Një përrallë e vërtetë!

 Le të kthehemi dhe një herë tek vogëlushët e klasës së parë, tek brezi i së ardhmes – se ne rinia e sotme jemi krejt të pafuqishëm për të rezistuar, dhe me rezistencë kuptojmë ndalimin e keqbërjes shtetërore dhe jo thjesht shprehjen e fjalës së lirë (edhe pse fjalën e lirë e kemi, ajo vështirë se nxit reagimin e shqiptarëve).

Kur të rriten vogëlushët, kur të bëhe burra, le ta zemë në vitin 2033, cfarë do lexojnë në internet (një studim amerikan parashikon që pas 20 vitesh nuk do ketë me shtyp të shkruar) për datën 14 Shtator 2009? A do ketë hyrë në histori si dita e parë e shkollës së 50000 vogëlushve, dita e parë e së ardhmes së tyre, apo do kujtohet si dita e fundit e shpresës së shqiptarëve të asaj kohe për shtet ligjor dhe për politikë të moralshme.
Çfarë mund të thuhet tjetër?
 Në 14 shtator 2009 njeriu më me fat u shpall Z. Fatmir Mediu, në atë ditë  ministër taze i Mjedisit, më herët  ministër i Mbrojtjes (i dorëhequr për çështje morale), sot (2033) ministër i arsimit.
Në 14 shtator 2009, njeriu më hipokrit u shpall Z. Fatmir Mediu sepse avokatët e tij paradite kërkojnë pezullimin e çështjes gjyqësore për shkak të imunitetit, dhe pasi ja arrijnë kësaj, mbasdite kërkojnë nga gjykata të gjejë mundësi për  vazhdimin e çështjes, ndërkohë që vetë Z. Fatmir Mediu e konsideron veten pa imunitet.
Më tej, 14 shtator 2009 njerëzit më të fuqishëm dhe të pushtetshëm u shpallën Z. Sali Berisha, Z. Fatmir Mediu dhe Z. Lulzim Basha… po ndalojmë këtu për të bërë paksa më sportive renditjen. Tre muskultierët!
14 shtator 2009 institucioni më antipopullor i Republikës u shpall Gjykata e Lartë ose Gjykata Supreme (na pëlqen kjo fjalë, tingëllon si hyjnore); ndërsa institucioni më i paaftë Prokuroria e Përgjithshme, dhe kjo në rastin më të mirë, se mund të kemi dhe një variant tjetër për prokurorinë si p.sh. “e kapur”, e korruptuar, por këtë koha do e tregojë .
14 Shtator 2009, Media (se mos ngatërroheni, nuk thamë Mediu) bën detyrën e saj të zakonshme, misionin e saj për të informuar popullin, sovranin që i dha imunitetin Z. Fatmir Mediu. Populli jonë është bujar. Ja që dhe ne shqiptarër, kemi ca vlera, nuk jemi krejt pa gjë.
14 shtator 2009, njeriu më i varfër, i varfër  në shpirt, u shpall … e gjeni dot?… mirë po j’ua themi: Z. Fatmir Mediu. Njeriu më cinik Z. Fatmir Mediu, ish ministër i mbrojtje (i dorëhequr për çështje morale).
14 shtator 2009, njeriu më konstitucionalist Z. Bamir Topi.
14 shtator 2009, njeriu më frikacak, Ne, Populli.
14 shtator 2009, etj., etj.
***
Në këtë reagim të shkurtër tonin nuk donim të ndaleshim në detaje konkrete apo juridike të çështjes së zotit Mediu (edhe ne e pranojmë konceptin e prezumimit të pafajsisë), se ajo  është trajtuar gjerësisht nga mediat dhe analistët profesionistë. Ne thjesht donim të jepnim reagimin e një qytetari të thjeshtë, reagim që proteston për shmangien nga procesi gjyqësor i Z. Fatmir Mediu, si rasti më i rëndë, se edhe Z. Lulëzim Basha pati të njëjtin fat.
Së fundi, shpresojmë që Z. Fatmir Mediu, tashmë si Ministër i Mjedisit do japi kontributin e tij në pastrimin e zonës së Gërdecit nga pluhuri i vdekjes. Në këtë mënyrë, lan dhe mëkatin e tij – jo ligjor – atë moral e kemi fjalën, dhe opinioni publik shqiptar, populli (përveç elektoratit Republikan që e ka kaluar këtë etapë më herët),  do e fali Atë, Zotin Fatmir Mediu, ish ministrin e mbrojtjes, ose më saktë do e varrosi thellë në harresë… sepse fatkeqësisht nuk kemi as edhe një shpresë që, populli do ngrihet në protestë apo reagim shoqëror, thjesht kujtojmë këtu ato pak protesta, të trishta në pjesëmarrje dhe vazhdimësi, në javët e para pas vaktit të parë të Gërdecit!!!
Mirupafshim i dashur lexues. E  nëse ti je dakort me ne, mundohu të “bindësh” edhe ndonjë tjetër, e ai tjerti një tjetër, e kështu me radhë, derisa të bëhemi shumë, aq sa e paligjshmja dhe e pamoralshmja e shoqërisë sonë të trembet, të zmbrapset, … dhe vlerat njerëzore të fluturojnë të lira.
                                                                                                                                                     

                                                                                                   GJENERAL MEGAFONI                  
                                         

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *