Mbreti vdiq! Rroftë mbreti

Mirëpo, nëse mendonim se kishim parë e stërparë gamën e provokimeve të ulëta që një Kryeministër i bën shtetasve të vet, gabohemi rëndë. Shpallja e ditës së zisë kombëtare për ndarjen nga jeta e djalit të ish Mbretit Zog dhe deklarimi se referendumi i 1997 ishte i manipuluar, pasi shqiptarët kanë votuar mbretin e tyre, janë provokime dhe fyerje të rënda,  jo vetëm ndaj popullit por edhe ndaj institucionit dhe karriges ku kryeministri  ulet.
Djali i ish Mbretit Zog është thjesht djali i babait të tij. U prehtë në paqe dhe, falë ndryshimit të regjimeve, eshtrat e tij do të prehen përjetësisht në Shqipëri, në atë vend që e braktisi qysh ditën që pa dritën e botës. Por ai nuk përfaqëson asgjë në kuptimin institucional. Ai nuk është mbret. Ai është shpallur trashëgimtar nga babai i tij, ndërkohë që Shqipëria kishte një qeveri të njohur ndërkombëtarisht. Shpallja si trashgëtimtar ishte maskarada e radhës, pas asaj të vetëshpalljes mbret në 1928. Megjithatë, “tolerantët” e politikës sonë, e kanë përcaktuar si të detyrueshëm nderimin në bazë të protokollit të shtetit edhe ceremoninë mortore të Leka Zogut. Anomali institucionale, por që mund të shpjegohet me njëfarë detyrimi për të nderuar historinë e Shqipërisë. Në fakt, ata që e kanë bërë një gjë të tillë, nuk e kanë bërë për hir të historisë, por për hir të përçarjes së shqiptarëve për të sunduar edhe më të lirë se ç’janë duke e bërë.

I zellshëm në lëmin e përçarjes, Kryeministri shkon përtej këtij protokolli idiot dhe shpall një ditë zie kombëtare. Dhe për kë? Për një njeri që s’ka bërë asgjë për Shqipërinë, përveç një grusht shteti në 1997 (të mos harrojmë parodinë e dhënë prej tij në Sheshin Skënderbe ku, i veshur ushtarak, mori horrat e tij dhe iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të djegur gjithçka) dhe një jetë me shumë pikëpyetje në mërgim. Nuk kemi pse flasim gjerë e gjatë për kriteret se si dhe për kë shpallet dita e zisë. Leka Zogu dukshëm nuk është pjesë e atyre njerëzve.

I zellshëm përtej zellit të tepruar në lëmin e përçarjes, Kryeministri shton se referendumi i 1997 për sa i përket zgjedhjes së regjimit, ishte manipuluar se shqiptarët e donin mbretin e tyre. Sipas mendjes së ndritur të Kryeministrit, shqiptarët “dun babën”. Shqiptarët duan një njeri dhe jo një ideal, përgjithësisht atë njeri që ka pushtetin. Ky është koncepti i demokracisë për Kryeministrin. Shqiptarët donin Enverin (ai e adhuronte në mënyrë të veçantë), donin Salën kur ishte President dhe donin mbretin kur Sala e dinte që nuk rrinte dot më në kolltukun e Presidentit. Shqiptarët në fakt duan të kenë një ideal, duan institucione dhe duan një shtet me aspirata kombëtare. Tashmë, me Saliun në krye, këto nuk sigurohen dot.

Por jo vetëm kaq. Kujtimi i 1997-ës dhe atij referendumi debil, i dalë nga mendja e një njeriu që po mbytej dhe po përdorte ç’të gjente mbi sipërfaqen e ujit për të shpëtuar, nuk bëhen për të rivendosur të vërtetën e vjedhjeve të ’97. Nuk mund të rivendoset e vërteta mbi zgjedhjet e vitit të mbrapshtë pa u sqaruar të vërtetat e vjedhjeve të 2009 dhe të 2011 nga Arkitekti i tyre.

Ndoshta nuk ka të vërtetë objektive. Ndoshta çdokush ka të vërtetën e tij. Por ama shteti shqiptar e ka një të vërtetë: ai shtet ka formën e vet, atë të Republikës Parlamentare, për të cilën kanë luftuar patriotë nga të gjitha trojet shqiptare, formë që ka jetuar pavarësisht deformimeve dhe sabotimeve (periudha e mbretërisë zogolliane në mënyrë të veçantë). Çdo përpjekje për ta hedhur poshtë këtë të vërtetë është sabotimi më i rëndë jo vetëm ndaj Shtetit Shqiptar (sapo mbyllëm festimet e 99 vjetorit të tij…) por edhe ndaj interesit kombëtar.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *