajmi të bujshëm, mbase nuk do të ishte bërë kaq i famshëm. Në fakt është një pemë që ka jetuar aty, te lulishtja përpara Galerisë së Arteve, më gjatë se çdo Tirans. Prandaj çdo kryeqytetasi iu kujtua menjëherë për cilën pemë behej fjalë kur e lexuan lajmin. Por Basha nuk është nga Tirana prandaj nuk i dhimbset. As neve nuk na bën përshtypje sepse këtu ikin jetë fëmijësh në punishtet e shtetit, e s’ka si të na dhimbset një pemë e vetme. Por ku dihet mbase bashkia ka mbjellë një fidan të ri aty ku më parë qëndronte një lis i vjetër. Le të bëjmë durim e të presim edhe pak…

Këto për sa i përket prishjeve, plotë 4 punë. U premtua ndryshim dhe neve ndryshim na duket. I lumtë!
Por Bashkia edhe ka dështuar në ndonjë premtim elektoral, siç ishte ai i hipotekimit të banesave të Tiranës brenda 100 ditëve të para…
Çfarë tjetër gjatë këtij viti?! Ah po, dëgjuam që po ndërhyhet për rregullimin e trafikut te një rreth-rrotullim në hyrje të Tiranës. Ishte rreth-rrotullim dhe do të mbetet rreth-rrotullim. Nuk është e qartë si do ta përmirësojë trafikun por vlen si lajm. Ah po, edhe qoftet e tymit te kioskat afër bashkisë përbëjnë lajm.

Nuk e dimë juve si ju duket por neve na duket ndryshim epokal. Nuk na mbetet veç ta përgëzojmë Bashën për Tironën.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *