Majtas, për t’i dhënë fund mandatit të një sistemi

Në kushte të tilla, entuziazmi vjeshtor që shfaqet edhe në kampin opozitar, mund të duket deri diku i pashpjegueshëm, por nuk është plotësisht i pajustifikueshëm. Ai është thjeshtë i pamjaftueshëm. Për të fituar besimin e pjesës më të madhe të elektoratit në zgjedhjet e ardhshme duhet diçka më shumë sesa vetëm vullneti i popullit për të mos e votuar kundërshtarin.

Kriza ekonomike ka filluar të ndjehet në shumë familje. Klima e tensionit dhe e pasigurisë është gjithashtu e kudondodhur. Neveria ndaj një shteti si ky i yni, inekzistent për taksapaguesin,  i krimbur nga ryshfeti e për pasojë i brejtur deri në palcë, është e dukshme në sytë e çdo qytetari. Një shtet i tillë, i cili është vënë i gjithi në shërbim të bizneseve elitare dhe monopoleve, është i destinuar të marrë një votë revolte dhe revanshi. Por sërish: në sistemin korruptiv dhe diktatorial ku jemi të detyruar të veprojmë, të gjitha këto nuk mjaftojnë për të justifikuar entuziazmin opozitar. Pakënaqësia e elektoratit ka nevojë të adresohet, të marri formë nëpërmjet propozimesh politike. Për shembull:

– DHËNIA FUND PRIVATIZIMIT TË INSTITUCIONEVE NGA POLITIKANËT DHE BIZNESET E TYRE, DUKE IA RIKTHYER ATO PRONARËVE LEGJITIMË, QYTETARËVE. 
E vërteta pra qëndron te programi. Me pak ide por të majta.

ALEANCAT

Një tjetër pikë ku nguron opozita sot është ajo e aleancave të mundshme. Nëse për të fituar është e domosdoshme të bëhen aleanca jo të qëndrueshme, me parti pa program politik; nëse për të fituar opozita vendoset në te njëjtin nivel qasjeje ndaj elektoratit me Partinë Demokratike dhe të gjitha shoqatat politike që kanë qeverisur së bashku me të; nëse njëmijë votat që sjell për shembull Ndoka, janë aq të vyera sa ta vendosin të majtën shqiptare në të njëjtin nivel politik, moral, ideologjik me këtë të fundit; atëherë është e natyrshme që vete elektorati të zgjedhë matrapazët zanatçinj që  qeverisin sot dhe jo amatorët që do të përpiqen ti imitojnë nesër.

Me këtë nuk dua të them që izolimi është e vetmja zgjidhje, POR AS KOMPROMISI ME ÇDO KUSHT NUK ËSHTË I PRAKTIKUESHËM NË REALITETIN TONË POLITIK. E vërteta edhe një herë qëndron te programi, qoftë edhe me pak ide por të majta, të cilat Opozita i ka por jo të shprehura qartë dhe guximshëm përpara elektoratit.

INTELEKTUALI

Një hallkë tjetër mjaft e rëndësishme e përpjekjes kolektive për të sjellë vlerat në qeverisjen e vendit, është intelektuali. Në kushtet e sotme intelektuali nuk mund të qëndrojë jashtë debatit politik. Ai nuk është as mbi palët por as më i mirë se palët. Intelektuali sot pretendon se qeveria po e zhyt vendin në një krizë ekonomike, sociale dhe morale, por nga ana tjetër këmbëngul se edhe opozita nuk është më e mirë. Kështu ai e vendos veten jashtë katrahurës ku ndodhet vendi, në pozitat e një opinionisti të thjeshtë. Roli i intelektualit në shoqëri nuk mund të kufizohet vetëm në dhënie opinionesh asnjanëse.

– E MAJTA NUK KA KUPTIM PA SOLIDARITETIN, PA PUBLIKEN DHE PA PJESËMARRJEN E QYTETARËVE TE PUBLIKJA, POR AQ MË PAK KA GJASA TË REALIZOHET RRËZIMI I NJË SISTEMI ANTIVLERASH SI KY I KRIJUAR GJATË KOHËVE TË FUNDIT NË SHQIPËRI, PA PJESMARRJEN AKTIVE TË INTELEKTUALËVE TË MAJTË DHE PËRPARIMTARË.

PRIVATIZIMET

Është krijuar ideja e gabuar se në përgjithësi private do të thotë efikasitet, produktivitet, kurse publike dhe shtetërore do të thotë ngadalësi, paaftësi dhe humbje. Nën këtë trysni të opinionit publik të manipuluar me dashje dhe me insistim gjate këtyre 20 viteve të fundit, e majta nguron të shprehet qartë dhe hapur kundër privatizimeve të pronës shtetërore, të pronës së përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Albpetroli, hidrocentralet, repartet ushtarake, bregdeti etj. janë vënë në shënjestër për tu privatizuar, pa hasur kurrfarë rezistence as nga opozita politike dhe as nga intelektualët  apo opinioni publik (me përjashtim të akuzave për korrupsion, shkelje të procedurave apo krijim monopoli). Askush sot nuk mund të thotë se privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes solli efikasitet, përkundrazi. Po ashtu askush nuk mund të thotë që shitja e ARMOS solli produktivitet apo efikasitet. Por edhe privatizime në sektorë të tjerë kanë rezultuar të dështuar.

Duke qenë se qeveria, ka favorizuar monopolet madje në shumë raste i ka krijuar ato me pasojë zhdukjen e konkurrencës, atëherë nuk mund të thuhet se privatja ka sjellë rritje të produktivitetit dhe efikasitetit të këtyre sektorëve. Pasojat e këtyre politikave ekonomike, me çdo kusht liberale, bëhen gjithmonë faturë në xhepat e popullit.

– IDEJA E GABUAR SE NUK PASKA ALTERNATIVË NDAJ PRIVATIZIMIT KA SJELLË SI PASOJË NJË BARRË QË ËSHTË E PAPËRBALLUESHME JO VETËM PËR NE SOT, POR EDHE PËR BREZAT QË DO TË VIJNË.

Sot për sot, Hidrocentralet, minierat dhe Albpetroli janë ndër të fundit prona shtetërore që i kanë shpëtuar privatizimit dhe të tre janë sektorë që i sjellin shtetit, pra çdo shqiptari, fitim të vazhdueshëm. Rritja e fitimeve dhe përmirësimi i cilësisë së produktit  në këta sektorë nuk duhet të kërkohet te privatizimi por te rritja e efikasitetit të ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore të administrimit dhe kontrollit. Denoncimi i privatizimeve korruptive e monopolizuese, të një shteti qëllimisht të degraduar dhe një pushteti, për pasojë, gjithnjë e më të fuqishëm, nuk janë të mjaftueshme. 

Ministri i Mbrojtjes, pasi privatizoi badihava ato prona të ushtrisë që ishin më të lakmuara, na sjell idenë brilante se tani ato pak kapanone që kanë mbetur duhet të shkojnë për kompensimin e ish pronarëve. Pra e vetmja alternativë ndaj privatizimit është sërish privatizimi. “Publikja”, “e përbashkëta”, “në shërbim të qytetarit”, janë fjalë të huaja në fjalorin e politikës. Nuk do të jetë e largët dita kur do të dëgjojmë të njëjtën mrekulli edhe nga ministri i shëndetësisë nën pretekstin se spitalet shtetërorë nuk janë efikase, si të tilla janë bërë barrë për buxhetin e shtetit, e si zgjidhje duhet të privatizohen.

– PYETJA QË SHTRON E MAJTA ËSHTË: VËRTETË NUK KA ALTERNATIVË TJETËR PËRVEÇ PRIVATIZIMIT? 

Opozitës nuk i nevojiten vetëm idetë (të cilat edhe pse te pa sistemuara duket se i ka), por edhe aksionet e vërteta të majta që të pasqyrojnë revoltën e qytetarëve. Shqipërisë i duhen edhe intelektualët, ata të majtë kryesisht, të rreshtuar ideologjikisht. Qeverisë së ardhshme do t’i duhet një shkëputje radikale nga e shkuara, duke filluar nga e tashmja për të ndërtuar të ardhmen sepse ajo që kërkojmë në zgjedhjet e ardhshme është rrëzimi i një sistemi dhe jo vetëm i një individi.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *