Në dorën e plebejve Grekë!

E kam patur gjithmonë zili shtetin zviceran për referendumet që kryen në harkun e nje viti. Dhe nuk e kam kuptuar asnjëherë se përse ne në Shqipëri nuk arrijmë të organizojmë referendume, ose më saktë jo se nuk e kam kuptuar, por më tepër “jam lutur” që të ketë referendume. Dhe fakt është vetëm referendumi i vitit 1994, ku të gjithë sot e pranojnë që populli, sovrani, bëri zgjedhjen e duhur. Gjithashtu, fakt është edhe mbledhja e firmave, apo peticioneve, për gjoja referendume për çështje të ndryshme; më kujtohet këtu nisma për TEC-in e Vlorës, së fundi çështja e piramidës, etj… dhe vetëm kaq, se referendum nuk ka patur dhe as ka për të patur. Nuk ka për të patur, sepse nuk duan ATA, politikanët (edhe në 1994 që u zhvillua një referendum donte Ai, donte Ai dhe u bë, dhe humbi, humbi nga naiviteti i fillestarit, se pas vitit 1994 ja ka marrë mirë dorën gjërave, është bërë esnaf). Ata nuk duan referendum, ata kanë frikë, ata kanë frikë nga gjykimi i popullit, ata duan të vendosin vetë për çështjet, për të gjitha çështjet, pa le më për çështjet madhore. Ata e thërrasin popullin në votim vetëm për të zgjedhur veten e tyre; në fakt ata do të donin që të ishin gjithmonë të “zgjedhur”, po për hir të fasadës së demokracisë ju duhet që të bëjnë edhe zgjedhje, të cilat edhe kur i bëjnë i fusin duart e hundët në atë farë feje, që nga listat e kandidave e deri në pikën fundore të procesit , që vetëm zgjedhje të popullit nuk janë tashmë.

Dua referendum, e dua dhe pikë! E dua, sepse votoj dhe vetë.
Po përse kanë frikë nga referendumi grek? Madje e quajnë edhe të rrezikshëm! Referendum të rrezikshëm, s’e kisha dëgjuar kurrë një gjë të tillë! Të kesh frikë nga referendumi është njësoj si të kesh frikë nga vetja, se mos bën vetëvrasje. Unë nuk kam frikë nga vetja. Po të dua të bëj vetëvrasje, e bëj dhe pikë, tek e fundit jeta është e imja, as e jotja, as e zotit, dhe as e natyrës.

Sarkozy e Merkel, banka e institucione financiare, të gjithë kanë frikë nga referendumi i plebejve grekë. Po pse tremben? Tremben, se mos vallë populli grek bën vetëvrasje (falimentim i shtetit grek). Po pse, a nuk është e drejtë e populit grek të bëj apo jo vetëvrasje?! Për një ngjarje kaq të rëndë për popullin grek,  gjëja më demokratike do të ishte pikërisht referendumi, pushteti i popullit, pushteti i drejtëpërdrejtë dhe jo nëpërmjet disa politikanëve negociatorë, sado atdhedashuri apo largpamësi të kenë. Politikanët, po të jenë largpamës e bindës, le të bindin popullin e tyre. Le të zgjedhi populli! Po ata të evropës kanë frikë se një falimetim i Greqisë dhe një dalje e mundëshme nga zona Euro do shkaktonte një rrënin të sistemit financiar në botë.
Dhe ja, këtu ka arritur puna, që i gjithë sistemi finaciar varet nga dhjetë milionë plebej grekë. Duket sikur jemi në pikën zero, në kohën e Athinës së lashtë!

Marka X

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *