Nëpërkëmbja nga virtyti i tepërt

Në këtë kakofoni interesash personale ka dhe disa njerëz me ideale. Janë të pajisur me tolerancë, të armatosur me argumenta, të regjur ne debate publike. Por vuajnë nga doza e tepërt e virtytit të virtyteve, që në kushtet e sotme është arma vetëflijuese më e fortë: respekti për mendimin e tjetrit.

Që të biem dakord: jemi në demokraci dhe të gjithë duhet të kuptojmë kufijtë e lirisë dhe të drejtat që gëzojnë të tjerët. Por nuk duhet abuzuar me një zell të kopjuar në ndonjë kryeqytet evropian me respektin ndaj mendimit të tjetrit. Një ilustrim i vogël, në mënyrë që mendimi të jetë i qartë. Dje u promovua libri me disa artikuj të zgjedhur që kanë si temë kryesore Piramidën. Në të figurojnë emrat më në zë të shoqërisë civile shqiptare që ngrihen kundër fobisë berishiane të radhës  kundër Piramidës. Ky libër duhet parë si një etapë në vazhdën e shumë aksioneve në mbrojtje të Piramidës. Pra, jemi në kushtet e një partizanizmi të vërtetë, ata janë ngritur për të mbrojtur Piramidën! Në këto kushte, futja e artikullit të Blendi Fevziut në këtë kolazh, ndërkohë që ai është shprehur për prishjen e Piramidës si dhe vendosja e këtij artikulli në krye të librit mbante shijen e hidhur të pranimit të disfatës nëpërmjet respektimit të parimit të mbrojtjes së fjalës ndryshe. Por, libri a është partizan?! A është i rreshtuar? Përse një tolerancë e tillë kur situata nuk e diktonte? Nuk mjaftoi gjëma vetëflijuese e Zhakut ditën e mitingut në mbrojtje të Piramidës, por duhet, për të mbyllur ciklin, dhe një tregues mëshire, ndrojtjeje dhe vënie në pozita mbrojtëse duke pranuar shkrime në atë përmbledhje që normalisht duhet t’i kishte fshikulluar.

Përballë vullneteve të forta personale të mbrojtura nga Qeveria, shoqëria civile që mbron të mirën publike duhet të tregojë vendosmëri në parime, përndryshe do të jemi gjithmonë në vend numëro duke u habitur sesi vidhen tenderat e zgjedhjet dhe si harrohen ngjarjet e dhimbshme që kanë ritmuar jetën tonë këto kohët e fundit.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *