MEDIAkriteti, maja e berishizmit

Të tjerë, kryesisht nga ekranet, japin mend për çdo çështje të mundshme, nga pozita krejtësisht të mistershme për ne të tjerët. Këta edhe paguhen për të na dhënë mend. Disa madje janë ushtarë partiakë dhe këtë, këta, as e fshehin dot  e as dëshirojnë ta fshehin. Nga kjo kategori ka dalë edhe fraksioni i vogël, por i fuqishëm, i atyre që e dredhin me radhë me secilën palë politike. Por të gjithë, pa përjashtim, kanë karakteristikë të përbashkët mosnjohjen e popullit të cilin mendojnë se studiojnë si kavje laboratori. Faktet na kanë zënë rrugën dhe ne nuk mund të bëjmë gjoja sikur nuk i shohim. 23 qershori ishte vetëm i fundit prej tyre.

“Nëse studimi i dytë mbi zogjtë del në një konkluzion diametralisht të kundërt me të parin, natyrshëm na lind dyshimi edhe mbi vërtetësinë e tezës së dytë. Po sikur zogjtë të këndojnë për një arsye tjetër, krejtësisht të ndryshme nga dy të parat? Një arsye e cila i ka shpëtuar të gjitha studimeve, sepse larg çdo intuite njerëzore”

Kështu asnjë opinionist, asnjë politolog, asnjë gazetar dhe asnjë politikan nuk kishte imagjinuar një votë plebishitare në 23 qershor, një shuplakë përcëlluese Berishës dhe njëkohësisht berishizmit. Të gjithë së bashku, kush diletant e kush profesionist e trajtuan çështjen ashtu si çdo herë tjetër më parë: cekët dhe me një dozë të mjaftueshme berishizmi që ka zënë rrënjë thellë brenda secilit prej tyre. Madje kjo formë mediokre e analizimit të votës vazhdon edhe sot pas plebishitit, me llogari e llogaritje aritmetike elementare. Po ti heqësh 1 LSI dhe ti shtosh 1 PDIU a është e barabartë me 1 PD plus 1 LSI? Këtu kemi arritur majat e berishizmit, ngritjen e tij në sistem perfekt. Mediakritet!

Por le të kthehemi sërish te faktet, ato kokëfortat, te 23 qershori i shqiptarëve.
Berisha e nëpërkëmbi këtë popull po aq sa paraardhësit e tij ekselentë, në mos më shumë, dhe këtë e realizoi edhe nëpërmjet mediave. Por jo vetëm kaq. Ai iu la dhuratë për periudhën që do të qëndrojë larg pushtetit, berishizmin. 
Aq shumë e përkuli dhe e poshtëroi këtë popull dhe aq shumë e përpunoi opinionin publik saqë vetë populli kishte filluar të dyshonte mbi virtytin e tij. Kush nuk e ka dëgjuar të paktën një herë shprehjen: “jemi popull i poshtër”? Askush nuk u mundua të ndryshonte mendim, madje nga lartësia e mençurisë së tyre dhe të veshur me pushtet propagandistik, na shtynë të gjithëve të mendonim se, po, jemi të poshtër ”të gjithë përveç meje”. Por nëse të gjithë mendojnë që “të gjithë janë të poshtër përveç meje” atëherë ose të gjithë janë të poshtër ose të gjithë janë “përveç”.


Kështu 23-shi i qershorit, plot 23 vjet pas ndryshimeve që nuk sollën asnjë ndryshim, na tregoi që nuk ka popull të poshtër dhe popull të virtytshëm. Ka popull dhe pikë.

Në tokën e shqiponjave
aty ku pështyn mbin një lule. Ky ishte mesazhi që i dhamë Berishës.


“Si përfundim na vjen mirë të pranojmë që askush nuk e di përse zogjtë këndojnë, as shkencëtarët e as filozofët, sepse ata nuk janë zogj. Ata i përkasin një specieje tjetër “.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *