Nikotinë dhe Berishizëm

Këta jo vetëm nuk e dëgjojnë veten e tyre por as nuk e dinë se çfarë flasin.  Bindjen mund ta kenë të fortë, që Berisha është politikan i shekullit të shkuar, por kur të votojnë në 2013-ën sërish atij do ia japin votën.

Duke i thënë vetes që Berisha do të largohet në fund të këtij mandati ne bëjmë paqe me vetveten, me bashkëkombasit dhe me fqinjët, me të cilët na vjen rëndë të ballafaqohemi.  Pas kësaj mund të flemë gjumin e të pafajshmit, sepse gjërat do të ndreqen vetë e ditë më të mira do të vijnë.  Ka edhe nga ata që gjumin e bëjnë pa brengë, sepse më keq nuk ka ku të shkojë, e pra veç më mirë mund të bëhet.  Por ka edhe naivë të tjerë.  Ka nga ata që janë anëtarë të partisë më të madhe opozitare, madje drejtues të saj, madje kam filluar të dyshoj edhe tek kryetari i opozitës, naivë këta të fundit që vërtetë besojnë se në zgjedhjet e ardhshme gjërat do të ndryshojnë. Pas kaq e kaq vitesh Berishizëm?! Pa pritur e pa kujtuar?!

Por realiteti është një tjetër.  Berisha, me promovime librash dhe mesazhe Twitteri, nuk largohet! Me votë nuk ka shance!  E madje, as me opozitë bojkotuese tashmë nuk mund të luftohet. Berisha thjeshtë nuk ikën më.  Kjo këmbanë bie për ata që kanë veshë për të dëgjuar, se të tjerët qetësisht do të vazhdojnë përgjumjen e tyre të çdokohshme.  Me këtë nuk dua të them që ndërrimi i kryeministrit në pushtet është një detyrë, një mision, një domosdoshmëri.  Me këtë dua të them që kush e ka këtë për detyrë, kush e ndjen si mision e kush e sheh si domosdoshmëri, sot i ka futur një sy gjumë.

Por ajo çka është edhe më shqetësuese, vërehet në fakt në të gjithë shoqërinë shqiptare.  Berishizmi.  Njëzet vjet Berishizëm kanë lënë pasoja të pandreqshme te shqiptarët.  Kjo po që është e vështirë për t’u çrrënjosur.  Këtë e vërej çdo ditë te të gjitha grupmoshat, te shqiptari i mesëm, te shqiptari i pasur dhe te ai i varfër.  Këtë e shoh te analfabeti por akoma më keq te intelektuali.  E shoh te gazetari, te shkrimtari, te pedagogët, te studentët, te minatorët, te komunistët dhe te familja mbretërore.  Berishizmin e shoh tek vetja dhe te artikulli që po shkruaj.  Është pasojë e viteve të tëra indiferentizëm, i cili do të lerë pasojë Berishizmin edhe te shumë breza pasardhës.  Dikush mund ta quajë ves e dikush mund t’i vendosë një emër tjetër, dikush mund të ndërgjegjësohet sot e dikush kurrë…

Berishizmi është një plagë e cila ka kultivuar instinktet më të këqia te njerëzit.  Edhe pas largimit të Berishës do të duhen dekada për të riedukuar brezat e rinj.  E megjithatë sot kemi nevojë për një hap të parë.  Ashtu si me duhanin nga i cili vështirë të heqësh dorë, pasi nikotina ka vite që të ka hyrë në gjak, edhe Berishizmi do metodë dhe dedikim për t’u çrrënjosur.  Por hapi i parë dhe më i rëndësishmi është ndërgjegjësimi që ai të dëmton dhe prej tij duhet hequr dorë.

Rëndësi ka që sot të flitet, rëndësi ka të hidhet hapi i ndërgjegjësimit dhe këtë mund ta bëjë vetëm pjesa e shëndoshë e shoqërisë, ajo që nuk duhet të qëndrojë asnjëherë indiferente…

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *