Na duhet kombi, jo kombësia

Gjithë problemi qëndron në statusin juridik të kombësisë që ka ruajtur ligji për gjendjen civile.  Ligji përfshin termin “kombësi”, së bashku me emrin, atësinë, seksin, vendlindjen dhe shtetësinë në përbërësit e regjistrit të gjendjes civile, duke e kthyer këtë element në një të dhënë që duhet komunikuar me detyrim.  Në këtë kuptim, ligji i jep një kuptim juridik të plotë fjalën “kombësi”, pasi gjendja civile është regjistrimi i vazhdueshëm, i qëndrueshëm dhe i detyrueshëm i ndodhive, karakteristikave të ngjarjeve jetike të popullsisë, sipas përkufizimit që japin Kombet e Bashkuara, pra në njëfarë mënyre është memoria e shtetit në lidhje me individët e tij dhe që, në bazë të së cilave, lindin pasoja juridike për shtetasit.  Kështu, nëse ndodh një ngjarje në jetën e njeriut (siç është vdekja, martesa, divorci), ato do të prodhojnë efekte juridike, të drejta dhe detyrime në raportin shtet/individ.  Integrimi i kombësisë në këtë kuadër tregon vullnetin e ligjvënësit shqiptar për t’i dhënë atij koncepti një kuptim juridik të fortë, si për shembull, lënien e shtetësisë shqiptare, nëse vërtetohet se një individ është i një kombësie tjetër.  Pra, sipas Ligji për gjendjen civile, kombësia duhet deklaruar me detyrim.

Nga pikëpamja juridike, kjo kërkesë e ligjit është antikushtetuese pasi bie ndesh me nenin 20 të Kushtetutës, i cili sanksionon parimin e mosdetyrimit për të bërë publike përkatësinë etnike.  Gjithashtu, po nga ana juridike, përkatësia etnike hyn te ato që quhen të dhëna sensitive, të cilat nuk mund të mblidhen dhe përpunohen nga organet publike nëse individët nuk kanë dhënë pëlqimin në mënyrë të qartë për një gjë të tillë.  Këto parime nuk kanë lindur dje.  Këto kanë ekzistuar me kohë si në dokumentet ndërkombëtarë në lidhje me kombësitë ashtu dhe në Kushtetutën e Shqipërisë të 1998, ndërkohë që Ligji për gjendjen civile është i vitit 2009 (?!)

Atëherë çfarë e shpjegon këtë verbëri juridike të ligjvënësit shqiptar?  Për mendimin tonë nuk është verbëri, as harresë, por pjesë e një plani të përgjithshëm dhe koherent për t’i dhënë kombësisë një vend të rëndësishëm në kuadrin juridik shqiptar, pavarësisht se askush nuk e kërkon një gjë të tillë.  Nëse kombësia njëherë e një kohë shërbente si koncept bashkues, ndërkohë që shteti shqiptar herë ekzistonte, herë zhdukej, herë shitej dhe herë blihej, sot ne kemi konceptin juridik të shtetësisë, që rregullohet me ligj të veçantë.  Pavarësisht përkatësisë etnike, ajo që do të vlejë në sytë e shtetit është fakti nëse një shtetas ka shtetësi shqiptare ose jo.  Për sa i përket përkatësisë etnike, siç e thotë dhe Gjykata Kushtetuese, shteti duhet të marrë masat e nevojshme që të identifikojë grupet etnike në mënyrë që të sigurojë edukimin dhe zhvillimin e kulturës së tyre, në përputhje me Kartën kuadër evropiane për Mbrojtjen e Minoriteteve.  Dhënia e një statusi të barazvlefshëm juridik, si shtetësisë ashtu dhe kombësisë krijon dy standarde, gjë që është e rrezikshme për qenësinë e shtetit shqiptar.

Në kuptimin praktik, çdokush ka të drejtë të gëzojë të drejtat që lindin nga fakti se i përket një etnie ose minoriteti të caktuar.  Kjo gjë garantohet nga Kushtetuta dhe nga dokumentar ndërkombëtarë.  Po nuk kuptojmë përse shteti shqiptar organizon dhe orkestron më së miri mënyrën dhe mjetet jo vetëm për këta individë por edhe individë shqiptarë që përfitojmë me dokumente fals ose me censuse të rremë një kombësi tjetër që do të krijojë më vonë pasoja juridike, ku më e pakta është marrja e një shtetësie tjetër dhe krijimi i një harte etnike shqiptare që nuk përputhet me realitetin. 
Aleancat patriotike afër Qeverisë, kryesisht PDIU, u mbrojtën duke thënë se kombësia nuk do të kërkohet me detyrim në census dhe se kjo ishte një fitore e tyre.  Në dukje po.  Pasi në kllapa dhe me shkrim të vogël thuhej se kjo e dhënë nuk është e detyrueshme.  Por në aspektin ligjor aspak.  Të dhënat sensitive, siç janë ato të përkatësisë etnike duhet të mblidhen sipas një procedure të veçantë të rregulluar nga Ligji për të dhënat personale.  Një gjë të tillë organizuesit e censusit ende nuk e kanë provuar se e kanë bërë.  Kjo gjë na shtyn të mendojmë se ky census është bërë nën trysni politike dhe për interesa që gjenden tjetërkund.

Shqiptarët nuk kanë nevojë të deklarojnë nëpër televizorë dhe nëpër dokumente se janë shqiptarë.  Ata kanë nevojë të ndjejnë se janë pjesë e një kombi me vlera që mishërohet në një shtet me vlera.

Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *