Majtas jemi të parashikueshëm

E majta shqiptare e përfaqësuar nga partia Socialiste i ka humbur zgjedhjet në 2009-ën dhe në 2011-ën. Kush justifikohet se në të vërtetë zgjedhjet u fituan nga socialistët por Berisha i vodhi, duke filluar që nga Rama, gabon dyfish. Duke mos kuptuar që fitorja me një grusht votash nuk është e mjaftueshme për ta ndryshuar Shqipërinë, dhe duke i bërë një dhuratë mazhorancës me këtë qëndrim të vetëkënaqur. E vërteta është që Partia Socialiste vetëm vitin e fundit e ka kuptuar që është e majtë dhe duhet të fitojë bindshëm falë politikave sociale dhe aksionit të majtë.

Shqipëria ka nevojë për REVOLUCION. Nuk duhet të trembet askush nga termi. Nuk duhet të imagjinohet një revolucion i armatosur por një revolucion që të ndryshojë shoqërinë shqiptare që nga rrënjët, që të shkundi themelet e një pushteti të krimbur nga korrupsioni e të betonuar nga fryma totalitare e Kryeministrit. Këtë mund ta bëjë vetëm një opozitë e majtë.
Pikërisht sepse është e qartë që Shqipëria sot për sot nuk ka lidhje me demokracinë, një aksion i vazhdueshëm, i mirëfilltë majtas, nga ana e opozitës do ta bënte fitoren më të afërt.

Duke folur nga pozita të majta, unë nuk e kërkoj fitoren si tifoz i njërës skuadër, as për përfitime të militantëve të njërit kah, por aq më pak e dua fitoren e së majtës për një rotacion të domosdoshëm ashtu si u shpreh ish Presidenti Topi. ROTACIONI I DOMOSDOSHËM ka kuptim vetëm për ti dhënë pushtet, pra pasuri, atyre që nuk e patën gjatë 8 viteve të fundit, duke përjashtuar nga përfitimi, sipas këtij vizioni, ata të cilët gjatë kësaj periudhe u pasuruan. Ky është një vizion që nuk ka të bëjë me të majtën dhe në fakt vjen nga një politikan i cili jo vetëm i përket të djathtës reale, por që gjithashtu është pjesë e të vjetrës që duhet shembur.

Nëse si opozitë e majtë themi, me gojën e liderit të opozitës, që në zgjedhjet e ardhshme përjashtohet një koalicion me LSI-në sepse ajo përfaqëson atë çka ne duam të shembim dhe atë çka nuk duam që Shqipëria të bëhet, kemi hedhur një hap të rëndësishëm drejt fitores dhe rindërtimit.
Por nëse pastaj nuk përjashtojmë një koalicion të gjerë, për shembull me FRD-në e Bamir Topit, atëherë bëhemi të parashikueshëm dhe rrjedhimisht të pabesueshëm për pjesën dërrmuese të popullit i cili kërkon NDRYSHIM. Një koalicion hibrid tregon që fitorja kërkohet vetëm për të bërë një rotacion të butë, të pa dhimbshëm dhe, si u shpreh Topi, të domosdoshëm. Në këtë mënyrë bashkohen votat me disa të babëzitur, të pakënaqur të pushtetit të sotshëm, duke humbur përfundimisht votat e të gjithë atyre që mendojnë se ka ardhur koha për një ndryshim rrënjësor. Pra humbasim votat e të majtëve, votat e popullit.

Opozita në një regjim putinian bëhet edhe vetëm, bëhet edhe në rrugë edhe në parlament. Opozita në një shtet pa kushtetutë dhe me kanun, bëhet edhe me ballafaqim të fortë. Në një periudhe ku rinia në mbarë Evropën derdhet në protesta masive, të kesh frikë nga protesta do të thotë të kesh frikë nga të qenit i majtë.
Opozita në një vend që s’ka gjasa të integrohet në BE sepse është vite larg nga standardet e një shteti demokratik dhe të së drejtës, nuk duhet të bëhet vetëm në media dhe rrjete sociale ashtu si simotrat e saj në Evropë, pikërisht sepse betejën duhet ta zhvillojë në mungesë të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës.

Hollande i fitoi zgjedhjet kur me një deklaratë surprizë ,të paparashikuar as nga këshilltarët më të afërt, premtoi se do të taksonte deri ne 75% ata qytetarë që fitojnë më shumë se 1 milion euro në vit. Pozicionim i fortë majtas. Kjo ndodh në Francë…
Ajo çka presim nga e majta në Shqipëri është jo vetëm një luftë e paprecedentë dhe e vazhdueshme, në llogore kundër babëzisë neofashiste, por edhe ndonjë aksion të mirëfilltë të majtë, të paparashikueshëm, që ta derdhi popullin drejt kutive të votimit ose drejt revoltës përfundimtare!
E majta shqiptare është më e majtë se simotrat evropiane, si pasojë e vetë kushteve social-ekonomike të popullit, ajo nuk është përtej të majtës e të djathtës!

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *