Nevoja për një krenari të re

Nga të gjitha këto krahasime dhe analogjira të llojllojshme, mund të dalim në përfundimin se Shqipëria, me sa duket, paska qënë një vend që për 99 vjet me radhë, paska njohur vetëm shanse të humbura, e përkundur nga krahasimet frenetike që i bëjnë ata që e udhëheqin. Dhe kjo ka sjellë mbijetesën për një kohë të gjatë të mitit shqiptar, në dëm realitetit shqiptar.

Lajmi i dytë është pjesa patetike që vjen si pasojë e mitit të krijuar dhe të ushqyer keq nga politika të mbrapshta. Tashmë krenohemi se jemi shqiptarë duke vënë flamuj nëpë ballkone, duke bërë marshime heroike nga Vlora në Prishtinë, duke vënë foto të Lorik Canës në facebook ose duke u përpjekur të zbulojmë rrënjën e filan personazhi historik me shpresën se do ketë ndonjë pikë gjaku shqiptar. Nuk e kam me AK. Në situatën aktuale ku ndodhet Shqipëria, ringjallja e simboleve kombëtare është ndoshta një rrugë shpëtimi. Por edhe kur është, ka analistë e politikanë që e shkelmojnë atë. Së pari duke bërë ç’është e mundur që, nën petkun e objektivitetit historik, të minimizojnë rolin e atyre pak figurave kombëtare që na bashkojnë (Skënderbeu) ose duke mohuar, harruar dhe përçmuar elementin më të fortë që na mban të lidhur si komb: gjuhën. Harresa e dëmshme që iu bë përvjetorit të Kongresit të Manastirit është e pafalshme. Por nuk mjaftojnë vetëm simbolet. Duhet një rimëkëmbje e gjithashme e shqiptarit, ekonomike, kulturore, sociale, një proces vetëdijësimi që duhet të kalojë nga forcimi i shtetit jo si koncept në vetvete por si një mekanizëm në shërbim të kombit, nëpërmjet përkrahjes që duhet t’i japë çdo shqiptari. 99 vjet më pas, ne kemi një shtet të kapur nga hajdutë, që shet liçenca, hidrocentrale dhe det, duke kontribuar në përuljen e krenarisë shqiptare.

99 vjet më pas, kemi shqiptarë të sakatosur, që pasi u detyruan të largohen për një jetë më të mirë në emigrim, tashmë nuk kanë rrugë tjetër shpëtimi vetëm të kthehen në Shqipëri dhe të zbulojnë se shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Të parët për festa, futboll dhe biseda të përgjithshme kafenesh, në fakt jemi ende shumë larg së ballafaquari me të vërtetën që ka kapur për fyti Shqipërinë. Dhe pasoja në jetën e çdo shqiptari ndihet dhe fatkeqësisht përkthehet me statistikat e frikshme të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas të cilës 25% e shqiptarëve janë me probleme mendore.

Në fakt, të tre lajmet janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Të tre janë tregues të zhgënjimeve historike të shqiptarëve, që tingëllojnë shumë rëndë në 99 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Nevojitet një krenari e re, jo e sëmurë dhe që zgjohet vetëm kur na digjet flamuri, por e bazuar në vetëdijen se nuk duhet të jetojmë më me krahasime, nuk duhet të mendojmë vetëm me simbole por duhet të punojmë si komb, që mos të biem pre e fataliteteve. Për 99 vjetorin e Pavarësisë nevojitet më shumë se kurrë një Komb krenar, me aspirata më mëdha.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *