Mbi kufirin detar me Greqinë

E fundit në radhitje është lufta në Kosovë dhe pavarësia në letër. E trumbetuar dhe e festuar si një fitore e madhe e popullit shqiptar, në fakt ajo fsheh humbjen e sovranitetit në një pjesë të territorit në veri të Kosovës, por edhe tkurrjen në Bujanovc e Medvegjë, në territoret e banuara nga shqiptarë brenda kufijve të Serbisë. Pra edhe kur populli shqiptar ka qenë në krah të fitimtarëve, territori i shqiptarëve ka njohur vetëm tkurrje.

Në kuadrin e humbjeve ciklike të territorit shqiptar në fund të çdo lufte me fqinjët, nuk mund të mungonte edhe një marrëveshje dypalëshe mbi kufijtë detarë mes Tiranës dhe Athinës, si  gjithmonë në dëm të Shqipërisë, edhe pse duhet pranuar që ka dy nota stonuese në këtë marrëveshje në krahasim me vazhdimësinë e tkurrjes së trojeve shqiptare. Së pari sepse nuk jemi në fund të një lufte dhe nuk shpjegohet domosdoshmëria e një ndryshimi kufijsh dhe së dyti, sepse kjo nuk është marrëveshje duke qenë se palët (popujt) nuk janë marrë vesh me njëra tjetrën, por është pakt mes dy qeverive të cilat punojnë për interesa me kah të njëjtë.

Duke qenë se specialistët e lëndës për të cilën po flasim nuk janë të shumtë do të fokusohemi te një analizë e thjeshtë, jo-teknike.

Pakti i ri detar me Greqinë mund të jetë ose në favor të Shqipërisë ose në favor të Greqisë. Mundësia e tretë është që të mos ketë një pakt të ri dhe situata të qëndrojë e pandryshuar. Kokëfortësia e kryeministrit Berisha për ta çuar deri në fund rrugën e nisur drejt firmosjes së marrëveshjes mund të shpjegohet me korrupsionin e kthyer në sistem. Tashmë është e qartë që shteti ka degraduar dhe nuk ka as fuqinë dhe as vullnetin të funksionojë si shtet në shërbim të qytetarëve. Sistemi i krijuar në Shqipëri i ngjan në disa aspekte anarkisë, në të tjera diktaturës, paçka se këto të dyja janë antipode të njëra tjetrës, madje në sytë e më të verbërve mund të ketë edhe formën e kapitalizmit liberal. Në fakt këtu mbizotëron ryshfeti. Është një fenomen krejtësisht shqiptar duke qenë se ryshfeti këtu te ne është i ndershëm dhe si i tillë i lejuar dhe i pranuar nga shoqëria. Nga ky lloj sistemi, i cili funksionon që nga baza e shoqërisë e deri në majën e piramidës, sigurisht që përfiton vetëm një grup i vogël njerëzish, pushtetarësh, qeveritarësh, Kryeministri.  Aq i perfeksionuar është labirinti burokratik i ryshfetit saqë nuk mund të përjashtohet nxjerrja e përfitimeve vetjake nga një dhuratë kaq e madhe që i bëhet shtetit fqinj. Askush të mos habitet, e keqja e korrupsionit të kthyer në sistem qeverisjeje është se funksionon në mënyrë të përsosur.

Një mundësi tjetër është kapja e shtetit Shqiptar nga agjentura të huaja. Aq shpesh janë përmendur teori të tilla konspirative gjatë regjimit të Hoxhës sa që tani kemi frikë ti shqiptojmë ato sepse rrezikojmë të dukemi qesharakë. Mbase të tillë jemi, por më qesharakë se kur formulojmë teori konspirative me agjentura të huaja dukemi kur lejojmë qeveritë të marrin vendime të pakthyeshme në dëm të integritetit territorial shqiptar.

Betejat më të ashpra gjeostrategjike të viteve të fundit po zhvillohen për hapësirat detare, për burimet me hidrokarbure të këtyre hapësirave, si dhe rrugëve detare që kalojnë nëpërmjet tyre. Ndër të tjerë, një konflikt mjaft i ashpër po zhvillohet midis Kinës dhe Filipineve për kufirin detar mes tyre. SHBA-ja dhe Japonia kanë dërguar trupa ushtarake në Filipine duke shkaktuar kështu një incident të rëndë diplomatik. Një tjetër konflikt gjeopolitik për hapësirat detare është ai mes Turqisë dhe Qipros si edhe Izraelit i cili qëndron pas Nikozisë. Në diskutim janë rrugët detare strategjike si edhe burimet me hidrokarbure…

Në të gjitha këto konflikte bie në sy vendosmëria e shteteve për të mos lëshuar asnjë centimetër. Ndërsa qeveria shqiptare bie në sy për vendosmërinë e saj në dhurimin pa asnjë hezitim të hapësirës detare. 

Mbase ajo e cila përfiton nga pakti detar është Shqipëria, mbase opinioni publik është i indoktrinuar nga propaganda e mediave që janë në shumicë dërrmuese opozitare. Mbase entuziazmi i Bakojanisit pasi u kthye në Athinë me marrëveshjen në xhep ishte një delir i momentit, mbase edhe opinioni publik grek është mashtruar nga mediat vendase që e duartrokitën paktin. Mbase ky pakt na u mbajt i fshehtë, derisa e zbuloi media entuziaste e Athinës sepse qeveria nuk donte ti tregonte popullit shqiptar se çfarë suksesi kishte korrur. Mbase qeveria donte të na e bënte surprizë për 100 vjetorin e pavarësisë. Në fund të fundit të gjithë e dimë, sukseset duhen festuar në data të shënuara.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *