Mjeshtra të improvizimit

Gjithçka është në dorë të Zotit, asgjë në dorën tonë.  Me këtë shprehje ne justifikojmë mefshtësinë tonë dhe mungesën e vullnetit për t’i bërë ballë situatave që nuk të sjellin asnjë fitim për momentin por të bëjnë të mundur që të jetosh të ardhmen më i qetë dhe me më shumë besim.  Jo, nuk para bëjmë gjëra të tilla, ia lëmë Zotit gjithçka në dorë, ose të dërguarit të tij, që kryesisht këto vite ka qënë Sali Berisha dhe të tjerat, të vijnë si të vijnë…

Shembujt janë të shumtë në jetën tonë personale dhe kolektive.  Dhe nuk kanë rreshtur së reflektuari edhe në politikë.  Rasti i fundit është përzgjedhja e emrit për President të ardhshëm të Republikës.  Lista e emrave e gatitur në kuzhinat e errëta të politikës doli disa orë para se të zhvillohej raundi i parë.  Në të spikati një emër që përmbushte disa kushte që me sa duket janë të domosdoshme për të qenë President i ri i Republikës.  Kandidatura e tij meriton një trajtim të veçantë, por këtu vlen që të nënvizohet shpejtësia me të cilën dolën emrat në momentin e fundit.  Përzgjedhja e Presidentit është një proces kushtetues, afatet e zhvillimit të të cilit janë detajuar në Kushtetutë.  Kushtetuta nuk thotë “t’i keni gati emrat kur të vijë çasti i përzgjedhjes” por është afërmendsh e kuptueshme se kjo duhet të ndodhte në gjirin e Parlamentit tonë kohë më parë.  Emrat e konkuruesve duhet të ishin gati, në mënyrë që gara të bëhej e shëndetshme ose të paktën normale.  Në vend të këtij rendi të diktuar nga logjika dhe arsyeja që ne nuk e kemi patur ndonjëherë dhe që tashmë e kemi ngritur këtë mungesë në rang ideologie politike, kemi ngritur një rend të ri, atë të improvizimit.  Por nuk është thjesht një improvizim nga injoranca.

Do të ishte gjysma e së keqes.  Është improvizim i lëvizjeve taktike të kundërshtarit.  Mos bëj gjë derisa tjetri të ketë lëvizur gishtin e vogël.  U duket vetja si në fushë betejë, si në Termopile a në fushën e Maratonës që rrinë e presin se çfarë do të bëjë kundërshtari dhe më pas të vendosin se çfarë strategjie do të ndërmarrin.  Vetëm se nëse në rastin e përballjeve epike, improvizimi ishte virtyt i gjeneralëve të mëdhenj, në rastin tonë është ves i poshtër i mercenarëve që na drejtojnë.  

Po përpiqen me çfarëdolloj mënyre të na tërheqin në vallen e tyre të tensionimit të situatës për t’i dhënë një hije koherence lëvizjes së tyre të ardhme popullore, duke treguar me gisht ngurtësinë e qëndrimeve të palës kundërshtare. Koherencë tashmë e humbur për hir të një konsensusi vështirësisht të kapërdisshëm por me sa duket të nevojshëm.  Vetëm se kësaj here nuk do të ketë më mbrojtje të kauzave boshe nga ana e popullit.  Duam zgjedhje të lira, duam të dimë përse Ilir Meta u rikthye në valle, duam të dimë kush e shtyn një ish anëtar të Gjykatës Kushtetuese të luajë rolin e mjeranit duke bredhur derë më derë për të lypur detyrën e Presidentit, duam të dimë përse u ndryshua Kushtetuta kur po bëhen çmos për të evituar pikërisht zbatimin e ndryshimit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.  Nëse nga klasa politike do të mungojnë zërat që do të ngrejnë këto shqetësime, ajo duhet hedhur e tëra në koshin e harresës, njëherë e përgjithmonë.

Stavri

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *