Më fal o Zot që nuk të besoj! Une besoj Berishën!

Kështu, mendova të bëj zgjedhjen time:
O Zot ti na ke mësuar  të falim armikun, Berisha na thotë që armikut ti tregojmë vëndin, ti shkulim dhëmbë e dhëmballë, dhe si tokësor që jam besoj Berishën, e kam më afër. Megjithëse, edhe ky i  fundit  ka treguar që armikun e bën mik. Me Nanon dhe Metën, me Azemin dhe Arbenin.
Unë besoj Berishën se është i dukshëm, jo si Ti në eter.
Ti je kundër mëkatit o Krijues! Por unë prapë besoj Berishën, se me tolerancë zero mëkatin lufton. Ti je i butë o Zot!
Ti o Zot, o i madhi Zot,  thua ti ndihmojmë të varfërit…por rri e bën sehir së largu, ndërsa Berisha ju jep 2500 e lekë për ditlindjen e Birit tënd. Ti na jep dritën e diellit, Ai energji të gjelbër na jep, madje kaq zemërmirë është saqë në shumë rrethe të vendit s’e paguajnë fare energjinë, ditë e natë.
Ti i dashur bën propagandë për lirinë e popujve, por ëndrrën tonë realitet e bëri Berisha me “miracle of freedom” në NATO na futi.
O Zot ku ishe Ti, që le të ndodhi Gërdecin?! Berisha ju bë krah atij populli të varfër e në hall, dërgoi ambulanca e helikopterë, ministra e shefa, ndërsa Ti dërgove vdekjen o mizor. Turp për Ty.
Ti doje t’ia fusje Mediut, por Berisha nuk të la, o naiv.

Ti ke biblën, e mbushur me pallavra (sipas mendimit tim), ne kemi kushtetutën, dhe Berishën garantin e saj.
Ti në fle gjumë apo rri zgjuar unë këtë s’e di, prandaj kam prirje të besoj Berishën që punon 24 orë, punon për ne, duke sakrifikuar veten e tij, ashtu si dhe biri jot Jezusi bëri për njerëzimin. Por unë besoj Berishën, se është i sotëm dreqi, mos ma merr për personale të lutem…Më fal!
Ti o Zot thua gjëra të zeza, na thua që një ditë njerëzimi do fundoset… jo nuk e besoj. Rrezik, Ti xheloz i dreqit ke sabotuar tunelin e Berishës. Jo, ti Atë s’e mund dot, jo dhe jo! Berisha do të t’i shkuli dhëmbët edhe Ty, prandaj mos e kruaj shumë…
Ti Judën e sakrifkove o i poshtër, ndërsa Berisha e mori në gjirin e tij Metën. O perëndi cfarë virtyti!

Ti o Zot na lë pa festa, Berisha na shton nga një për vit. Duam dhe ne pushime. Ti nga paratë s’merr vesh, Berisha që në vitin 96 na siguroi paratë e fituara me djersën e qylit. Ti s’ke pushkë (ta paktën s’na i ke treguar), ndërsa Berisha po, nëse të kujtohet 14 shtatori ’98.  Ti ke tërmete, Berisha ka Policinë Ndërtimore.
Ti je Një, Berisha është Një. Ti i di të gjitha, por edhe Ai i di të gjitha.
Ti ke ëngjëjt e tu, Berisha ka Bumçin, Bashën, Bogdanin, Olldashin, ka dhe ëngjëllushe Ai; Bregun, Mesilën, uh, më fal se harrova Topallin. Ai edhe Boden e ka bërë ëngjëll, ndërsa Ti as mua s’më bind dot.   
Ti nuk bërtet, ohhhh, Ai bërtet fort dhe bukur, po po…
Jeni të dy njësoj o Zot, ti në qiell e Ai në Tokë! Ti i bardhë e Ai i zi.
Por, unë besoj Berishën o Zot, se atë e kam më shumë frikë se sa Ty. Ai është serioz, shumë serioz. Besoj se më kupton, më fal o Zot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *