Nëse ende ka Shqipëri

A ka më toka të lira? Po mishin që hamë çdo ditë e kemi nga blegtoria vendase apo nga importi? Nëse fshat ka por pa tokë për t’u punuar, pa bujqësi e pa blegtori atëhere kush duhet të merret me ketë punë? Kush është përgjegjës e kush nuk duhet votuar, meqenëse po afrojnë zgjedhjet dhe me votë duhen vënë politikanët përpara përgjegjësisë? Do të kisha dashur që temat e nxehta të 2011-ës të ishin hapësirat publike në kryeqytet, gjelbërimi, arsimi dhe sporti. Përse jo, edhe piramida dhe fati i saj do të më kishte pëlqyer shumë si temë e debatit publik parazgjedhor. Ndërtimi i një stadiumi të ri pas plot 20 vitesh demokraci s’do të ishte keq gjithashtu. Edhe për këtë do të kisha dashur të flisja por s’mundem. S’më vjen natyrshëm. Janë çështje të një tjetër bote, të një tjetër qytetërimi, le të themi që janë tema evropiane. TEC-i i Vlorës pse u ndërtua dhe çfarë dobishmërie sjell  duke u lënë i fikur për mungesë efiçence? Duke lexuar këto dikush me siguri do të ketë filluar të qeshë me lotë…

E megjithatë për këto dhe për disa qindra tema të tjera do të kisha dashur të diskutoja e do të kishte qenë e udhës të diskutoheshin sot , por në fakt ajo që më së shumti na shqetëson është demokracia, janë zgjedhjet e ardhshme të cilat do të jenë gur prove.(?!) Plot 20 vjet më vonë partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë nuk e kanë të qartë nëse ka demokraci në këtë vend dhe sërish zgjedhjet përbëjnë një udhëkryq, prosperiteti apo rrënimi, demokracia apo autoritarizmi. Mua nuk më shqetëson nëse ka demokraci apo jo në vendin tim, mua më shqetëson që ora na ka mbetur 20 vjet mbrapa dhe në diskutim është ende demokracia… Në fund të fundit jemi dorëzuar nga pak të gjithë e atëhere le të trajtohen edhe çështje madhore si kjo e le të lihen në harresë ato që prekin përditshmërinë e qytetarëve dhe cilësinë e jetesës…

Por prapë dikush do të ketë buzëqeshur nga naiviteti i mendimit e i shkrimit dhe jo pa të drejtë. “Regjistrimi i popullsisë me vetëdeklarim të kombësisë dhe fesë” ky është premtimi i kobshëm që na servir qeveria e që heshturazi e mbështet pothuajse i gjithë spektri politik në vend. A thua se na premtohet Parajsa kur në fakt përpara kemi tatëpjetën. Jo në prill sepse kemi zgjedhje por pas 2 muajsh, humnera është e garantuar.
Mendoj që sot nuk ka asgjë tjetër më të rëndësishme për t’u diskutuar, për të bërtitur fort, për t’u revoltuar.  Sot nuk jemi në udhëkryq siç shkruajta vetë më sipër, siç mendojnë shumë të tjerë apo siç nuk mendojnë aspak indiferentët e shekullit të ri. Sot jemi buzë një gremine drejt së cilës jemi drejtuar në mënyrë të pakthyeshme. Një ushtri e tërë prej dhjetra mijëra qytetarësh të ndërgjegjësuar e të ndërgjegjshëm po firmosin anembanë Shqipërisë kundër absurditeteve të padëgjuara më parë. Mbledhja e firmave në çdo qytet sidoqoftë është shumë pak, është shumë e vonuar dhe zgjedhjet shërbejnë më së miri për ta larguar vëmendjen.

Unë nuk e di nëse ka shtet ligjor në këtë rrepublikë të vogël ku jetojmë. Jam i sigurt që pushtetin nuk e ka sovrani ose më mirë po them që sovran ketu është Njëshi. Por di me siguri që prej pothuajse një shekulli asnjë rrezik më i madh nuk i është kanosur vendit, integritetit teriorial dhe unitetit kombëtar. Politika të induktuara nga jashtë apo mëndjelehtësi pushtetarësh të ethshëm, pak rëndësi ka. Nëse ende ka Shqipëri nga kjo betejë e fundit do të kuptohet.
                                                                                                                                                        Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *